LAJMI I FUNDIT:

Pse po dekonspirohen dhe dëbohen spiunët rusë nëpër botë?

Pse po dekonspirohen dhe dëbohen spiunët rusë nëpër botë?

Lituania është vendi i fundit që njofton se ka shkatërruar një rrjet të spiunëve në tokën e saj. Pretendimi se dy qytetarë po spiunonin për Rusinë, vjen disa javë pasi autoritetet holandeze kapën një tjetër rrjet spiunazhi të Kremlinit.

Kanë qenë disa muaj jo të qetë për operacionet e spiunazhit të presidentit rus Vladimir Putin, i cili vazhdon të kapet në flagrancë.

Është e paqartë nëse ky varg i arrestimeve të fundit, “hedhin në erë” misionet e jashtme të Rusisë dhe është thjesht një rastësi, apo nëse ka pasur një lloj dekonspirimi nga brenda agjencive famëkeqe të inteligjencës ruse.


“Ka një lloj depërtimi. Pavarësisht nëse ky depërtim është relativisht i ri apo i vjetër, nuk e di, por duket se u mor një vendim i duhur për ta përdorur atë, pra për të ngadalësuar operacionet ruse”, tha për Daily Beast, Andrei Soldatov, një nga gjurmuesit më të informuar rus të agjencive të sigurisë, përcjell Telegrafi.

Deri tani, zbulimi më i madh i një operacioni të fundit rus jashtë vendit, ishte sulmi masiv kibernetikë kundër qeverisë amerikane dhe ueb faqeve të disa kompanive, i zbuluar në muajin dhjetor të 2020-së.

Ky sulm kibernetikë u raportua për herë të parë nga firma e sigurisë kompjuterike FireEye, e cila ishte prekur nga kjo ndërhyrje.

Hakerët rusë hynë në rrjetet e agjencive kryesore të qeverisë amerikane, duke përfshirë Departamentin e Tregtisë, atë të Thesarit dhe Sigurisë Kombëtare, si dhe kompani të shumta të Fortune 500. Ndërhyrja ndodhi në muajin shkurt të 2020-së, ku një virus/malware ishte në softuerin e prodhuar nga firma teknologjike SolarWinds.

Nga helmimi i kundërshtarëve deri te mbështetja e oligarkëve dhe skemat korruptive të pastrimit të parave – skandalet e Vladimir Putinit në 21 vjet në pushtet
Lexo po ashtu Nga helmimi i kundërshtarëve deri te mbështetja e oligarkëve dhe skemat korruptive të pastrimit të parave – skandalet e Vladimir Putinit në 21 vjet në pushtet

Michael Daniel, i cili ishte koordinator i strategjisë për siguri kibernetike në Këshillin e Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentit Barack Obama, tha se kjo është prova që tregtia operacionale e Rusisë ishte “maja e përvijimit”, por ai e bëri të ditur se kjo ishte një goditje për ta që të kuptonin se si u zbulua ndërhyrja.

“Operacioni u zhvillua për nëntë muaj para se të zbulohej, por është e mundur që ata shpresonin se kjo do të zgjaste më shumë”, tha Daniel, i cili aktualisht është drejtor ekzekutiv i Aleancës së Kërcënimeve Kibernetike, përcjell Telegrafi.

Megjithëse autoritetet amerikane nuk e fajësojnë zyrtarisht Rusinë si burimi “i mundshëm” i sulmit kibernetikë, pothuajse një muaj pasi u hap lajmi, gazetarët dhe ekspertët kibernetikë, sulmin ia atribuuan Shërbimit të Jashtëm rus të Inteligjencës (SVR), ku operon një grup i hakerëve i quajtur “Ariu i qetë” ose APT 29.

Por fama për suksesin e SVR-së është e tejkaluar. Sulmi do të kishte qenë një përpjekje e përbashkët me Shërbimin e Brendshëm rus të Inteligjencës (FSB), e cila ka aftësi kibernetike shumë më të frikshme sesa SVR-ja.

“Cozy Bear” apo “Ariu i qetë” ka qenë i implikuar në incidente të shumta të mëparshme të piraterisë dhe është gjithashtu i lidhur me FSB-në, ku ka kryer operacione kibernetike agresive kundër Perëndimit për vite me radhë.

