Gati katër muaj të shkuar huq për “Elektrosever”, a do t’i tërhiqet licenca kompanisë serbe?
Kompania serbe “Elektrosever”, nuk i ka plotësuar kushtet që i përcakton Udhërrëfyesi për Marrëveshjen për Energji ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy javë nga afati i paraparë, thonë zyrtarë të institucioneve të Kosovës.
Kjo kompani është licencuar më 24 qershor nga Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës (ZRRE), për furnizimin me rrymë të qytetarëve të katër komunave të banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, si dhe për faturimin e tyre.
“Elektrosever” i ka pasur 100 ditë kohë për plotësimin e kushteve që do t’i mundësonin të operonte në tregun e Kosovës. Nga data e lincencimit kanë kaluar 116 ditë.
ZRRE-ja nuk jep ndonjë përgjigjeje të qartë se si do të veprojë me këtë kompani, por i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se ka rrezik që “Elektrosever-it” “t’i tërhiqet licenca”.
Lajçak i ka bërë komente në një takim me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, më 13 tetor në Prishtinë, ndërsa katër ditë më vonë, pas takimit me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se çështja e energjisë kërkon “zgjidhje urgjente”.
Licencimi i “Elektrosever” ka qenë i paraparë me një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë për energjinë, e cila është arritur në vitin 2013, por pajtimi për zbatimin e saj është bërë me 21 qershor.
Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë – EPS (Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.
Bazuar në kushtet e Udhërrëfyesit, kjo kompani, mes tjerash, është dashur të nënshkruajë marrëveshje teknike me Kompaninë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë – KEDS, si dhe me Operatorin e Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të Energjisë Elektrike – KOSTT. Po ashtu, është dashur t’i dorëzojë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes, si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.
Në një deklaratë nga KOSTT-i thuhet se “deri më tani, nuk ka pasur progres në zbatimin” e pikave të Udhërrëfyesit.
Nga ZRRE-ja, ndërkaq, thonë shkurtimisht për REL-in se “do të veprojnë në harmoni të plotë me obligimet që rrjedhin nga Udhërrëfyesi për Zbatimin e Marrëveshjeve të Energjisë”.
Sipas Udhërrëfyesit, në rast të mosveprimit sipas kushteve të caktuara pas 100 ditëve të lëshimit të licencës, ZRRE-ja mund të vendosë për pezullim apo tërheqje të licencës për Elektrosever-in, ndonëse para këtij vendimi duhet të ketë konsultime me palët, nën ndërmjetësimin e BE-së, brenda një afati kohor prej 15 ditësh.
BE-ja, më pas, do të ofronte opinionin e ekspertëve, nëse do të kërkohej së paku prej ndonjërës palë.
REL i është drejtuar edhe kompanisë Elektrosever rreth kësaj çështjeje, por, deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje.
Çeku: ZRRE duhet t’ia pezullojë licencën “Elektrosever-it”
Eksperti i çështjeve energjetike, Ethem Çeku, njëherësh ish-ministër i Energjisë në Kosovë, thotë se ZRRE-ja duhet t’ia pezullojë licencën “Elektrosever-it”.
Por paraprakisht, shton ai, duhet të informohen të gjitha institucionet relevante ndërkombëtare se Elektrosever nuk i ka përmbushur kushtet.
“Nuk duhet të bëjmë veprime aty për aty, por duhet të paraprijë një fushatë e gjerë informuese mbi koston, mbi shpenzimet, në këtë kohë të madhe të krizës energjetike që mbizotëron në botë”, thotë Çeku.
Ku qëndron problemi me rrymën në veri?
Kompania Elektrosever është paraparë të bëjë furnizimin dhe faturimin e rrymës së shpenzuar në komunat: Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin Potok.
Banorët e tyre – shumica serbë – nuk kanë paguar për rrymën e shpenzuar që nga përfundimi i luftës, më 1999.
Refuzimi ka ardhur si pasojë e mosbindjes qytetare, por edhe ndikimit të strukturave të ndryshme atje, që kanë operuar nën dirigjimin e Serbisë.
Deri në fund të vitit 2017, rrymën e shpenzuar në veri e kanë paguar qytetarë të pjesëve të tjera të Kosovës, të cilët kanë marrë fatura me rritje. Nga 2017-ta e këndej – për shkak të ankesave të shumta të qytetarëve – përgjegjësia për pagesën ka kaluar te Qeveria e Kosovës.
Vetëm për pesë vjet (2017-2021), institucionet e Kosovës kanë paguar mbi 70 milionë euro për rrymën e shpenzuar në komunat në veri.
