LAJMI I FUNDIT:

Pesëdhjetë deklarata të Agollit: Deputetët – në Kuvend grindavecë, në kafe mburravecë, në shtëpi përtacë!

Pesëdhjetë deklarata të Agollit: Deputetët – në Kuvend grindavecë, në kafe mburravecë, në shtëpi përtacë!

Përmbledhur nga: Roland Qafoku

Nuk ka një të dytë në Shqipëri që, mes shkrimtarit dhe politikanit, të ketë lënë pas kaq shumë vepra, libra, intervista e prononcime sa Dritëro Agolli. Nga fjalimi në 10 qershorin e vitit 1991, gjatë Kongresit të fundit të PPSh-së, parti që u kthye në PS, te deklaratat e bujshme në Kuvend e në intervista, e deri tek aforizmat që i ngjiste me fjalë të mira në renditjen e tyre më të mirë. Dritëro Agolli ka lënë pas një thesar. Më poshtë janë 50 thënie që janë perla nga mendja dhe dora e tij:

1. Në periudhat më të shtypura, më të zeza, shkrimtarët tanë, dijetarët tanë, kanë qenë demokratë. Merrni, fjala vjen, De Radën, Naim Frashërin, Sami Frashërin, por edhe më parë, edhe Buzukun ta marrësh. Ai, me vetë faktin që Mesharin e bëri shqip, kishte një shpirt demokratik dhe popullor, sepse bëri që njerëzit të luteshin shqip. Me një fjalë, shkrimtarët tanë e kanë pasur si traditë shpirtin demokratik dhe shpeshherë artikujt, e veçanërisht në veprat e tyre, i përshkonte kjo frymë (intervistë, janar 1991).


2. Në fillim, siç ndodhi, veçanërisht, tek ne që 50 vjet, nuk ka pasur pluralizëm, njerëzit edhe u hutuan. Jo njerëzit e thjeshtë, por zyrtarët në përgjithësi. Megjithëse pluralizmi u lejua edhe me mendime dhe të gjitha gjërat, pati hezitime. Domethënë ndihej intolerancë. Këtë duhet ta themi, sepse është reale. Por, tashti, ne këtë periudhë që po kalojmë ne, kjo po thyhet dalëngadalë. Pra, po thyhet intoleranca dhe ne jemi në fillim të një tolerance. Pse është kështu? Sepse vetë këto, Partia demokratike, po e dëshmon se ka shumë përkrahës, se ngre turma të tëra njerëzish dhe ky është një fakt real, i cili nuk duhet të mohohet. Njerëzit janë tepër aktivë, këta që punojnë në PDSh-në janë të rinj, janë plot energji, kanë pasione. Nuk punojnë për hir të karrigeve, sepse nuk kanë. D.m.th., në këtë anë, do apo s’do të jesh tolerant të bën të jesh i tillë, dhe toleranca shihet. Ka edhe gjëra të papëlqyeshme, por, në përgjithësi, tolerancën e ka fituar vetë opozita e nuk i erdhi ajo si dhuratë nga dikush (intervistë, janar 1991).

3. Për Partinë Demokratike thoshin pse po e ngre problemin e bashkimit etj. Disa Shqipërinë e akuzojnë shumë, duke thënë se është vend i prapambetur, e godasin tepër në vend që të shohim se ç’bënë Evropa me Shqipërinë, si do ta përkrahë këtë proces, sepse gjatë historisë Evropa na ka ndihmuar fare pak. E kishim fjalën për Fishtën më lart dhe Fishta ka vjersha shumë të forta, të cilat bëjnë fjalë për Evropën. Ai e qorton atë pse nuk i ndihmon Shqipërisë dhe pse ajo, Evropa, kë s’e ndihmoi, por jo edhe Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilëve ua thotë vetëm të ligat. Shihet qartë, prandaj, se disa qarqe, disa gazetave e revistave te vendeve të ndryshme, iu mungon dashamirësia ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve. Por, qarqet dhe gazetat e tilla janë të pakta kundra atyre që janë dashamirë të Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Vlerësuar në përgjithësi, bota përparimtare dhe demokratike, proceset e reja në Shqipëri i shikon pozitivisht. Mendoj dhe unë, siç mendojnë edhe shumë të tjerë, prandaj edhe ata që i vlerësojnë pozitivisht proceset demokratike në vendin tonë, se Shqipëria do të rilindë. (intervistë, janar 1991).

