LAJMI I FUNDIT:

Gjergj Fishtës, anëtar i Akademisë italiane

Gjergj Fishtës, anëtar i Akademisë italiane
Ilustrim

Nga: Frano Kulli

Fishta është propozuar për antar në këtë akademi nga kompozitorët Mascagni e Pelosi dhe psikologu, gjithashtu mjaft i njohur Agostino Gemelli, të cilët … nuk ishin fashistë e as nuk kishin pasë mardhënie të mirë me fashizmin. (Qasje që nxjerr krye herë herë në të rallë edhe sot, me njetin pë ta njësuar akademikun-poet kombëtar të shqiptarëve me bashkëpuntorin fashist!) Thua ta kenë pëlqyer lahutën si vepër fashiste ata ?!

Ai ishte i vetëdijshëm dhe e kishte vlersuar ashtu siç qe emrimin e vet në Akademinë e Italisë. Në këtë kuptim s’kish se si ti mungonte kortezia e momentit dhe kjo është e shprehur e asnjëherë e mohuar prej Fishtës. Një dëshmi autentike e kësaj kortezie na vjen nga bashkëkohësia. Është një telegram që Fishta i dërgon Musolinit, me falënderimin për pranimin e tij antar i Akademisë italiane.


Padre Fishta al Duce

L’accademico Padre Giorgio Fishta ha inviato al Duce il seguente telegramma:” Grazie Duce dell’alto onore del titolo d’accademico d’Italia che per Vostra benevola disposizione mi é stato attribuito e che io considero quale sicuro indice del generozo Vostra interessamento anche per la stirpe albanese, virtû questa ignota sino ad oggi alla diplomazia europea. Padre Giorgio Fishta

(At Fishta Duçes. Akademiku At Gjergj Fishta i ka dërguar Duçes telegramin e mëposhtëm (vijues): “Faleminderit Duçe për nderimin e lartë me titullin skademik i Italisë që falë disponimit (vullnetit) tuaj dashamirës më është atribuuar (dhënë) dhe që unë e konsideroj si tregues të sigurt të interesimit tuaj bujar kundrejt prejardhjes time shqiptare, virtyt që i është njohur deri më sot diplomacisë evropiane. At Gjergj Fishta”)

Dëshmia e Ernest Koliqit:

“… Fatkeqsisht, disa prej atyne që hiqen si supernacionalistë, pozitë të cilen fituan tue ndejtë strukun mbas nji patriotizmi fals, e qortojnë poetin për faktin se me 1939 pat pranue me u emnue Akademik i Italisë. Akuzojnë mendjemadhsisht për mungesë patriotizmi mjeshtrin, i cili harxhoi tanë jetën e vet për t’u mesue shqiptarve se si me e dasht atdheun. Dhe akuza, jo veç në Shqipninë e sotme, por mjerisht edhe në ndonji pjesë të Diasporës, ka gjetun nji lloj kodifkimi. Dhe nuk synohet me u denigrue thjeshtë njeriu dhe politika e tij aqsa komuniteti prej të cilit ai rrjedhë, besnikëria ndaj traditave që i japin tharm veprës, e qytetnimi perëndimor që na ushqen me shpirtin e madh. Tue i akordue interpretuesit të shpirtit shqiptar titullin akademik, Italia dishronte me nderue Shqipninë. Qeshë i pranishem në Romë në qeshorin e vitit 1933 kur u muer vendimi në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Më kishin thirrë për tu këshillue rreth çeshtjes në fjalë. Morën pjesë në ketë mbledhje, veç tjerve, Zenone Benini nënsekretar për çështjen shqiptare. Ambasadorët Jakomoni i San Savinios e Karlo Straneo”.

U kërkoj ndjesë ndijuesve të nderuem nëse jam i detyruem me përmend ndërhyrjen që bana me ketë rast. Ndjej si detyrë me e zbulue ketë të vërtetë, për me e davaritë hijen me të cilen përpiqen me errsue kujtimin e Poetit, të cilin e pata udhërrëfyes dhe mbështetje në rrugën time letrare.

