LAJMI I FUNDIT:

Lëvizje e trysni për të ecur para, nga sot nis turi diplomatik i të dërguarve për dialogun Kosovë-Serbi

Lëvizje e trysni për të ecur para, nga sot nis turi diplomatik i të dërguarve për dialogun Kosovë-Serbi

Ky fillim i vitit 2023 do të jetë sfidues për dialogun Kosovë – Serbi dhe marrëveshjen finale. Pa kaluar ende një javë e këtij viti, sot në Prishtinë kryeministri Albin Kurti do të presë në takim të dërguarin e Posaçëm të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Lord Stuart Peach.

Qeveria ka njoftuar se takimi do të mbahet në orën 16:00, por nuk janë bërë të ditura temat e diskutimit.

Padyshim situata e sigurisë dhe vazhdimi i dialogut do të jenë në fokus. Ndonëse ende nuk ka datë të caktuar për rifillimin e bisedimeve pas heqjes së barrikadave në veri, tashmë është e qartë se 2023-ta do të jetë vit i dinamizmit të dialogut Kosovë-Serbi. Vizita e të deleguarit britanik do të pasohet me të tjera të diplomatëve evropianë e amerikanë.


Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, të mërkurën për Telegrafin ka deklaruar se aktualisht nuk ka diçka konkrete për takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq në Bruksel.

Albin Kurti, Peter Stano dhe Aleksandar Vuçiq

“Do t’ju njoftojmë për çdo takim të ardhshëm të dialogut”, është shprehur Stano.

Ndërsa, nga Qeveria e Kosovës kanë thënë për Telegrafin se janë të gatshëm dhe të përgatitur për t’u rikthyer në tryezën e bisedimeve.

“Ne kemi treguar gatishmërinë tonë për takime të radhës me qëllim diskutimet për marrëveshje ligjërisht dhe ndërkombëtarisht të obligueshme për normalizimin e plotë të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë me njohjen reciproke në qendër”, ka thënë zëdhënësi i ekzekutivit, Përparim Kryeziu.

Ai ka shtuar se i takon ndërmjetësuesit të BE-së të përcaktojë se kur do të jetë takimi i radhës.

“Ne jemi të vullnetshëm, të gatshëm dhe të përgatitur”, ka përfunduar Kryeziu.

Përparim Kryeziu

Megjithatë, këshilltari i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, Jens Plettner dhe ai i presidentit të Francës, Emmanuel Macron, Emmanuel Beaune, do të qëndrojnë në Prishtinë në muajin janar – kjo për të rritur presionin dhe përshpejtuar procesin e çështjes mes Kosovës dhe Serbisë, përmes planit të njohur si franko-gjerman.

Bëhet e ditur se atyre do t’u bashkohet edhe emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar.

Ndërkaq, pas Kosovës, ata pritet të vizitojnë edhe Serbinë, pikërisht për qëllimin e njëjtë –  zgjidhjen politike mes dyja vendeve dhe marrëveshjen finale.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë dhjetorit të 2022-ës, pati thënë se Kosova nuk e ka refuzuar planin franko-gjerman.

“Unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Korniza e përgjithshme e marrëveshjes ka qenë pika e parë më 18 gusht në Bruksel. Deri më tani kemi pasur dialog për proces, por jo për marrëveshje. Më 9 shtator ende pa u bërë një muaj patën ardhur në zyrën time këtu e më pas shkuan në Beograd këshilltarët e lartë të presidentit Macron dhe kancelarit gjerman…”, ka deklaruar Kurti.

Propozimet e këtij plani dhe përmbledhjen e modeleve, Kurti i ka quajtur si “bazë e mirë”- megjithatë ka shtuar se ka edhe vërejtje e tij.

“Pra ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve të cilat unë nuk i kam refuzuar, por janë bazë e mirë. Unë i kam vërejtet e mia por unë nuk e kam kundërshtuar atë propozimin. Por në Beograd i thanë jo, pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë së tyre”, është shprehur Kurti.

Ndërkaq, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, për mediat serbe ka hezituar ta komentojë propozimin evropian.

“As se kemi refuzuar, as se kemi pranuar. Nuk e kam komentuar asnjëherë në detaje, edhe pse përgjigjen e kemi shkruar në letër, po të më pyesni nuk them se e kemi refuzuar, as që e kemi pranuar”, ka thënë Vuçiq.

Megjithatë, thotë se është i gatshëm të flas për planin e lartcekur për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.

“Jemi gati për bisedime. Dhe ne jemi të gatshëm të flasim në bazë të atij plani”, shtoi ai.

Të drejta të barabarta Kosovës dhe Serbisë, respektim i integritetit territorial, paprekshmëri e kufijve, njohje e simboleve shtetërore dhe një aranzhim i veçantë për komunitetin serb në Kosovë janë elementet kyçe të një propozimi të BE-së për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, të cilin e siguroi REL.

Ky propozim, i njohur edhe si plani franko-gjerman, mësohet se u është dhënë palëve qysh në fund të verës. Ai ka mbështetjen e Francës, Gjermanisë dhe Shteteve të Bashkuara.

Në dokument nuk përmendet njohja e ndërsjellë mes Kosovës dhe Serbisë apo anëtarësimi i Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara – për të cilat gjëra insistojnë publikisht zyrtarët kosovarë – por theksohet mbështetja që palët duhet t’i japin njëra-tjetrës në procesin e integrimeve evropiane.

Nga Serbia, po ashtu, kërkohet që të mos e pengojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. /Telegrafi/