4. “Letërsia e sotme i ngjan një letre që e kanë lidhur fëmijët në bishtin e maçokut: maçoku ynë shtetëror vrapon, kurse në bisht tundet letra. Kjo letër, në të cilën lavdërohen trimëritë dhe bëmat e maçokut, është gjithë e vërteta” – Mikhail Prishvin (shkrimtar rus, 1873-1954) (në shënimet e tij, 1989).

5. Asnjë diktaturë nuk gjen dot armë për të vrarë letërsinë e vërtetë.

6. Ajo fëmija e vogël në çerdhe apo në kopsht, që duartrokiste Parti-Enver, nuk e dinte se kurrë nuk do të bëhej poet, inxhinier, mësues, shkencëtar, pasi gjyshi i saj nuk kishte qëndrim të mirë moralo-politik. Lufta e klasave, në fakt, ishte luftë biologjike nga më të përbindshmet që ka njohur historia e popullit shqiptar (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).

7. Çdo popull ka nevojë t’i besojë një shenjti dhe kështu u krijua shenjti Enver Hoxha. Ai hyri në çdo shtëpi me fotografi, buste, kalendarë, që viheshin në vende të dukshme duke përzënë fotografitë e prindërve dhe fëmijëve. Bile, në çdo festë kombëtare a intime siç janë dasmat, shëndeti i parë ngrihej për partinë dhe Enver Hoxhën” (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).

8. Mua më vjen keq për gabimet e PPSh-së, sepse kam 40 vjet që aderoj në këtë parti ku kam lënë rininë time të pakthyer, kam lënë vitet me ëndrra dhe shpresa (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).

9. Si të gjithë poetët më të shquar shqiptarë, që nga Ismail Kadareja e me radhë, unë i kam kënduar idealeve dhe ëndrrave të kësaj partie, ideale dhe ëndrra që pak u bënë realitet. Por, ka kohë që e kam kuptuar gabimin tim në këtë besim dhe veçanërisht, sot, pohoj i zhgënjyer se duhet hequr dorë krejtësisht nga rruga e gabuar, rrugë që e shpuri shqiptarin në mjerim duke ia ulur dinjitetin dhe krenarinë kombëtare (10 qershor 1991, kongresi i PPSh-së).

10. Politikanët duhet të sillen si kalorësit. Kur nis një bashkëbisedim apo bashkëpunim me palën tjetër, njerëzit e kanë në majë të gjuhës që të nisin dhe komentojnë se ai ra në prehrin e kundërshtarit, gjë që është e trishtuar ta thuash (“Panorama”, 21 nëntor 2011_.

11. Ka një tendencë që të rinjtë blejnë në panairin e librit, kryesisht, libra politikë. Kjo tregon se rinia nuk është jashtë politikës dhe nuk është vetëm për libra zbavitës apo dhe për disko dhe pabe, por edhe e zonja të lexojë libra politikë. Mua më vjen shumë keq që disa zëra thonë se librat politikë na prishin punë. Ata duhet të gëzohen se kjo ka një arsye, se libri duhet të jetë real dhe të prekë problemet reale të shoqërisë tonë (“Panorama”, 21 nëntor 2011).

12. Tani që ndodhi bojkoti i socialistëve ndaj kuvendit, po më vijnë në mend edhe ato që kanë bërë ata të PD-së. Edhe ata nuk duhet të harrojnë se kanë bojkotuar (“Panorama”, 14 tetor 2010)

13. Nëse nuk ka protesta dhe nuk ngrihet një zë, atëherë nuk ka demokraci, por diktaturë (“Panorama”, 14 tetor 2010).

14.Është krijuar ideja sikur jemi dy shtete brenda një shteti. Në Shqipëri mendojnë njerëzit se do bëhen dy shtete. Me këtë pamje që i jepet politikës, duket sikur kemi një shtet të opozitës dhe një shtet të pozitës (“Panorama”, 14 tetor 2010)

15. Opozita duhet t’i japë dorën mazhorancës, por jo t’ia puthë asaj (“Panorama” 21 nëntor 2011).

16. Sido që të jem, unë jam socialist dhe nuk ka burrë që të ma kthejë mendjen të hidhem si karkaleci nga një parti në tjetrën (“Panorama”, 21 nëntor 2011).

