LAJMI I FUNDIT:

AAK kërkon heqjen e akcizës së naftës dhe tatimit mbi produktet bazike për pesë muaj

AAK kërkon heqjen e akcizës së naftës dhe tatimit mbi produktet bazike për pesë muaj

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare dhe përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik.

Kështu ka deklaruar deputeti i kësaj partie Pal Lekaj, në një konferencë për media, duke shtuar se kjo duhet të bëhet për shkak të inflacionit të lartë në Kosovë dhe rritjes enorme të çmimeve.

“Tek përkrahja nëpërmjet politikave fiskale dhe tatimore, propozojmë heqjen për një periudhë pesë mujore të akcizës për naftën, heqjen e tatimit mbi produktet bazike të shportës familjare, përkrahjen direkte apo indirekte për të ruajtur zinxhirin ekonomik, masa emergjente të rishikimit të çmimeve të kuotuara në projektet e investimeve publike”, tha Lekaj.


Lekaj ka thënë se kryeministri Kurti është në ekskursion dhe se ministrat e tij nuk po ndërmarrin masa në të mirë të qytetarëve.

“Reagimi i Qeverisë, në këtë kohë krize as që shihet. Kryeministri është ne ekskursion e ministrat e dikastereve ekonomike janë të padukshëm. Madje për secilin propozim, iniciativë të opozitës, nuk ekziston as minimumi i vullnetit për diskutim, apo gjetje të alternativave të përbashkëta. Pra thjeshtë, ende janë në logjikën “Krejt dhe drejt””, u shpreh ai. /Telegrafi/