LAJMI I FUNDIT:

Kriza e çmimeve, Sejko: Ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset

Kriza e çmimeve, Sejko: Ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset

Shqipëria dhe rajoni po përballen me një realitet të ri çmimesh dhe pasigurie në tregjet botërore, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha sot gjatë prezantimit të raportin periodik të Tranzicionit të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Në një njoftim për shtyp, Sejko u shpreh se ekonomia shqiptare do të përballet me kosto shtesë për familjet, bizneset dhe bilancet e sektorit publik, për një horizont jo të shkurtër kohor.

“Si ekonomi të vogla dhe të hapura, ne nuk mund t’u shpëtojmë pasojave të këtij realiteti”, ka theksuar Sejko, duke shtuar se bazuar në informacionin aktual, parashikimet e bankës sugjerojnë se inflacioni pritet të qëndrojë mbi objektiv për pjesën më të madhe të dy viteve të ardhshme.


“Në të njëjtën kohë, marzhet e fitimit të biznesit do të vihen në presion dhe kostot e shërbimit të borxhit do të rriten”, ka thënë Guvernatori.

Në anën tjetër, Sejko ka sqaruar se edhe në prani të krizës, parashikimet e bankës sugjerojnë se vëllimi i aktivitetit ekonomik në vend do të shënojë rritje gjatë vitit 2022.

“Ky parashikim faktorizon – nga njëra anë – supozimin e mospërshkallëzimit të konfliktit dhe – nga ana tjetër – momentin pozitiv me të cilin ekonomia shqiptare hyri në vitin 2022, gjerësinë dhe fortësinë e burimeve të rritjes, si dhe vazhdimin e një miksi stimulues politikash monetare dhe fiskale”, tha Sejko.

Ai ka shtuar se fokusi i autoriteteve publike duhet të jetë i dyfishtë në përballimin e krizës.

“Së pari, politikat ekonomike duhet të mbrojnë nga pasojat e goditjes shtresat më në nevojë të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë. Ky objektiv duhet të përmbushet nëpërmjet një ndërhyrjeje të përkohshme dhe të kujdesshme të politikës fiskale, e cila, në çdo rast, duhet të synojë në maksimumin e mundshëm, të mos përkthehet në rritje të fortë të borxhit publik”, ka shtuar Guvernoatori.

“Së dyti, rreziku që goditja fillestare e ofertës të transmetohet në kosto dhe të përkthehet në pritje për inflacion të lartë në të ardhmen, dikton nevojën e përshtatjes së qëndrimit të politikave ekonomike. Për këtë arsye, autoritetet publike duhet të ribalancojnë objektivin e mbështetjes së rimëkëmbjes ekonomike me rrezikun e dëmtimit të stabilitetit monetar dhe financiar të vendit”, ka shtuar Sejko.

Sipas Guvernatorit, ekuilibri ekonomik dhe financiar është një parakusht i domosdoshëm për rritje të qëndrueshme. Ai theksoi se rritja gjatë muajit të kaluar e normës bazë të interesit sinjalizon vullnetin e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e çmimeve në vend.

Sejko ka shtuar gjithashtu se bizneset duhet të rrisin vëmendjen ndaj kostove operacionale në përgjithësi dhe eficiencës energjitike në veçanti.

“Në të njëjtën kohë, gjej me vend të theksoj se ekspozimi direkt i ekonomisë shqiptare ndaj vendeve në konflikt ka qenë dhe vijon të mbetet i kufizuar”, ka theksuar Sejko.

Duke komentuar raportin e BERZH, Sejko tha se raporti evidenton progres të mëtejshëm, ndonëse gradual, të reformave strukturore në Shqipëri dhe në vendet e rajonit.

“Lajtmotivi i Raportit të Tranzicionit për këtë vit është digjitalizimi. Përballja me pandeminë përshpejtoi trendin e nisur të digjitalizimit të shumë aspekteve të jetës dhe të punës,” ka sqaruar Sejko.

Sipas Guvernatorit, për të nxitur më tej rritjen e aftësive teknologjike, autoritetet rajonale dhe shqiptare duhet të vazhdojnë zbatimin e reformave specifike strukturore, të cilat synojnë mbështetjen e digjitalizimit dhe të inovacionit teknologjik, zhvillimin e mëtejshëm të tregut financiar dhe promovimin e tregut të kapitaleve, si dhe vijimin e reformave strukturore me synim rritjen e konkurrueshmërisë, përmirësimin e qeverisjes, adoptimin e politikave publike të gjelbra, rritjen e gjithëpërfshirjes në proceset ekonomike, forcimin e qëndrueshmërisë së ekonomisë dhe përshpejtimin e integrimit në tregjet rajonale e më gjerë. /Telegrafi/

Në trend Lajme

Më shumë
Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Zbulohen prapaskenat e dhunës në takimin e Edi Ramës me diasporën në Londër

Lajme
Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Qendrat e emigrantëve bosh prej javësh, policia italiane dhe punonjësit socialë largohen nga Shqipëria - The Guardian sjell detajet

Lajme
Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Targat RKS, banorët e Leposaviqit përballen me vonesa për vazhdimin e regjistrimit të automjeteve

Lajme
Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Ngjarja e rëndë në shkollë, flet për herë të parë 14-vjeçari Luis Meçe: Më gjuajti me thikë gjashtë herë

Lajme
Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Policia arreston tre persona te Manastiri i Deçanit, në targa u shkruante “Kosova është Serbi”

Lajme
Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Ura që lidh Ulqinin me Velipojën do të ndërtohet edhe me qeverinë e re malazeze

Lajme
Kalo në kategori