Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Gjermania, Britania e Madhe, Finlanda, Austria e Shqipëria, janë vendet të cilat publikisht i kanë dhënë mbështetje të fuqishme Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KiE). Pjesë e kësaj liste ende nuk janë bërë disa shtete anëtare të KiE-së, të paktën publikisht, pasi Franca është shprehur hezituese.
SHBA-ja përmes ambasadës së saj në Prishtinë, ka thënë se mbetet e përkushtuar për ta mbështetur Kosovën në Këshillin e Evropës.
“Shtetet e Bashkuara mbesin të përkushtuara për të mbështetur Kosovën pasi ajo zë vendin e merituar si një shtet sovran dhe i pavarur përkrah fqinjëve të saj në institucionet evropiane dhe euroatlantike – përfshirë anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”.
“Vendimi për anëtarësim në këto programe dhe organizata kërkon pëlqimin dhe miratimin e këtyre institucioneve dhe shteteve të tyre anëtare, jo vetëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, ka deklaruar për Telegrafin zëdhënësi i ambasadës amerikane në Kosovë, Erik Brassil.
Edhe ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde dhe i dërguari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, kanë deklaruar se Gjermania do ta mbështes me të gjitha kapacitetet e saj aplikimin për anëtarësim të Kosovës në KiE.
“Mezi presim ta shohim Kosovën si pjesë të Këshillit të Evropës, familje që punojnë së bashku për të promovuar të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Kosova i takon Këshillit të Evropës. Gjitha të mirat në procesin e aplikimit për anëtarësim”, ka shkruar Rohde në rrjetin social Twitter.
“Ne e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ne do ta mbështesim anëtarësimin e Kosovës në të gjitha institucionet evropiane. Ne jemi pro dhe do ta mbështesim me të gjitha kapacitetet tona aplikimin për anëtarësim të Kosovës në Këshill të Evropës. Shpresojmë të kontribuojmë në këtë proces”, ka thënë Sarrazin, gjatë një konference për media të mbajtur në Prishtinë, shkruan Telegrafi.
Ndërsa, ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Nicholas Abbott, aplikimin e Kosovës e ka cilësuar si një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin e saj ndërkombëtar.
“Dëshira e Kosovës për t’iu bashkuar Këshillit të Evropës është sinjal i mirëpritur i përkushtimit të saj ndaj demokracisë, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së të drejtave të të gjithë qytetarëve të saj”.
“Gjithashtu është një shenjë e gatishmërisë dhe vendosmërisë së saj për të mbështetur vlerat kyçe evropiane dhe për të çuar më tej integrimin ndërkombëtar Kosovës i uroj suksese!”, ka shkruar ambasadori britanik në rrjetin social Twitter.
Kosova në rrugëtimin e saj drejt kësaj organizate ka marrë mbështetjen edhe të Finlandës.
Sekretarja e Shtetit e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Finlandës, Johanna Sumuvuori, ka thënë se Finlanda e përkrahë plotësisht Kosovën në rrugën e saj evropiane.
“Diskutime të shkëlqyeshme me zëvendësministrin e Kosovës në çështje të ndryshme, përfshirë vendimin e Kosovës për të aplikuar në Këshillin e Evropës. Finlanda përkrahë plotësisht përpjekjet e Kosovës në rrugën e saj evropiane”, ka shkruar ajo në rrjetin social Twitter.
Edhe Ministri i Jashtëm i Austrisë, Alexander Schalenberg, ka mirëpritur kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës.
Kreu i diplomacisë austriake ka thënë se situata aktuale politike duhet të përdoret për të siguruar një model të qëndrueshëm të jetës në Evropë.
“Duhet të sigurohet që momenti gjeopolitik i shkaktuar nga lufta e agresionit rus të mos mbetet një moment tronditjeje, por që të përdoret për të siguruar dhe pohuar mënyrën e jetesës perëndimore në terma afatgjatë”, thuhet në njoftimin e ministrisë austriake për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare, shkruan Telegrafi.
“Prandaj, ministri i Jashtëm, Schallenberg, u shpreh qartë në favor të pranimit të anëtarëve të rinj dhe përshëndeti kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës, të dorëzuar nga Republika e Kosovës më 12 maj 2022”.
Ndërsa, përveç përkrahjes, Shqipëria është shprehur e përkushtuar edhe për të lobuar për pranimin e Kosovës në KiE.
Kështu është bërë e ditur nga Qeveria e Kosovës pasi delegacioni i Kuvendit të Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, i përbërë nga Saranda Bogujevci, si dhe Ariana Musliu-Shoshi e Arben Gashi, anëtarë, u takuan sot në Tiranë me kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikollën.
“Kryetarja e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Lindita Nikolla, nga ana e saj, theksoi përkushtimin e Kuvendit të Shqipërisë për të lobuar në të gjitha parlamentet e vendeve anëtare të KiE-së për të mbështetur pranimin e Kosovës në këtë organizatë”, u tha në njoftimin e Qeverisë.
Ndërsa, është Franca ajo që ka hezituar t’i japë mbështetje Kosovës për anëtarësim në këtë mekanizëm.
Ambasada e Francës në Kosovë ka deklaruar se i takon Kosovës si shtet sovran që të aplikojë për anëtarësim në KiE, megjithatë ka kthyer vëmendjen që prioritet aktual është rinisja e dialogut me Serbinë.
“Vendimi për të aplikuar në Këshillin e Evropës i takon Kosovës si shtet sovran. E ardhmja e Kosovës është të bëhet anëtare e tij. Prioriteti aktual është rinisja e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, i cili do të kontribuojë në afrimin e tyre evropian dhe në stabilizimin afatgjatë të Ballkanit”, thuhet në deklaratën e ambasadës franceze.
Tutje, thuhet se “ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që të angazhohen plotësisht në këtë drejtim dhe të përmbahen nga çdo veprim i njëanshëm që mund të nxisë tensione”.
Kosova ka aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës më 12 maj.
Ndryshe, procedurat kërkojnë që një shtet anëtar i Këshillit të Evropës të propozojë anëtarësimin e Kosovës në Komitetin e Ministrave. Pas kësaj Asambleja e Këshillit të Evropës kërkon opinion nëse Kosova i plotëson kriteret juridike për t’u bërë anëtar fuqiplotë.
Për anëtarësim kërkohen 2/3 e votave të përgjithshme që Kosova i ka, duke u bazuar në shtetet që kanë njohur vendin tonë./Telegrafi/
Promo
Reklamo këtuLufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika

