LAJMI I FUNDIT:

Mustafa: Masat e qeverisë, janë të pamjaftueshme për krizën me çmime

Mustafa: Masat e qeverisë, janë të pamjaftueshme për krizën me çmime

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besian Mustafa, ka folur lidhur me propozimin e partisë së tij, që të reduktohet akciza dhe TVSH-ja tek produktet bazë në derivate edhe në produktet ushqimore.

Sipas Mustafës, këto propozime ishin dhënë me qëllimin që sado pak të zbutet ngritja e çmimeve që e ka goditur shportën blerëse të qytetarëve të Kosovës.

“Fatkeqësisht qeveria jo që nuk i ka marrë parasysh këto masa, por në mënyrë agresive kishte filluar t’i refuzojë edhe t’i kundërshtojë propozimet e opozitës”, ka thënë Mustafa në RTV Dukagjini.


Tutje ai ka shpjeguar arsyet e rritjes së çmimeve, ku sipas tij janë dy faktorë që kanë ndikuar, një lufta në Ukrainë, ndërsa tjetra është për shkak të përqindjes së TVSH-së dhe akcizës.

“Këto ndikojnë në rritjen e çmimeve. Kur rritet çmimi rritet edhe tatimi”, ka thënë ai.

Mustafa është shprehur se nëse të hyrat nga tatimi që i mbledh qeveria, për 1 euro është 18 për qind atëherë në 2 euro dyfishohen të hyrat për qeverinë për shkak të përqindjes por, nëse ulet në 9 për qind atëherë qeveria në dy euro mbledh të hyra njëjtë sikurse se me një euro para rritjes se çmimeve./Portali D/