Si një agjenci e kundërzbulimit, FSB-ja menaxhon një sistem të njohur si SORM, i cili kryen mbikëqyrjen e brendshme kibernetike të Rusisë. Por, nën regjimin e Putinit, operacionet e FSB-së janë zgjeruar për t’u përfshirë në masat aktive jashtë vendit, ku teknologjia dhe ekspertiza e saj kompjuterike është bërë një armë gjithnjë e më e vlefshme.

Dy nënndarjet e FSB-së, Qendra e 16-të (Inteligjenca Elektronike) dhe Qendra e 18-të (Siguria e Informacionit), thuhet se janë përgjegjëse për operacionet e huaja kibernetike.

Qeveria amerikane ka qenë prej kohësh e vetëdijshme për rolin e FSB-së në sulmet kibernetike. Drejtori i atëhershëm i CIA-së, John Brennan kishte paralajmëruar Rusinë që të ndalonte ndërhyrjen e saj në zgjedhjet e 2016-së, duke telefonuar shefin e FSB-së, Aleksandar Bortnikov, përcjell Telegrafi.

Pjesëtari i Shërbimit Sekret të Rusisë 'pa dashje' rrëfen komplotin për tentim-vrasjen e Alexei Navalny
Lexo po ashtu Pjesëtari i Shërbimit Sekret të Rusisë 'pa dashje' rrëfen komplotin për tentim-vrasjen e Alexei Navalny

Soldatov në librin e tij “Bashkatdhetarët”, që përshkruan punën e agjentëve rusë jashtë shtetit, tha se agjencitë e spiunimit shpesh punojnë së bashku.

“Aftësitë kibernetike të FSB-së janë shumë më të mëdha se ato të SVR-së. FSB është gjithashtu në një pozicion të përsosur për të rekrutuar hakerë, pasi si një agjenci e zbatimit të ligjit ndjek penalisht krimet kibernetike. Dhe mund të mbështetet në ekspertizën e kompanive private kibernetike, pasi që FSB është gjithashtu një rregullator i tregut kibernetikë në Rusi dhe të gjithë varen nga kjo. Në sulmet kibernetike kundër Perëndimit, roli i SVR-së, si një agjenci e mbledhjes së inteligjencës, mund të jetë zgjedhja e shënjestrës – identifikimi dhe emërtimi i organizatave me interes për agjencinë”, shkruan Soldatov.

Me fjalë të tjera, derisa SVR-ja mund të vendosë qëllimet e inteligjencës, FSB-ja bën ndërhyrje kibernetike, shpesh duke përdorur ekspertizën e hakerëve që dalin nga nëntoka kriminale e Rusisë.

Daniel, ish-këshilltari i Agjencisë për Sigurinë Kombëtare (NSA), vuri në dukje se, “rusët janë në gjendje të kryejnë operacione kibernetike në mënyrë kaq efektive për shkak të kapacitetit të tyre organizative. Ata mund të kombinojnë shënjestrat e tyre të inteligjencës me ekspertët e tyre teknikë për të kryer operacione kibernetike që arrijnë objektivat e tyre më të gjera strategjike”.

Sipas burimeve të cituara nga CNN, hakerët ndoshta e kanë paralajmëruar FireEye për praninë e tyre kur ata ndërmorën “rrezikun e përllogaritur agresiv”, duke zhvendosur shënjestrën ndaj postës elektronike në të dhëna më të ndjeshme. Shenjat e këtij operacioni të spiunazhit kibernetikë mund të jetë e gjurmueshme.

“Disa nga softuerët e kompromentuar të SolarWinds u krijuan në Evropën Lindore dhe hetuesit amerikanë tani po shikojnë mundësinë nëse ndërhyrja ka origjinën nga këto vende, ku operativët e inteligjencës ruse janë të vendosur”, shkruan New York Times, përcjell Telegrafi.

Zbulimi amerikan përsërit dyshimet se Rusia qëndron pas ndërhyrjeve kibernetike
Lexo po ashtu Zbulimi amerikan përsërit dyshimet se Rusia qëndron pas ndërhyrjeve kibernetike

Thuhet se hakerët u qasën në softuerin e SolarWinds edhe pse një produkt i quajtur TeamCity që përdoret nga firma, prodhohet nga kompania e programeve me bazë në Pragë, JetBrains. E themeluar nga tre rusë, JetBrains ka zyra në Shën Petersburg dhe Moskë dhe është klient i një kompanie këshilluese në Shën Petersburg, Digital Security, e që është sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara për përfshirjen e saj në operacionet kibernetike të FSB-së.