17. Në Shqipëri ka pesë stinë: Pranvera, Vera, Vjeshta, Dimri dhe Politika. Ndërsa katër të parat qëndrojnë nga tre muaj secila, stina e Politikës nuk lëviz, për 12 muaj.

18. Deputetët janë njerëz të veçantë, që në Kuvend kuvendojnë me stilin e grindavecit, në kafe me stilin e mburravecit dhe në shtëpi me stilin e përtacit.

19. Shumë ujqër bëjnë një lukuni, shumë njerëz një turmë. Po shumë dhelpra? Nuk bëjnë as lukuni, as turmë, pasi nuk gjuajnë bashkërisht si ujqit dhe njerëzit.

20. Shkrimtarët duhet të flasin më me gjakftohtësi, më me argumente dhe pa u nxehur. Unë mendoj se shkrimtarët që i tremben kritikës, vënë në dyshim krijimtarinë e vet, nuk kanë besim tek krijimtaria e tyre. Kur shkrimtari boton një vepër, apo kur boton një diskutim, nuk është më pronë e tij, por është pronë e lexuesve. Dhe lexuesi, ka të drejtë të thotë çdo gjë për të. Nuk është pronë, që ta mbrojë medoemos ai. Fjala vjen, Naim Frashëri, Fishta, Mjeda, Migjeni, Esad Mekuli, et.j, nuk kanë tani shokë, kushërinj, apo dikë që mund t’i mbrojë. Ata i mbron vetë lexuesi. Kurse shkrimtarët e gjallë, kanë miq, shokë, kushërinj që i mbrojnë. Shkrimtari duhet ta mendojë veten edhe pas 50 vjetësh, kur të mos ketë shokë, kur të mos ketë simpatizantë të gazetave. Çka do të bëjë ai pastaj? Kush do ta mbrojë? Do ta mbrojë vetëm vepra e vet (“Radio Kosova”, 2006)

21. Mendoj se duhet të ndryshojë mënyra dhe stili i polemikave tona. Unë nuk e kam zakon të shprehem ashpër nëpër polemika. Por, sidoqoftë, Rexhep Qosja është një personalitet i madh i kulturës sonë. Një njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe. Jo vetëm veprën që analizon traditat tona, rilindësit etj., por edhe polemikat e tij të forta me serbët, me historianët e tyre, me shkrimtarët e huaj, jo vetëm të Ballkanit. Rexhep Qosja është njeri me përvojë të madhe dhe njeri me kulturë të gjerë. Është personalitet që çdo komb tjetër po ta kishte, do të krenohej me të. Sado të hidhet baltë mbi këto personalitete të larta të kulturës sonë, nuk kanë çka t’i bëjnë. Nuk mbulohet Mali i Sharrit, me një grusht dhé (“Radio Kosova”, 2006).

22. Unë, tani, shpejtoj t’i them të gjitha ato që nuk i kam thënë, pasi vitet vrapojnë dhe nuk dua t’i marr me vete në varr gjërat që mund t’ua lë të tjerëve, përpara se të mbyll sytë. Është koha e fjalës së lirë, sado me të meta. Në kohën e kësaj fjale të lirë, shkrimtari i vërtetë mund të bëjë çudira .Shkrimtarët mediokër, që sot mezi botojnë një broshurë, janë për kohën e totalitarizmit të shkuar, kur merrnin leje krijuese dhe botonin pa ndonjë vështirësi . Por sot ata nuk janë. Ata kot më shajnë dhe kot mburren se paska ardhur koha e tyre . Vërtet ka ardhur koha e tyre, por ka ardhur për britma dhe sharje, jo për letërsi . Për letërsi të vërtetë koha ka ardhur për mua. (“Aleanca” 19 tetor 1996).

