LAJMI I FUNDIT:

Rasti “Kobra”, Prokuroria Speciale: Nuk mund të japim më shumë informata në këtë fazë të hetimeve

Rasti “Kobra”, Prokuroria Speciale: Nuk mund të japim më shumë informata në këtë fazë të hetimeve

Lënda në rastin e Dibran Hoxhës, i njohur si “Kobra”, i cili bashkë me gjashtë të tjerë gjenden në paraburgim nën dyshimin për vrasjen e V.C., i cili rast ka kaluar që disa ditë në Prokurorinë Speciale të Kosovës është ende në fazë të hetimeve. 

Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale të Kosovës, Ekrem Lutfiu në një përgjigje dërguar Telegrafit përmes email-it ka thënë se ky rast është në trajtim të mëtutjeshëm dhe për momentin nuk mund të japin më shumë informata.

“Ju njoftojmë se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka pranuar në kompetencë nga Prokuroria Themelore në Prizren rastin e njohur si ‘Kobra’ për trajtim të mëtutjeshëm. Andaj, në këtë fazë nuk mund të ju japim më shumë informata”, ka thënë Lutfiu për Telegrafin.


Rasti “Kobra” kalon në kompetencë të Prokurorisë Speciale
Lexo po ashtu Rasti “Kobra” kalon në kompetencë të Prokurorisë Speciale

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, më 2 shkurt 2023, ka marrë vendim për vazhdimin e paraburgimit ndaj Dibran Hoxhës i njohur si “Kobra” dhe pesë të pandehurve të tjerë Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrllahi, të dyshuar për vrasjen e të riut nga Kukësi, V.C.

Sipas Prokurorisë, Dibran Hoxha po dyshohet për veprat penale “Vrasje e rëndë”, armëmbajtje pa leje dhe manipulimi me prova, ndërsa Arben Vezaj, Burim Mazreku, Jesmir Badalli, Kujtim Gashi dhe Enver Amrallahi, po dyshohen për veprën penale “Pjesëmarrja në rrahje”.

Ndërsa, i dyshuari i shtatë R.S, dyshohet për veprat penale “Pjesëmarrja në rrahje” dhe “Manipulimi me prova”.

Në kërkesën e Prokurorisë  thuhet se me datën 3 janar 2023, rreth orës 04:00, në afërsi të lokalit të tij “Kobra City”, që gjendet në rrugën magjistrale Prizren- Zhur, me armë zjarri, me dashje e privon nga jeta viktimën V.C, duke vë në rrezik jetën e të dëmtuarit R.Sh, të cilin e plagos dhe duke vë në rrezik edhe jetën e të dëmtuarit A.B, që të tre shtetas të Republikës së Shqipërisë.

“Për shkak të një mosmarrëveshje paraprake që kishin pas rreth pagimit të faturës në lokal, fillon përleshja në mes punëtorëve në lokalin “Kobra City”, me të dëmtuarit ku pas kacafytjeve dhe rrëmujës së krijuar në lokal, të dëmtuarit dalin nga lokali dhe pasi hypin në veturën “Mercedes” FA 19-PFX, me targa angleze, për tu larguar në parkingun e lokalit, paraqitet i dyshuari Dibran Hoxha, i cili me armë zjarri shtënë në drejtim të veturës, me ç’rast e qëllon të dëmtuarin V.C, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e pasme të veturës dhe R.Sh, i cili kishte qenë i ulur në ulësen e përparme, dhe si pasojë e këtyre të shtënave me armë zjarri V.C ndërron jetë rrugës për në Spitalin e Kukësit, derisa R.Sh nga plagët e marra nga Kukësi dërgohet në spitalin e Tiranës”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

Me këtë, Hoxha dyshohet se ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë”. /Telegrafi/