Praga është e njohur si qendra për koordinimin e operacioneve ruse të inteligjencës. Në muajin tetor të 2019-së, zyrtarët e inteligjencës Çeke njoftuan se kishin shpërbërë një rrjet spiunazhi të FSB-së që përdorte infrastrukturën e serverit të kompanive kompjuterike të Pragës për sulme kibernetike kundër Republikës Çeke dhe vendeve anëtare të NATO-së, përcjell Telegrafi.

Pavarësisht nga ky sukses, lënia e një gjurme të tillë do të ishte një tjetër pengesë e inteligjencës së FSB-së dhe SVR-së.

Nuk ka dyshim që spiunët rusë që punojnë jashtë vendit, vazhdimisht janë pjesë e një arratie të turpshme. Një listë e publikuar në SpyTalk për Daily Beast, numëron 14 spiunë rusë të dëbuar publikisht nga shtatë vende gjatë vitit 2020, duke përfshirë agjentë të dekonspiruar në Bullgari, Kolumbi dhe Sllovaki si dhe rrethin holandez të spiunazhit.

Për të qenë të sigurt, dështimet e SVR-së mund të zbehen në krahasim me tentimin për helmimin e kritikut të Putinit, Alexei Navalny nga FSB-ja – Navalny gjatë një bisede telefonike, arriti të mashtrojë një oficer të FSB-së për të zbuluar detaje të operacionit – ose me gabimet e ngathëta të Shërbimit Ushtarak rus të Inteligjencës (GRU), gjatë përpjekjes për të vrarë Sergei Skripalin në muajin mars të 2018-së në Londër. Por, SVR-ja dhe FSB-ja, së bashku me GRU-në vuajnë nga të njëjtat sindrome që karakterizojnë sistemin e qeverisjes së Putinit: korrupsioni, miqësia dhe konkurrenca ndërmjet agjencive.

“Agjencitë kanë përgjegjësi të mbivendosura (madje FSB është gjithnjë më e përfshirë në operacione të huaja) dhe konkurrojnë ashpër dhe pa mëshirë për t’i tejkaluar të tjerët. Ky është një sistem mishngrënës, kanibalist”, ka vërejtur eksperti i sigurisë, Mark Galeotti, përcjell Telegrafi.

Por për oficerët e SVR-së – të cilët shpesh zënë pozicione të larta diplomatike ose biznesi jashtë vendit – supozohet se shfaqin grindje. Është e vështirë të imagjinohet se krenaria e tyre në imazhin e organizatës si një agjenci e inteligjencës mjaftë profesionale nuk vuajnë kur ndodhin dështimet, apo ata nuk ndihen të zënë ngushtë kur homologët e tyre në agjenci të tjera i shfaqen botës si mashtrues të pahijshëm. Ndoshta kjo është arsyeja pse, sipas gazetës ruse Obshchaia, gjatë vitit 2020, SVR shpenzoi 213 mijë dollarë për 2,500 shishe pije alkoolike në selinë e saj në Yasenevo. Konjaku Louis Royer VSOP me sa duket është më i pëlqyeri për agjentët e SVR-së.

Shefi i SVR-së, Sergei Naryshkin e ka bërë të qartë se agjencia e tij po përballet me sfida, veçanërisht me SHBA-në.

“Shërbimet e inteligjencës amerikane, mbi të gjitha Agjencia Qendrore e Inteligjencës, janë ndër shërbimet më të forta të inteligjencës në botë. Kolegët tanë nga CIA janë kundërshtarët tanë kryesorë”, tha Naryshkin gjatë një interviste.

Përkundër këtyre sfidave, Naryshkin dhe homologu i tij Bortnikov, arrijnë të bëjnë një jetë të mirë. Në muajin janar të 2018-së, një ueb faqe ruse zbuloi se, Bortnikov kishte një shtëpi banimi jashtë Shën Petersburgut që nuk e kishte të raportuar në deklaratën e tij zyrtare të të ardhurave.