23. Kalimi nga humori në sarkazëm, nuk është regres, përkundrazi është progres. Unë jam bërë t’i lexoj gazetat zyrtare me maskë antigaz, pasi kanë shumë helm ndaj meje. Mendimi im është i dytë, i një tjetri i parë, i një tjetri i tretë. Atje ku poshtërohet mendimi i dytë, sëmuret mendimi i parë. Këtë gjë të thjeshtë të pluralizmit, mjaft gazeta e gazetarë nuk e kuptojnë (“Aleanca”, 19 tetor 1996).

24. Po të lexosh gazetat vjen në këtë përfundim: Pluralizmi shqiptar është turmë bajraktarësh në grindje për marrjen e kalasë (“Aleanca”, 19 tetor 1996)

25. Shpesh, shtypi shpie ujë të ndotur në pemën e demokracisë. Atëherë demokracia është një lopë ku partitë grinden duke e mjelë. Kështu që nuk mund t’i shpëtosh sarkazmës . Madje, edhe sikur të mos jesh marrë kurrë me sarkazëm, ka momente në jetë që të shpien drejt saj në mënyrë të pavetëdijshme . Unë kam një mik që kurrë nuk ka bërë humor, dhe asnjëherë nuk ka përdorur sarkazmën. Papritur, një mbrëmje, duke parë televizorin, tha me vete me zë të lartë: “RTV-ja është pasqyrë ku bën tualet ai që ka fuqinë” Ç’t’i thuash këtij? (“Aleanca”, 19 tetor 1996)

26. Për të parë të nesërmen duhet të jetosh të sotmen dhe të kujtosh të djeshmen.

27. Në jetën tonë, fatkeqësisht, ka ende mjaft çmenduri, pasi nga livadhet e djeshme kanë mbetur nëpër rrëza shumë gomarë të tërbuar . Dhe siç thotë H. Hajne:”Nuk ka kafshë më të tmerrshme se gomari i tërbuar”. Një herë, dy gomarë të tillë të tërbuar, takuan para një lisi një njeri dhe e kërcënuan: “Hip në lis, se të vramë!” Njeriu hipi në lis. Dy gomarët e tërbuar i thirrën: “Zbrit, se të premë!” Dhe që nga ajo kohë mbeti thënia: “Hip se të vrava, zbrit se të preva!”. Edhe shpifja është një çmenduri, por e ndërgjegjshme. Ajo ka të njëjtën alternativë që paraqesin dy gomarët e tërbuar: “Hip, se të vrava; zbrit, se të preva!”

28. Realizmi socialist ishte një metodë dogmatike letrare që ka ekzistuar vetëm në teorinë dhe kritikën letrare dhe në historinë e letërsisë – vetëm në shkrimtarët minorë dhe skematikë. Në fakt, realizmin socialist e përqafuan plotësisht shkrimtarët skematikë të gjysmës së dytë të viteve 40-të, dhe ata të viteve 50-të. Në përgjithësi, në këto vite ishte përqafimi masiv i realizmit socialist, i shtyrë nga entuziazmi spontan dhe i pavetëdijshëm për krijimin e një shoqërie të re dhe i një kulture të re proletare.

29. Në këtë metodë të realizmit socialist, u futën shkrimtarët entuziastë që vinin nga klasa punëtore dhe fshatarësia, të cilët, në fakt, ishin punonjës që nxiteshin për tu bërë shkrimtarë, që të përmirësonin strukturën e shtresës sociale të krijuesve . Këta duheshin si besnikë, për t’u bërë të nesërmen shefa dhe drejtues të sferës së artit në KQ të Partisë, në shtëpitë botuese, në redaksitë e revistave dhe gazetave, në RTV, në pallatet dhe shtëpitë e kulturës, në bibliotekat, në komitetin e kulturës dhe arteve, në komitetet e partisë në rrethe, në teatrot dhe kinostudio. Këta ishin një kategori njerëzish gjysmë nëpunësish dhe gjysmë shkrimtarësh . Për këta, realizmi socialist ishte një komoditet dhe një lehtësim botimi. Me këtë nuk dua të them se edhe shkrimtarë të mirë e të nderuar nuk kanë shkruar vepra skematike, veçanërisht vjersha të veçanta, reportazhe apo artikuj. Këto edhe unë vetë, që po flas, i kam shkruar dhe botuar . Por kjo nuk ishte një tendencë kryesore. Ishte një sëmundje e kohës.

