LAJMI I FUNDIT:

U përmend si planifikues i atentatit ndaj Kurtit, Prekë Kodra: Pas arrestimit më thanë se dyshohesh për falsifikim të parave

U përmend si planifikues i atentatit ndaj Kurtit, Prekë Kodra: Pas arrestimit më thanë se dyshohesh për falsifikim të parave

Prekë Kodra, që dyshohej për planifikimin e atentatit ndaj kryeministrit Albin Kurti ka thënë se është duke u marrë në qafë me lajmet ndaj tij.

“Janë shpikje ndaj meje. Unë Albin Kurtin e njoh përmes televizionit. Po më merrni në qafë mua e familjen time dhe njerëzit që më njohin”.


Ai thotë në T7 se e kanë telefonuar nga Gjermania derisa sa ishte në një kafe në Shkodër dhe e kanë njoftuar për lajmin që ka dalë në media.

Koda thotë se asnjëherë nuk është pyetur nga policia për rastin në fjalë.

Ai po ashtu tregoi edhe për momentin kur ai u ndalua nga Policia e Kosovës në kufi me 24 nëntor.

“Kur më kanë ndalu kam qenë më makinën e vajzës time. Më kanë marrë dokumentet, më kanë thënë, a ka mundësi me zbrit dhe më kanë mbajt aty nga ora 2 pasdite deri në 11 të darkës, as nuk më kanë tregua pse jam ndal. Më kanë nxjerr paret, më kanë thonë a ke gjë me veti. I kom thonë po kam 15 mijë euro me veti”.

“Më kanë arrestua në Doganën e Kukësit. Më kanë dërguar në Prishtinë, tek departamenti i krimeve të rënda, atje më kanë marrë në pyetje. Më kanë pyetur në dhomat e izolimit. Unë nuk kuptoja mirë se për çka bëhej fjalë. Më thanë se dyshohesh për falsifikim të parasë. Unë isha i sigurt që paratë ishin të pastërta”, tha ai.

Kodra thotë se ndjen keqardhje për Driton Selmanajn që është përfolur për këtë rast.

Ai ka konfirmuar versionin e Driton Selmanajt për takimin derisa thotë se nuk e ka njohur deri në atë takim.

“Nuk e kam parë as para atij takimi, e as pas takimit të asaj nate”, deklaroi Kodra.

Ai thotë se është i gatshëm t’i përgjigjet çdo lloj hetimi të mundshëm.

“Jam njeri i lirë. Nuk kam vrarë kë e as më ka vrarë kush. Nuk jam në gjakmarrje me askënd”, shtoi tutje Kodra.