Shërbimi Sekret rus i përfshirë në vrasjen e gazetarit bjellorus Pavel Sheremet
Lexo po ashtu Shërbimi Sekret rus i përfshirë në vrasjen e gazetarit bjellorus Pavel Sheremet

Siç raporton Mediazona, Naryshkin dhe familja e tij gëzojnë mbështetjen bujare të biznesmenit të pasur azerbajxhanas, God Nisanov, i cili zotëron hotele dhe qendra të shumta tregtare në Moskë. Vajza e Naryshkinit, Veronika fluturoi me avionin privat të Nisanovit, Gulfstream G65, për në Baku dhe festoi ditëlindjen e saj në jahtin luksoz të tij. Naryshkin gjithashtu kishte fluturuar me avionin e Nisanovit për në Austri për të bërë pushime me ski. Disa vjet më parë, kur Veronika ishte vetëm 23 vjeçe, ajo bleu, me ndihmën e një biznesmeni azerbajxhanas, i afërm i Nisanovit, një apartament të madh në Moskë që vlerësohej 1.4 milion dollarë. Paga vjetore e babait të saj, në atë kohë, si shef i Administratës Presidenciale të Putinit, ishte 68 mijë dollarë.

Si me Bortnikov ashtu edhe me Naryshkin, këto raporte ndoshta paraqesin majën e një ajsbergu, mirëpo, nëpunësit e tyre nuk po shkojnë aq mirë.

Faqja ruse e lajmeve Glagol ka përshkruar pamjen e zymtë se si jetojnë oficerët e FSB-së, GRU-së, SVR-së dhe Shërbimit Federal rus të Gardës (FSO). Në Rusi, përgjithësisht është e pranuar që njerëz të veçantë me cilësi të jashtëzakonshme morale dhe me vullnet të fortë punojnë në inteligjencën dhe sigurinë e shtetit. Se për punën e tyre ata marrin shpërblim të denjë dhe privilegje të paarritshme për qytetarët e zakonshëm. Realiteti është i ndryshëm. Nëse hyni në rrugën e gabuar, askush nuk do t’ju ndihmojë. Nuk ka asnjë sindikatë dhe asnjë ndihmë psikologjike. Pagat janë relativisht të vogla, nga 400 dollarë deri 1,000 dollarë në muaj.

Putin si një veteran i KGB-së në shërbimin e jashtëm dhe ish-shef i FSB-së, në fokus ka arritjen e sukseseve të tij. Vetëm disa ditë pasi sulmi masiv kibernetikë i Rusisë ndaj SHBA-së së doli në dritë, Putin lavdëroi oficerët e SVR-së për “kontributin e tyre të paçmuar për sigurinë e vendit” dhe për kryerjen e “detyrave më të vështira”.

“I gjithë personeli i agjencive të sigurisë së Rusisë janë bashkëluftëtarë të FSB-së. Dhe në këtë festë, do të doja t’u shprehja urimet e mia më të ngrohta dhe të atyre”, kishte thënë Putin me rastin e 100 vjetorit të themelimit të FSB-së si pasardhëse e KGB-së famëkeqe.

Me sa duket, raundi i fundit i dekonspirimeve të inteligjencës nuk e ka mërzitur “të fuqishmin” e Rusisë – në këtë pikë çfarë duhet të humbasë nga mashtrimet e tij të pista duke u ekspozuar? Ndoshta, fatura e pijeve alkoolike të SVR-së do të jetë pak më e ulët këtë vit. /Telegrafi/

Në trend Botë

Më shumë
Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Biden zhvlerësoi urdhrin e Gjykatës Ndërkombëtare për arrestimin e Netanyahut

Amerika
Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Zëdhënëses së ministrisë së Jashtme ruse i cingëron telefoni në konferencë, dikush e urdhëron të mos flasë për sulmin me raketë ndërkontinentale në Ukrainë

Evropa
Ursula von der Leyen ndihmoi një pasagjer që u sëmurë në aeroplan

Ursula von der Leyen ndihmoi një pasagjer që u sëmurë në aeroplan

Evropa
Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Pas tërheqjes së Gaetzit, Trump emëron një grua për Prokurore të Përgjithshme

Amerika
NATO thotë se raketa eksperimentale balistike ruse nuk do ta lëkund mbështetjen e aleancës për Ukrainën

NATO thotë se raketa eksperimentale balistike ruse nuk do ta lëkund mbështetjen e aleancës për Ukrainën

Evropa
NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

NASA publikoi foto të reja mahnitëse të Jupiterit

Botë
Kalo në kategori