LAJMI I FUNDIT:

Shtohet numri i pensionistëve që vazhdojnë të punojnë në Gjermani

Shtohet numri i pensionistëve që vazhdojnë të punojnë në Gjermani

Për shkak të mungesës së fuqisë punëtore si dhe për shkak të pensioneve të ulëta, gjithnjë e më shumë njerëz në Gjermani vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension.

1.066.895 pensionistë, sipas të dhënave të fundit nga autoritetet gjermane, kanë vazhduar të punojnë edhe pse janë bërë 67 vjeç e më shumë. Mediat njoftojnë se numri i të punësuarve të moshës 67 vjeç e lart ka vazhduar të rritet në vitin e fundit në Gjermani.

Rrjeti i Redaktorëve në Germani (RND), duke iu referuar një përgjigje nga qeveria federale të dërguar me kërkesë të partisë e Majta, njofton se 1.066.895 punonjës në Gjermani aktualisht janë 67 vjeç e mës shumë, që është rreth 15.000 më shumë se një vit më parë.


Ndërsa krahasuar me vitin 2015 numri i pensionistëve që kanë vazhduar të punojnë është rritur për 200.000. Në përgjigjen e qeverisë thuhet se ndërkohë është shtuar në mbi 400.000 numri i punonjësve mbi 70 vjeç, ndërsa rreth 138.000 janë madje mbi 75 vjeç.

Punonjësit e moshës 67 vjeç eme shumë punojnë në zyra, në pastrim, në magazina, në postë ose në punët që kanë të bëjnë me teknologjinë e ndërtimit dhe në mirëmbajtjen e apartamenteve. Ndërkohë që në mesin e më shumë se 13.000 punonjësve të moshës 85 vjeç e lart, sipas të dhënave të fundit, 446 prej tyre janë madje drejtues të automjeteve në komunikacionin rrugor. Për shumë prej tyre ky nuk është ndonjë vendim vullnetar – që të vazhdojnë të punojnë edhe pas daljes në pension.

“Varfëria në pleqëri dhe pensionet e vogla po i detyrojnë njerëzit t’i kthehen punës edhe pas daljes në pension”, tha kreu i grupit parlamentar të të Majtës në Bundestag, Dietmar Bartsch, për RND. “Për shumë prej tyre ky nuk është një vendim vullnetar, por i domosdoshëm, për shkak se pensionet nuk mjaftojnë.”

Bartsch bën thirrje për një pension minimal prej 1.200 euro në muaj. Në funksion të inflacionit rekord, një reformë e madhe e pensioneve po bëhet gjithnjë e më urgjente, thotë Bartsch. Ai bëri thirrje që niveli i pensionit të rritet në 53 për qind nga rroga e dikurshme.

Gjithashtu ai nmendon se duhet të futet edhe një pension minimal prej të paktën 1.200 euro. “Ne kemi nevojë për një fond pensioni në të cilin paguajnë të gjithë qytetarët – përfshirë deputetët, nëpunësit civilë, të vetëpunësuarit dhe shefat e ARD-së”, tha kreu i grupit parlamentar. /dw/