LAJMI I FUNDIT:

Fuqizimi i grave në Kosovë vetëm gjatë fushatave

Fuqizimi i grave në Kosovë vetëm gjatë fushatave
Foto ilustruese

Krijimi i vendeve të reja të punës dhe përmirësimi i kushteve për gratë që punojnë në sektorin privat, janë kërkesat e disa grave të anketuara në Prishtinë drejtuar subjekteve politike që garojnë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 14 shkurtit.

Hana Ademi, qe 11 vjet ka përfunduar Fakultetin Ekonomik në Prishtinë dhe është e papunë. Nga qeveria e krijuar pas zgjedhjeve, ajo kërkon hapjen e vendeve të reja të punës.

“Të hapen vende të punës dhe pagat mujore të nivelizohen. Jo dikush të marrë pagë të madhe dhe dikush tjetër shumë të ulët ose të rri në shtëpi”, tha Ademi.


Edhe Shpresa Berisha qe 11 vjet ka përfunduar studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Ajo tregon se asnjëherë nuk e ka ushtruar profesionin e saj, por herë pas herë ka punuar në sektorin privat.

“Unë kam aplikuar në konkurse disa herë, por nuk kam arritur të punësohem, për shkak se gjithmonë ata që kanë familjarë në pozita arrijnë të punësohen. Kjo duhet të rregullohet nga qeveria e ardhshme”, tha Berisha.

Ndërkaq, Linda Krasniqi kërkon nga qeveria e ardhshme që të monitorojë më shumë sektorin privat, në mënyrë që të kontrollojë zbatimin e Ligjit të punës.

“Në sektorin privat, pronari për gabimin më të vogël të largon nga puna. Kjo është e padrejtë. Duhet të ndëshkohen ata që nuk respektojnë punëtorët”, thekson ajo.

Tri subjektet politike të cilat kanë kandidatë që garojnë për të siguruar mandatin e kryeministrit të vendit dhe për të udhëhequr me qeverinë e ardhshme, janë Lëvizja Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Partia Demokratike e Kosovës.

Krijimi i vendeve të reja të punës, vendosja e kuotës së punësimit për gratë në sektorë të administratës publike, pushim të ndarë prindërorë me qëllim të aktivizimit të gruas në tregun e punës, garantim të pronës së trashëguar në familjet e tyre, banim të përballueshëm për çiftet e reja, zero tolerancë ndaj dhunës, janë vetëm disa nga zotimet e subjekteve të mëdha politike në fushatën për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Rogova: Prioritet zbatimi i Ligjit për barazi gjinore

Pikërisht duke u nisur nga këto premtime, Igballe Rogova nga Rrjeti i Grave të Kosovës, tha se avancimi i barazisë gjinore ka qenë premtim në të gjitha fushatat zgjedhore, por asnjëherë pas krijimit të qeverisë, nuk është zbatuar.

“Pozitën e gruas, në çdo fushatë partitë politike e kanë keqpërdorur, duke premtuar se do të bëjnë çmos për përmirësim të pozitës së gruas. Gratë duhet të punësohen me përkrahje të qeverisë dhe jo të përmenden shtesat e fëmijëve. Ne do të duartrokasim cilëndo qeveri që do të zbatojë Ligjin për barazi gjinore”, tha Rogova.

Jeta Krasniqi nga koalicioni i organizatave për vëzhgimin e zgjedhjeve Demokracia në Veprim, thotë se premtimet për gratë nga partitë politike po bëhen për të siguruar numër më të madh të votave, pasi gjysma e popullsisë në Kosovë janë gra, dhe jo për realizim të premtimeve.

Ajo madje thotë se sa është i rëndësishëm roli i grave për partitë garuese në zgjedhje po shihet në fushatën zgjedhore, ku nuk po i jepet hapësirë grave për t’u paraqitur para elektoralit.

“Pesë ditë të fushatës shohim se vetëm 27 për qind e folësve apo kandidatëve që iu kanë drejtuar qytetarëve në këto aktivitete zgjedhore kanë qenë gra. Pra, ende nuk e shohim që ka një përfaqësim të barabartë apo që gratë kanë hapësirë të njëjtë për t’iu treguar qytetarëve se çfarë do bëjnë ato nëse zgjidhen deputete për të drejtat e grave”, thekson ajo.

Marrë parasysh praktikat e deritashme të fushatave zgjedhore të subjekteve politike dhe zotimeve të tyre për realizimin e programeve, Krasniqi shprehet skeptike në përmbushjen e tyre.

Subjekte politike edhe në zgjedhjet e kaluara parlamentare të mbajtura 6 tetor, 2019 kishin premtuar rritjen e numrit të grave në punësim, shtesa për fëmijë, subvencione për bizneset fillestare, garantim të pronës së trashëguar në familjet e tyre, e që sipas organizatave joqeveritare që merren më të drejtat e grave, nuk janë zbatuar.

Në Kosovë vetëm 14.4 për qind e grave punojnë, kurse niveli i punësimit te burrat është 46.2 për qind./rel/Telegrafi/