Benini, që drejtonte mbledhjen, njoftoi se qeveria Italiane, për t’i nderue në mënyrë konkrete vlerat kulturore të kombit shqiptar, propozonte tre shkrimtarë si antarë të Akademisë së Italisë. Emnat që u përmenden ishin: Patër Gjergj Fishta, Torenc Toçi, Ernest Koliqi. Benini e dalloi menjëherë se fytyra qe kontraktue. Kishte shpresue me e pa tue shkëlqye nga krenaria, sepse me pyeti “ Nuk e miraton ketë ide?” U ndieva i detyruem me folë me sinqeritetin ma të thellë. U përgjigja se ideja më dukej shumë e mirë e që nji nderim kaq i naltë për vlerat e kulturës shqiptare do t’i kënaqte e do ti mbushte me krenari tanë shqiptarët, por shtova se Koliqi duhej konsiderue si nji autor, cikli letrar i të cilit vijonte me qenë në zhvillim, kësisoj ende nuk ka mbërrit në atë pikë që i jep kunorzimin e përhershëm një shkrimtari.

Sa për Toçin, nuk mund të mohoj se asht nji koltivues i vyeshëm i studimeve juridike e nji gazetar i stervitun, por nuk ka botue asnjë vepër letrare a shkencore të tillë, sa me meritue dinjitetitin e Akademikut. E mbylla me fjalët se në të tre këta emna, Fishta asht i vetmi personalitet i pakundërshtueshëm, i denjë për tu pranue në bashkësinë e naltë kulturore italiane, me që ai dhe vetëm ai, përmblidhte në vete dhuntinë ma të shkëqlyeme të krijimtarisë artistike të rracës.

Benini, tue drejtue kah të pranishmit, vlerësoi konceptin e naltë, që unë kisha për Akademinë e Italisë. Mandej deshti me dijtë nëse ekzistonte në Shqipni ndonji tjetër shkrimtar që meritonte me ndejtë përkrah Fishtës. U përgjigja, simbas pikëshikimit tim modest, se ekzistonin dy shkrimtarë shqiptarë që s’do të kishin ba figurë të keqe në gjinin e Akademisë: zz. Fan Noli e Faik Konitza, por shtova se banonin prej shumë kohësh në Amerikë. Kështu Fishta ishte i vetmi që u emnue akademik i Italisë. Emnimi, tue qenë se nuk ishte paralajmërue gjeti në befasi. Fundja tue njoftë natyrën e tij krenare, qeshë i sigurtë se do ta kishte refuzue me përçmim vlersimin e naltë, nëse do t’ishin përfshi edhe dy shqiptarë të tjerë me merita letrare ma të pakta. Sigurisht se do ta kishte refuzue, e jo për mendjemadhsi, por sepse tue pranue krahas tij dy të tjerë mjaft ma të pakët se ai për nga formimi letrar, emnimi do t’ishte zveshë nga vlera e vërtetë e do të kishte marrë kuptim tjetër.

Kur mbas ceremonisë, e pashë në gjinin e Akademisë së Italisë, më shprehu tanë entuziazëm fjalët që i kishte thanë Papa Piu XII:

“Jam i kënaqun për emnimin tand akademik, sepse nëpërmjet teje nderohet Urdhni i Shën Françeskut e kombi shqiptar”

Mandej poeti e la ketë temë dhe nisi të më shprehë brengat e tij për situaten evropiane. Ishim në fillimin e 1940-ës.

Nji fat i kobshem po na ndjek!” – thirri renkueshëm, a thue se po fliste me vete – “ E druej fort për të ardhmen e Shqipnisë….”

Në trend Kultura

Më shumë
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Fjalët dhe shprehjet që i dëgjoni vetëm në Korçë

Kulture
KANGË

KANGË

Poezi
“Komedia”

“Komedia”

Kulture
ALKIMIA E FJALËS

ALKIMIA E FJALËS

Poezi
“Jetë e humbun”, leximi i dytë

“Jetë e humbun”, leximi i dytë

Kulture
Kalo në kategori