Deri në vitin 2017, ajo pjesë është furnizuar me rrymë nga KEDS-i; nga 2017-ta e këndej, furnizimin e bën nënstacioni i Vallaçit, i cili është në pronësi të KOSTT-it.
Çeku thotë se Qeveria e Kosovës duhet t’i gjejë zgjidhje “veprimit politik” të popullatës shumicë në veri.
“Mospagesa e energjisë që bën komuniteti serb në atë pjesë, është krejtësisht veprim politik, nuk është veprim ekonomik e social… Problemi është se ajo pjesë nuk e njeh sektorin energjetik të Kosovës dhe nuk e paguan energjinë”, thotë Çeku.
A janë të gatshëm qytetarët në veri të paguajnë për rrymën e shpenzuar?
Disa qytetarë të Mitrovicës së Veriut, të anketuar nga Radio Evropa e Lirë, thonë se nuk janë të gatshëm t’i paguajnë faturat e rrymës.
“Prej nga? Nuk kam të holla për diçka të tillë. Nuk e di se çfarë të bëj. Nuk kam me çka, nuk punoj askund dhe jam i lajmëruar në byronë për punësim”, thotë një qytetar që u identifikua vetëm si Nebojsha.
Dragan Antoviq thotë se rryma duhet paguar, por se nuk ka para.
“Unë jam pensionist, pensioni është i vogël… Unë nuk mund ta paguaj [rrymën] sigurisht, nuk kam pension të madh, nuk kam asgjë, çfarë të bëj, çfarë të ha”, shprehet Antoviq.
Lilana thotë se rryma duhet të paguhet dhe se “nuk e di nëse ka ndonjë vend në botë ku nuk paguhet”.
“Fakti që nuk paguhet rryma, është vetëm vullnet i mirë i Serbisë apo… Dikush po e bën një shërbim të mirë dhe unë nuk po e marr vesh këtë punë”, thotë Lilana.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë më 8 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në rast të dështimit të marrëveshjes për “Elekstrosever-in”, Qeveria e Kosovës nuk do të ketë mundësi që në vjeshtë të vazhdojë të paguajë rrymën në veri.
Klisman Kadiu, këshilltar politik i zëvendëskryeministrit të parë të Kosovës, Besnik Bislimi, konfirmon për REL-in se “Qeveria e ka bërë të qartë qëndrimin se nuk do ta mbulojë më koston e shpenzimeve të konsumit të energjisë elektrike në veri të vendit”.
KOSTT, po ashtu, thotë se nuk ka mjete për të mbuluar shpenzimet atje. /rel/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëVite më parë hodhi aksidentalisht në mbeturina hard diskun me Bitcoin, britaniku thotë se tani do të vlen 633 milionë dollarë
A më shumë kemi konsumuar energji elektrike në shtator 2023 a në shtator 2024? ASK del me statistika
“Ajo Mal” – Një dokumentar që frymëzon dhe fuqizon vajzat dhe promovon malet e Kosovës
Në këto ditë të ftohta, hani ushqime të ngrohta!
SHBA-ja sanksionon bankën ruse, Gazprombank
Black Friday në AZTECH: Zbritje spektakolare deri në -60%!
104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
25% zbritje në çizmet Adidas Terrex? Zgjate dorën!
Hej djem! Super xhaketa e Adidas tani vjen me zbritje ekskluzive vetëm për ju
Atletet e famshme Reebook vijnë me zbritje t’hatashme
Kreativiteti i fëmijëve tuaj fillon me këtë tabelë të zezë nga Vitorja – Përfitoni 20% zbritje ekskluzive
A don me u dok si zotni këtë sezon të dasmave?
Më të lexuarat
“Do më japësh një dy mijë lekësh të blej tost", babai i Martinit rrëfen mes lotësh bisedën e fundit me të birin
Pas urdhër-arrestit kundër tij, Netanyahu: Ditë e zezë për drejtësinë, nuk e njoh vendimin e gjykatës
"Është budalla, e rrah gruaja", Olta Gixhari flet për Luizin dhe BBVA: Gjysma e publikut ishin me mua, me të s'kam folur as kur kemi bërë filmin bashkë
Dërguti: Grupi i Osmanit në Guxo në bisedime për rikthimin në LDK, brenda dy ditësh dalin publikisht
Gjykimi i vëllezërve Vllasaliu në rastin e vrasjes së Bedri Rexhepit, dëgjohet biseda e përgjuar mes të pandehurve
Mes lotësh flasin për herë të parë prindërit e Martinit: Nuk duam hakmarrje