30. Realizmi socialist ka qenë jashtë letërsisë së vërtetë shqiptare dhe nuk është përqafuar nga shkrimtarët e mirë. Ne duhet të dallojmë letërsinë e krijuar në socializmin real dhe metodën e realizmit socialist .Këto janë dy gjëra të ndryshme, që shpesh ose nga injoranca ose nga nihilizmi identifikohen, duke thënë se letërsia socialiste është letërsi e realizmit socialist . Budallenjve një ngatërrim i tillë u falet, por të mençmëve nuk u lejohet .”Nga shkrimi “Marrëzitë në jetë, më kanë shpëtuar nga marrëzitë në letërsi (Dritëro Agolli, 1995).

31. Shqipëria dhe letërsia shqipe ka vetëm një kandidat për çmimin “Nobel”. Ai është Ismail Kadare dhe atij i takon edhe kandidimi, por edhe fitimi i këtij çmimi. Unë nuk mund të jem një kandidat i dytë nga Shqipëria për këtë çmim”. (“Tirana Observer”, 2006, pas propozimit për të qenë edhe Dritëro kandidat për çmimin Nobel).

32. Nomenklaturat e vërteta letrare nuk prishen. Është si në natyrë .Nomenklaturat e natyrës nuk ndryshohen. Nuk mund t’u thotë mali lisave:”Tani do t’ju zëvendësoj me shkurret, pasi shkurret kanë vuajtur shumë; janë bërë me pluhur dhe janë përmjerr; si të tilla kanë biografi të mirë, kurse, ju lisa, kini qenë të privilegjuar dhe keni zënë vendet më të preferuara . Ikni ju lisa, dhe të vijnë shkurret “.Kjo nuk mund të ndodhë në natyrë. Letërsia është natyrë.

33. Shkrimtari duhet të jetë, gjithmonë, një lexues nga më të mëdhenjtë, që të jetë në kontakt gjithmonë me zhvillimin e letërsisë së vendit, por edhe të huaj. T’i njoh mirë teknikat e reja, zhvillimin e këtyre teknikave, zhvillimin e kësaj teknologjie të re të të shkruarit, por, gjithmonë, në funksion me ato të psikologjisë së vendit të vet (“Radio ‘Blu Sky’”, 3 janar 2012).

34. Shumë pleqve nuk u mbyllet goja. Pleqtë janë llafazanët më të mëdhenj. Unë, kur isha i ri, nuk fjalosesha shumë, tashti jam bërë shumë llafazan, por edhe grindavec, edhe për gjëra të tjera të jetës që ka njeriu. Dyshoj shumë… (Fjalim në Akademinë e Shkencave, në 80-vjetorin e lindjes, 2011).

35. Ka njerëz që ecin me këmbë. Ka që me këmbë të shtypen. Ka njerëz që hanë bukë me dhëmbë. Ka që me dhëmbë të mbytin. Ka njerëz që puthen me buzë. Ka që me buzë pështyjnë. Ka njerëz që flasin me gjuhë. Ka njerëz që me gjuhë të ndyjnë.

36. Çdo ditë e më shumë, më ngjan mjaft e vërtetë thënia e Konicës së madh: “Bijtë e shqipes nuk merren vesh me bijtë e gjarprit.

37. Ka gazeta tek ne, që nuk janë të mbushura me shkronja, por me miza të ngordhura nga helmi i letrës së vetë gazetës.

38. Çdo vend ka dy letërsi: njëra që merr kredi nga populli dhe ia kthen me këste, dhe tjetra që nuk shlyen asnjë këst.

39. Personazhet e mia janë të shumtë, të qëmtuar nga jeta e përditshme. Disa i kanë rezistuar kohës e disa jo. Ai që ndeshet edhe sot, është Zyloja. Sot ka shumë Zylo të paaftë që i rëndojnë vendit të punës, bëhen pengesë për progres dhe duhen zëvendësuar” (intervistë, tetor 2012).

40. U futa në politikë me idenë të kontribuoja për të mirën e vendit dhe demokracisë. Jam zhgënjyer nga politika. Janë të paktë ata politikanë që bëjnë politikë të ndershme. Si gjithë popullit edhe mua më vrasin sytë ata politikanë që vetëm flasin, e nuk bëjnë vepra në dobi të popullit (intervistë, tetor 2012).

