LAJMI I FUNDIT:

Intel dhe AMD kanë ndaluar shitjen e çipave në Rusi

Intel dhe AMD kanë ndaluar shitjen e çipave në Rusi

Si pjesë e sanksioneve, të cilat Shtetet e Bashkuara vendosën ndaj Rusisë, Intel dhe AMD dyshohet se ndaluan furnizimin e çipave të tyre.

Ndërkaq Intel tashmë i ka konfirmuar këto pretendime, ndërsa i njëjti konfirmim pritet edhe nga AMD.

Tajvani ka theksuar më parë se do të marrë pjesë në sanksionet kundër Rusisë, gjë që pengon kompani të tilla si TSMC të shesin çipa në Rusi.


Megjithatë, duket se këtyre sanksioneve do t’i bashkohen edhe prodhuesit amerikanë të gjysmëpërçuesve.

Faqja e internetit e Tom’s Hardware thekson se Intel dhe AMD tashmë kanë ndaluar furnizimin me çipa në Rusi, por deri më tani vetëm Intel e ka konfirmuar këtë. Shoqata e Zhvilluesve Ruse dhe Prodhuesve të Elektronikës (ARPE) gjithashtu ka konfirmuar këtë pezullim.

Këto sanksione pritet të kenë ndikim si te përdoruesit ushtarakë ashtu edhe te ata civilë, pasi çipat Intel dhe AMD përdoren nga të dy grupet.

Ende nuk është e qartë se cilat çipa do të ndalojnë së dërguari në Rusi, por ndalimi duhet të ketë ndikim në të gjithë prodhuesit e gjysmëpërçuesve. Përveç kësaj, kompanitë ruse, të cilat janë shtuar në listën e zezë, nuk mund të blejnë asnjë çip nga kompanitë amerikane. /Telegrafi/