LAJMI I FUNDIT:

Policia ruse arreston edhe fëmijët dhe të moshuarit që vendosën lule në ambasadën e Ukrainës në Moskë

Policia ruse arreston edhe fëmijët dhe të moshuarit që vendosën lule në ambasadën e Ukrainës në Moskë

Pesë fëmijë dhe një grua e moshuar janë në mesin e rusëve që janë arrestuar për protesta kundër luftës në Ukrainë.

Sipas Sky News, përcjell Telegrafi, shtatë-vjeçarët Sonya dhe David, nëntë-vjeçari Matvey dhe 11-vjeçarët Liza dhe Gosha u arrestuan së bashku me nënat e tyre pasi vendosën lule dhe mbanin postera kundër luftës jashtë ambasadës së Ukrainës në Moskë.

Ekaterina Zavizion shkroi në një postim në Facebook se ajo dhe shoqja e saj Olya ishin frymëzuar të shkonin në ambasadë me lule pasi kishin parë një video për bombardimin e Kharkiv, qytetit të dytë më të madh të Ukrainës.


https://www.youtube.com/watch?v=gYTadLIbcGU

Ajo tha se kishte “kuptuar që nuk mund të pretendoj se asgjë nuk po ndodh”.

Zonja Zavizion tha se ajo ishte prekur gjithashtu nga një mesazh nga një mik në kryeqytetin e Ukrainës, Kiev – një “grua paqësore, e sjellshme, e dashur për mua” – e cila kishte frikë për jetën e saj.

Ajo tha se nuk kishte qenë askush në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e saj dhe se, duke e ditur se kishte të ngjarë të arrestohej, ajo kishte vendosur t’i merrte fëmijët me vete në ambasadë, në vend që t’i linte vetëm në shtëpi.

“Unë mendoj se do të ishte më mirë për sigurinë e familjes sime të hesht dhe të mos shkoj askund – por thjesht nuk munda më”, ka thënë ajo. /Telegrafi/