Rezultatet e regjistrimit të popullsisë kanë nxjerrë në pah se në Maqedoninë e Veriut është ulur dukshëm numri i të rinjve, me këtë dhe i fuqisë punëtore. Ana Eftimova, 30-vjeçare, tashmë tre vjet punon në Gjermani, në një kompani e cila ndërmjetëson për punësim. Ajo rrëfen për Radion Evropa e Lirë se kur e ka marrë ofertën për punë jashtë vendit në asnjë moment nuk është hamendur nëse duhet të largohet për shkak të standardit më të lartë jetësor.
“Edhe pse nuk ishte fare e lehtë, e dija se ky është vendimi më i mirë. Kisha mundësi të punoj fillimisht në një projekt për tre muaj në Gjermani para se të shpërngulesha tërësisht në këtë vend. Gjatë kësaj kohe arrita të bëj dallimin mes jetës në Gjermani dhe asaj në Maqedoninë e Veriut, duke filluar nga standardi jetësor, shërbimet shëndetësore, të drejtat e punëtorëve, të ardhurat shumë më të larta e deri tek organizimi i transportit publik etj”, thotë Ana Eftimova duke shtuar se për çdo ditë është në kontakt me miqtë e saj në Maqedoninë e Veriut, të cilët interesohen për një punë në Gjermani.
Ndërkaq, Afrim J. që ka pak muaj që jeton në Gjermani, thotë paga nuk ka qenë ajo e cila e ka detyruar të largohet nga vendi, por mungesa e shërbimeve cilësore, si në shëndetësi, arsim etj.
“Ajo që ka bërë që unë të largohem nga Maqedonia e Veriut kanë qenë shërbimet e këqija në shëndetësi, pra kaosi në shëndetësi, kaosi në sistemin gjyqësor, kaosi në polici edhe mungesa e sigurisë, përkatësisht siguria më e madhe këtu. Unë, një pagë që të bëj një jetë normale e kam pasur në Maqedoninë e Veriut, megjithatë vendosa të vij këtu (Gjermani) të punoj punën që nuk e dua kundrejt punës që kam bërë në Maqedoni, të cilën e kam dashur me zemër dhe e kam bërë me shumë zell”. “Megjithatë vendosa këtu të punoj një punë që nuk e dua për të pasur një jetë më të sigurt. Erdha këtu për të pasur kushte më të mira për shkollimin e djalit tim tre vjeç, sepse nuk doja të përballet me kushtet e këqija në sistemin e arsimit, me të cilat jam përballur unë”, thotë Afrimi.
Brenda dy dekadave numri i qytetarëve të aftë për punë ka rënë për 12.4 për qind, ndërkohë numri i popullsisë në moshën mbi 64 vjeç (koha e pensionit) është rritur për 17.2 për qind si rrjedhojë e ndryshimeve të krijuara gjatë dekadës së fundit nga emigrimi i fuqisë punëtore kryesisht nga të rinjtë. Ekspertët thonë se këta parametra duhet analizuar me seriozitet nga autoritetet e vendit për të hartuar politika të shëndosha. Në të kundërtën, ata thonë se me këtë trajektore me të cilën po ec struktura demografike e Maqedonisë së Veriut nuk mund të pritet zhvillim i fuqishëm ekonomik dhe më kritike mbetet qëndrueshmëria e fondit pensional.
“Marrë parasysh faktin se akoma te ne dominues është sistemi “pay go” që do të thotë se sistemi pensional bazohet te personat e aftë për punë, gjithsesi se këto numra që dolën nga regjistrimi i popullsisë do të ndikojnë në qëndrueshmërinë e sistemit pensional, i cili si tillë kërkon një analizë të veçantë, pasi nevojiten reforma thelbësore që ai të jetë i qëndrueshëm në plan afat gjatë”, thotë profesori universitar, Zoran Ivanovski.
Nga ana tjetër, Drilon Iseni, drejtor i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, thotë për Radion Evropa e Lirë se Maqedonisë së Veriut i duhen politika stimuluese për zhvillimin e bizneseve nga ana e të rinjve, në të kundërtën vendi do të jetë i detyruar të importojë fuqi punëtore nga jashtë. “Një i ri, që të fillojë biznes në Maqedoninë e Veriut e ka shumë të vështirë, pasi infrastruktura ligjore nuk i jep asnjë përparësi, qasja në financa është shumë e limituar për kompanitë ‘start-up’, ndërkohë që është shumë e theksuar në vend konkurrenca jolojale. Prandaj, të rinjtë e kanë shumë të vështirë të fillojnë biznesin e tyre. Qeveria e vendit sa më parë duhet të sjellë politika të veçanta për këtë kategori të njerëzve, si në aspektin e hapjes së biznesit, qasjes në financa, si dhe t’u japë prioritet këtyre kompanive në tenderimet publike, pasi politika të këtilla stimuluese ka në shumë vende”, thotë Iseni.
Radio Evropa e Lirë e ka pyetur Qeverinë, nëse rezultatet e regjistrimit do të imponojnë reforma thelbësore, si ndërmarrja e masave për zgjidhjen e problemit me largimin forcën punëtore dhe me çfarë dinamike do të realizohen ato, por deri në publikimin e këtij teksti, nuk ka marrë përgjigje. Shqetësues mbetet fakti se në të gjitha hulumtimet, përfshirë këtu dhe atë të Forumit Rinor për Arsim gjatë vitit 2021, më shumë se gjysma e të rinjve (58 për qind e të anketuarve) janë shprehur se nëse do të kishin mundësi, do të largoheshin nga Maqedonia e Veriut. (REL)
Lufta Prigozhin - Putin
Më shumëNga Rubrika
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit
Kush ishin dy gratë që dhanë idenë për pajtimin e gjaqeve, tregon bashkëpunëtori i Anton Çettës
Të shtëna me armë në Lupç të Podujevës, katër të plagosur
Ndalohen për 48 orë pesë të dyshuar për rastin e plagosjes në Lupç
Balje: Deklarata e Kurtit për Kodin Civil është provokuese, nuk votoj pro martesave të gjinisë së njëjtë
Prokuroria jep detaje për plagosjen e katër personave në Lupç të Podujevës
Investoni në të ardhmen tuaj – bli banesë në ‘Arbëri’ tani! ID-140
Shitet banesa në Fushë Kosovë në një vendodhje perfekte – 80.5m², çmimi 62,000Euro! ID-254
Ideale për zyre – në qendër të Prishtinës lëshohet banesa me qira ID-253
Bli shtëpinë e ëndrrave tuaja në Prishtinë – ZBRITJE në çmim, kapni mundësinë tani! ID-123
Krijo hapësirën tënde të biznesit – zyre me qira te 4 Llulat – 300€/muaj ID-252
Më të lexuarat
UEFA zbulon lojtarin më të shpejtë për këtë edicion në Ligën e Kampionëve
Zyrtare: Bundesliga me pesë skuadra në Champions duke iu falënderuar Dortmundit
A di të ndalet ky Ronaldo? Çfarë goli me këmbën e majtë
Mohamed Salah thyen heshtjen në rrjetet sociale pas përplasjes që kishte me Jurgen Klopp
Të gjithë po pyesin për ritualin e Bellingham para çdo ndeshjeje – anglezi shpjegon përse e bën
Bajrami: Jam i gatshëm ta ndihmoj Kurtin në procesin e Asociacionit