LAJMI I FUNDIT:

Gratë duan të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Gratë duan të jenë pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Qeveria e Kosovës ende nuk ka ndërmarrë ndonjë nismë për përfshirjen e ndonjë gruaje në procesin e dialogut Kosovë-Serbi. Vasfije Krasniqi – Goodman, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, e cila është zgjedhur deputete në Kuvendin e Kosovës, është përmendur nga mediat dhe shoqëria civile se, duhet të jetë pjesë e ekipit për negociata me Serbinë.

Ajo thuhej se është personi i duhur e cila mund të dëshmojë para palës serbe në bisedime për krimet e kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.

Zyrtarët e qeverisë, por edhe disa deputete nga radhët e partisë në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, nuk janë përgjigjur në pyetjen e Radios Evropa e Lirë.


Pyetje për këtë çështje i është drejtuar zëvendëskryeministrit të parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog, Besnik Bislimin, por ai deri në publikimin e këtij raporti nuk ka dhënë ndonjë përgjigje.

Pyetjes nuk i është përgjigjur as Tinka Kurti, kryetare e Grupit të Grave deputete në Kuvendin e Kosovës. Por, deputetja Hykmete Bajrami nga radhët Lidhjes Demokratike të Kosovës, tha se jo që nuk ka deri tash inkuadrim të grave në procesin e dialogut, por nuk është parë as platforma e qeverisë për bisedime.

“Do të dëshironim të ketë një platformë, do të dëshironim që të respektohen rezolutat e kuvendit për raportim para dhe pas takimeve. Edhe natyrisht, unë mendoj se vetëm nderë do të na bënte përfshirja e grave. Unë mendoj se të tilla ka jashtëzakonisht shumë, do të thotë gra të afta të cilat janë marrë me çështjet e dialogut, qoftë nga shoqëria civile, qoftë në ketë rast edhe nga partia e cila është në pushtet. Kështu që besoj që një komponim edhe në aspektin gjinor i delegacioneve që shkojnë në Bruksel veç do të na paraqiste edhe më mirë”, tha Bajrami.

Përfaqësueset e organizatave joqeveritare që mbrojnë të drejtat e grave, Rrjeti i Grave të Kosovës dhe Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, kanë përsëritur kërkesat e tyre për inkuadrimin e grave në procesin e dialogut.

Këto dy organizata thonë se gratë duhet të përfshihen drejtpërdrejtë në dialogun politik Kosovë- Serbi.

Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës, tha se që kur ka nisur procesi i dialogut është kërkuar që gratë të jenë pjesë e ekipeve negociuese.

“Nuk kërkojmë numër, por kërkojmë pjesëmarrje të grave që janë eksperte edhe që të jenë prezente edhe tash në kohën e dialogut. Kemi kërkuar këtë edhe në takim me presidenten (e Kosovës, Vjosa) Osmani gjithashtu i kemi dërguar edhe letër Qeverisë që sidomos ato gra eksperte në fusha të ndryshme të jenë pjesë e dialogut, nëse jo zyrtare, atëherë në grupin e ekspertëve. Por, nuk kemi parë asnjë lëvizje në këto kërkesat tona”, tha Rogova.

Feride Rushiti, drejtoreshë ekzekutive në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), tha se prezenca e një gruaje në procesin e dialogut është e domosdoshme dhe shumë e rëndësishme.

Ajo konsideron se Qeveria e Kosovës, duhet të marrë vendime sa më parë në mënyrë që ajo apo ato të jenë të përgatitur mirë për procesin.

“Zëri i një gruaje në procesin e dialogut do ta pasuronte atë dhe do të jetë një vlerë e shtuar për dialogun. Fuqimisht e përkrah idenë që gratë e Kosovës të cilat tani më janë dëshmuar dhe të cilat arrijnë të kenë rezultate qoftë përmes pozicioneve ku ato janë në qeveri apo në sferat e tjera, mund t’i shërbejnë dialogut dhe mund ta përfaqësojnë interesin e gruas si pjesë e dialogut dhe mund të jenë të fuqishme në kuadër të adresimit të argumenteve dhe fakteve në raport me Serbinë”, tha Rushiti duke shtuar se ekipi i dialogut politik në bisedimet me Serbinë duhet të jetë më gjithëpërfshirës duke bërë pjesë të tij edhe gratë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në deklarimet e saj lidhur me përfshirjen e grave në procesin e dialogut ka deklaruar se “nuk do të ketë dialog të suksesshëm derisa aty të mos dëgjohet zëri i nënave të personave të zhdukur, i nënave të fëmijëve të vrarë, i grave të cilat janë të mbijetuara të dhunës seksuale, zëri i secilës vajzë e grua që e përjetojë tmerrin e regjimit serb”.

Në Prishtinë më 28 korrik, Zyra e Bashkimit Evropian, ka nisur fillimin e projektit “Përfshirja e Grave në Tavolinën e Negociatave”.

Projekti sipas Zyrës së Bashkimit Evropian, synon angazhimin e një grupi të grave lidere me përvoja të ndryshme politike dhe komunitete, në një raund të sesioneve dhe debateve të mësimit dhe ndarjes përvojave.

Me pas do të bëhet një raport i cili bën thirrje për përfshirjen e grave në tavolinën e negocimit. Raporti do t’u dërgohet autoriteteve të Kosovës dhe akterëve të tjerë.

Dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë i cili siç thuhet ka për qëllim normalizimin e plotë të marrëdhënieve mes dy shteteve, ka nisur në mars të vitit 2011, fillimisht në nivel teknik.

Në tetor të vitit 2012, ky proces kaloi nga niveli teknik në atë politik.

Zyrtarët e Bashkimit Evropian që ndërmjetësojnë procesin vazhdimisht u kanë rikujtuar palëve se ky proces është i rëndësishëm edhe për perspektivën evropiane të të dyja vendeve.

Me 19 korrik u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve politike midis Kosovës dhe Serbisë, ku mori pjesë Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksander Vuçiq. /rel/