U raportua se e kanë larguar nga LDK-ja, reagon kryeshefi i Termokosit

Mickoski: Shpresoj se procesi ynë i integrimeve evropiane do të zhbllokohet me mbështetjen e madhe të Hungarisë

Orban: Është e turpshme që procesi i anëtarësimit të Maqedonisë në BE po shkon ngadalë

Arrestohet i dyshuari që grisi Kuranin në Prizren

KPK dhe ZKPSh i reagojnë Kurtit: Zbatimi i ligjit është detyrim, jo interes personal

Haxhiu: Le t’i tregojë dikush KPK-së dhe ZKPSH-së, që Albin Kurti nuk është kryeministër në detyrë

"Grisja e Kuranit akt i shëmtuar dhe neveritës", Hoxha i Prizrenit: U tha se personi ka probleme psikike

Rutte dhe ambasadorët e NATO-s pritet ta vizitojnë Kosovën

"Fitimtari do ta formojë qeverinë", Kurti flet për zgjedhjet

104.5m² komfort – Banesë luksoze me pamje tërheqëse për zyret e juaja

Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140

Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254

Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253

Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123

Marrëveshje: Melodia Px dhe Telegrafi Deals janë dakordu që atletet Nike për femra ti ofrojnë për vetëm 69.95€, deri më 09 mars!

A do të shihemi në Balkan eCommerce Summit 2025?

Ekskluzivisht në Telegrafi Deals – Nike REAX nga 101€ në 79.95€!

Çfarë do të thotë DeepSeek AI për marrëdhëniet e SHBA me Kinën?

Çdo fëmijë e don një xhaketë të re për vit të ri!
Më të lexuarat

Disa nga këngët e Unikkatilit me të vëllanë, i cili u gjet pa shenja jete në Prishtinë - kanë bashkë hite të pavdekshme

Bashkatdhetarët votuan me disa fletëvotime të zgjedhjeve të 2021-ës

A mund të sigurojë Evropa paqen në Ukrainë, pa SHBA-në?

Man Utd po shpreson ta rikthejë në ekip lojtarin të cilin e larguan para pesë viteve

Numërohen gjysma e votave të ardhura me postë, LVV e para në 8 komuna, pasojnë LDK dhe PDK

Kompania norvegjeze ndërpret furnzimin me karburant për forcat amerikane për shkak të politikës së SHBA-së ndaj Ukrainës