LAJMI I FUNDIT:

Shahini: LVV e përdori bashkimin kombëtar për përfitime partiake

Shahini: LVV e përdori bashkimin kombëtar për përfitime partiake

Ministrja e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Besa Shahini, ka folur për sulmet që iu kanë bërë kur ajo është emëruar në pozitën e ministres në Qeverinë e Republikës së Shqipërisë.

Shahini ka thënë se Lëvizja Vetëvendosje bashkimin kombëtar e ka përdorur vetëm për përfitime të tyre, transmeton Telegrafi.

“LVV e ka përdorë gjithë narrativen e bashkimit kombëtar vetëm për përfitime të tyre, për të fituar besimin e një grupi të njerëzve në Kosovë që besojnë që shqiptarët duhet të funksionojnë si një. Sepse në momentin e parë kur ndodhi një hap konkret, i bashkëpunimit aq të thellë, ku dy shqiptarë nga Kosova marrin përgjegjësi serioze për të udhëhequr dikastere të rëndësishme në Shqipëri, LVV bëri gjithçka që pati mundësi për ta dëmtuar imazhin e projektit, e maksimalisht kanë shpresuar që do ta mbyllin këtë projekt’, ka thënë ajo në Debat Plus në RTV Dukagjini.


Ndërkaq, sa i përket udhëheqjes së Ministrisë e Arsimit, Rinisë dhe Sportit, Shahini thotë se udhëheqja ka qenë e suksesshme.

“Kemi një numër të madh të njerëzve që ju shërbejmë, kemi një numër të madh mësuesesh, organizimi i gjithë kësaj pune ka rezultu i suksesshëm”, deklaroi ajo. /Telegrafi/