LAJMI I FUNDIT:

Menaxhimi i rrezikut në biznes

Menaxhimi i rrezikut në biznes

Paramendojeni veten se jeni një alpinist që po ngjitet lartë një shkëmbi të thepisur, e se për këtë ndërmarrje siguroheni nga një litar që ju mbron prej të gjitha rreziqeve. Por, dihet, tregu nuk ofron litarë të tillë dhe aktiviteti juaj mbartë shumë rreziqe për të cilat që në start duhet të jeni të vetëdijshëm. Kështu, çdo veprim i juaj do të jetë si një proces i menaxhimit të rrezikut.

Njerëzit dhe organizatat e kohëve moderne nuk mbështeten më në traditat dhe besëtytnitë e lashtësisë. Për çdo veprim dikur p.sh. thuhej: “Le t’del ku t’del” apo “n’dorë t’Zotit”! Por, sot jemi më racionalë dhe aftësitë tona për ta identifikuar rrezikun janë shtuar, duke qenë përherë më të informuar e më të aftë për t’i marrë vendimet e duhura.


Zhvillimi i biznesit varet edhe nga aftësitë për ta menaxhuar rrezikun, duke i identifikuar dhe duke i përcaktuar mënyrat se si duhet trajtuar atë. Rreziku është pjesë e pandashme e çdo biznesi e kjo ndikon në të gjitha operacionet dhe aktivitetet e saja. Por, organizata të suksesshme sot janë ato që kanë aftësi për t’i menaxhuar rreziqet para se ato ta cenojnë reputacionin dhe aftësinë e organizatës për të vepruar.

Që një organizatë të përcaktojë objektivat e saj, duhet t’i kuptojë rreziqet që lidhen me modelin e caktuar të biznesit. Organizatat guxojnë t’i pranojnë vetëm rreziqet që ndihmojnë në arritjen e objektivave kryesore, duke i mbajtur nën kontroll të gjitha rreziqet tjera.

Në lidhje me menaxhimin e rrezikut në biznesin tuaj, do të ndaj me ju disa udhëzime që bazohen në standardin ndërkombëtar ISO 31000:2018.

1. Identifikimi i rrezikut: Hapi i parë – thelbësor e më i rëndësishmi i procesit të menaxhimit të rrezikut.

2. Analiza e rrezikut: Domosdoshmëria që organizatat ta analizojnë rrezikun, duke e identifikuar ndikimin që mund ta ketë në veprimtarinë dhe hapat që duhet ndërmarrë – pa e cenuar biznesin e organizatës.

3. Vlerësimi i rrezikut: Organizata duhet ta kategorizojë nivelin e rrezikut, duke i përcaktuar gjasat se sa herë ai rrezik mund të ndodhë, në cilat intervale kohore dhe për cilat arsye.

4. Trajtimi i rrezikut: Meqë rreziku gjithmonë është i pranishëm, organizatave u mbeten disa opsione për ta trajtuar atë. P.sh., organizatat vendosin ta pranojnë, ta shmangin, ta minimizojnë, apo ta bartin tek palët e treta. Dhe, në fund, mbetet tek ju të vendosni se sa mund të investoni në parandalimin dhe përmirësimin e pasojave që mund të shkaktohen nga rreziqet potenciale.

5. Monitoroni dhe rishikimi i rrezikut: Kjo është pjesa strategjike e procesit të menaxhimit të rrezikut që duhet të përfshijë kontrollin dhe vëzhgimin sistematik. Rezultatet vazhdimisht duhet të dokumentohen tek menaxhmenti.

Si përfundim, ju duhet ta keni një plan efektiv të menaxhimit të rrezikut – për t’i vlerësuar e zbutur ndikimet, duke intervenuar në bazë të një plani paraprak. Sepse, një plan i tillë efektiv i menaxhimit të rrezikut mundëson rritjen e një biznesi dhe siguron qëndrueshmëri të organizatës.

(Autori është themelues/CEO i kompanisë “Be Consulted”)