41. Kur kalojnë vitet frika më e madhe e shkrimtarit, është dembelizmi dhe indiferentizmi. Këto e vrasin atë (intervistë, tetor 2012).

42. “Rexhep Qosja duhet të jetë një pikë referimi për studiuesit e rinj. Mendimet e tij të hedhura në letërsi dhe në albanologji, janë të pakrahasueshme dhe të paarritshme. Dhe mendimet që ai jep për aktualitetin, janë të qëlluara. Është këshillues i mirë. Edhe kur flet dhe jep këshilla për ngjarje dhe situata politike është racional, dhe, për më tepër, i thotë me një leksik të pastër gjuhësor dhe letrar. Duhet të dëgjohen mendimet e tij, është intelektual që nuk e ndesh shpesh. Është njeri që i ka dhënë shumë Shqipërisë, veçanërisht trevave të Kosovës, me veprën e tij të madhe (intervistë, 2015).

43. Edhe Ismail Kadare është personalitet i dalluar. Veprat e tij kanë folur për të më shumë se kushdo. Ai është një përfaqësues i denjë i vendit në botë. Ndërsa, sa i takon kritikave ndaj tij, jam i mendimit që asnjë kritikë nuk mund të dëmtojë imazhin e tij. Kadareja nuk mund të dobësohet nga kritikët e ndryshëm (intervistë, 2015)

44. Ibrahim Rugovën e kam njohur qysh herët. Ishte njeri i urtë, dhe shumë i mendueshëm kur fliste. Në çdo takim që kam pasur, kemi diskutuar për çështjen shqiptare, por dhe letërsinë në përgjithësi. Njihte letërsinë botërore, franceze dhe atë ballkanase. Kishte kulturë të gjerë. Dinte të dëgjonte dhe kjo ishte një armë e fortë e tij. Disa herë që e kam takuar, kemi diskutuar, përveç letërsisë, edhe për situatën në Kosovë. Më ka treguar shumë gjëra për Kosovën e asaj kohe. Nuk kishte shumë informacion se çfarë po ndodhte në Kosovë dhe pse unë vazhdimisht kam pasur takime me shkrimtarë të Kosovës dhe më njoftonin” (intervistë, 2015).

45. Sali Berishën e kam njohur shumë herët. Madje, në shtëpinë e tij në Viçidol, më është bërë një pritje tepër bujare, nga pritjet më të veçanta. Jam ndjerë shumë i vlerësuar nga mënyra se si i prisnin njerëzit në atë anë. Ndërsa, personalisht për mua, ai është një nga njerëzit më lexues që kam takuar. Ishte gati e pamundur, ta shihje Berishën pa libër në dorë. Nuk ka lënë vepër timen, por dhe të autorëve të tjerë në atë kohë pa lexuar. Sa herë që e kam takuar kemi diskutuar për autorë dhe libra të ndryshëm. Ishte lexues i përkushtuar. Nuk para e gjen shpesh entuziazmin e tij. Sali Berisha edhe si mjek, ka qenë i përkushtuar. Më është i dhimbsur që e la profesionin e mjekut, sepse ishte i talentuar. Ndërsa sa i takon politikës, ky është kapitull që duhet diskutuar. Ai ka treguar se është politikan impulsiv dhe ia ka dalë falë këmbënguljes. Vetëm një gjë nuk ia fal. Si mjek që ishte, duhet të kishte bërë spitale luksoze dhe duhet t’i kishte dhënë më shumë prioritet arsimit (intervistë, 2005).

46. Lulzim Basha është djalë i kulturuar. Unë e kam uruar dhe kur fitoi në zgjedhjet lokale para katër vitesh, edhe pse socialistët u mërzitën për deklaratën time. Por, unë si shkrimtar, dhe duhet t’i motivoj të rinjtë që futen në politikë për të kontribuar ndaj vendit. Duhet të heqim dorë nga inatet dhe ndarjet politike. Është koha që të ulen tonet dhe të bashkëpunojnë të gjithë intelektualët, për të mirën e vendit. Rezultatet kanë treguar se politikanët shqiptarë, në këto 25 vite, kanë qenë shumë grindavecë. Do të kishim ecur më shumë nëse s’do të kishin parë interesin personal. Unë i kam njohur shumë prej politikanëve dhe çuditem kur shoh që këta personalitete që me formimin e tyre kulturor janë për tu admiruar, në politikë sillen krejt ndryshe. Kush e di, politika ndoshta dikton të tjera rregulla. Ndoshta.

