LAJMI I FUNDIT:

Osmani pret shoqatën “Thirrjet e Nënave”, diskutohet për Ligjin për të pagjeturit

Osmani pret shoqatën “Thirrjet e Nënave”, diskutohet për Ligjin për të pagjeturit

U.d. e Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, së bashku me nënkryetaren e Kuvendit të Kosovës, Abërie Nagavci, si dhe ministrin e drejtësisë Selim Selimi, kanë takuar përfaqësueset e organizatës “Thirrjet e nënave” nga Gjakova.

Në takim u diskutua për Ligjin për të pagjeturit, i cili nga të pranishmit në takim u konsiderua i domosdoshëm.

Osmani kërkoi që procesi i hartimit të Ligjit për të pagjeturit të finalizohet në një periudhë të afërt dhe i njëjti të miratohet në Kuvend. Ajo kërkoi koordinim ndërmjet Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës që në tekstin final të këtij Ligji të përfshihen edhe rekomandimet e organizatës “Thirrjet e nënave” dhe organizatave të ngjashme që përfaqësojnë familjet e të pagjeturve.


Përmes këtij ligji, ndër të tjera, do të mundësohej edhe përkrahja institucionale për familjet e të pagjeturve.

Ndërkaq ministri i drejtësisë, Selim Selimi shprehu gatishmërinë e Qeverisë së Kosovës që ky Ligj të miratohet sa më parë dhe i njëjti të procedohet për miratim në Kuvend.

Osmani dhe Nagavci nga ana tjetër thanë se Kuvendi do të shtyjë përpara përsipër këtë çështje duke shpresuar që ky ligj të marrë përkrahjen e nevojshme të të gjitha grupeve politike.