47. Lulzim Basha është një djalë i zgjuar, njeri që di më shumë dhe ka studiuar dhe punuar jashtë. E kam takuar dhe është një djalë i kulturuar. Për mënyrën se si po e bën kryetarin e opozitës, po më pëlqen. Ai duhet të synojë që të ndryshojë gjërat duke bashkëpunuar me qeverinë. E ka kapacitetin për ta bërë këtë. Ai ka këmbëngulje që t’u qëndrojë ideve të tij. Unë mendoj se ai, deri tani, nuk është për t’u kritikuar, sepse ka të tjerë që nuk kanë ide, hidhen nga një pozicion te tjetri. Ndërsa ai e ka të qartë se çfarë po bën. (intervistë, 2015).

48. Edi Ramën e kam ndjekur gjatë viteve ’90 kur shkruante, por edhe më pas. Ka stilin e tij dhe më ka pëlqyer. Librin e tij “Kurbani” nuk e kam lexuar. Më ka bërë përshtypje gjithnjë e folura e tij. Rrezaton kulturë. Ndërsa si kryeministër duhet vlerësuar për përpjekjen për t’i rregulluar gjërat. Iniciativa nuk i mungon. Pastaj, çdo gjë do kohën e vet. Edhe Rama reflekton dhe transmeton botë të pasur. Është artist dhe duhet të shfrytëzojë këtë pjesë dhe në politikë. Ai ka një rol frymëzues dhe po synon të sjellë në politikë parimet dhe vlerat të cilat i ka përvetësuar (intervistë, 2015).

49. Erion Veliaj është djalë që ka energji. Po ta përdorë entuziazmin që ka treguar në fushatë dhe në angazhimet e tij të mëparshme dhe në krye të Tiranës, do të jetë premtues. Ai ka kërkuar gjithmonë transparencë kur ishte në lëvizje. Po të jetë transparent siç ka kërkuar kur ishte në opozitë, bashkia do të ndryshojë. Duhet ta bëjë këtë përpjekjeje. Ai fillimisht ka nisur të pastrojë gjithçka ka gjetur, pastaj të hyjë në veprime konkrete për të rregulluar gjërat e mëdha. Në çdo nismë si fillim, ndërtohet rruga, hiqen ferrat, mbeturinat, pastaj me radhë… Por unë do të thosha që të mos mundohet të ndërtojë të gjithë qytetin menjëherë, por të ndërtojë gradualisht qytetin (intervistë, 2015).

50. Si në Shqipërinë zyrtare, si andej nga Shqipëria tjetër, Kosova, po kalojmë në momente që mezi i kemi pritur me shekuj. Tani ka ardhur koha që politika ta çojë këtë lloj mundësie në një fazë tjetër, në një kapitull të ri. Duhet të bëhen bashkë të gjithë intelektualët për të ndihmuar forcimin e shtetit, si këndej dhe andej. Politika e re duhet të ketë synim bashkimin e vendeve tona, si nga ana politike dhe në atë ekonomike dhe kulturore. Duhet të lihen anash sharjet dhe gjuha e ashpër që shohim çdo ditë në media. Kuvendi duhet të jetë arenë e prodhimit të ideve dhe mendimeve përparimtare. Nuk vjen asnjë përfitim nga përçarja (intervistë, 2015).

Në trend Kultura

Më shumë
Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare

Kulture
ASHIK QERIBI

ASHIK QERIBI

Fjala+
Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjalimi i Skënderbeut!?

Fjala+
GJUHA SHQYPE

GJUHA SHQYPE

Poezi
Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kush e hartoi alfabetin e gjuhës shqipe?

Kulture
Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Historia e çuditshme dhe befasuese e këngës “Non, Je ne Regrette Rien”

Kulture
Kalo në kategori