LAJMI I FUNDIT:

Proza e Lumo Skëndos, prelud i prozës moderne shqipe

Proza e Lumo Skëndos, prelud i prozës moderne shqipe

Nga: Ymer Çiraku

Si personalitet letrar, Lumo Skëndo (Mid‘hat Frashëri, 1880-1949) do të përballej në dy prova. E para ishte ajo brendaletrare, që kishte të bënte me atë vet, me ekzigjencën, me shijen/sqimën dhe potencën e talentit të tij krijues.

Në parathënien përcjellëse të së vetmes vepër të tij letrare (në prozë), “Hi dhe shpuzë”, botuar më 1915, ai bën me dije se ato tekste të përfshira në atë libër gjithsesi janë krijime që flinin gjysmë të harruara në mes të kartërave e koleksioneve të gazetave. Prandaj, arsyeton ai, jo pa njëfarë droje, vetë koha le ta provonte nëse ato e ruajnë prushin e emocioneve të para, apo nëse i ka mbuluar hiri i një zjarri të shuar përgjithmonë.


Duket se libri e kaloi provën e distancës kohore, gjë që e dëshmoi pritja e ngrohtë në rrethet letrare të kohës, përfshirja e mjaft prej këtyre krijimeve në antologji e tekste shkollore. Por, më tepër se kaq, kjo u duk në rolin e kësaj krijimtarie si një faktor ndikues e iniciues në meset letrare. Krahas ndikimit te Kuteli, siç e vëren ndonjë studiues (N. Jorgaqi), mund të mendohej se ky ndikim mbase shkon edhe më tej, te Poradeci e ndonjë tjetër. Këtu, nuk është fjala se krijues të tillë, pra, të këtij formati të pazakontë, i kanë të munguara pikat e tjera të referimit – në rrafshin shqiptar e evropian. Çështja është se L. Skëndo, për ta, përfaqësonte një personalitet të autoritetshëm, tek i cili, mishërohej eruditi i madh i kohës, publicisti dhe botuesi ekzigjent, përkthyesi dhe analisti i mprehtë, përcjellësi i traditës/frymës së Kristoforidhit e Frashërllinjve. Posaçërisht te krijimtaria e tij letrare, ata ndjenin me intuitën e krijuesit të njëmendët, një materie mirëfilli e të begatë shqiptare, në planin gjuhësor e stilistik e, mbi të gjitha, e harmonizuar kjo atmosferë autentike, edhe me një mentalitet të emancipuar evropian, që kërkohej e pritej të bëhej gradualisht prirje e asaj letërsie, e cila, gjer atëherë dominohej nga patetizmi nacional, plotësisht i përligjur për rrethanat e kohës – atëherë kur letërsia mori përsipër të zgjonte e përcillte lëvizjen çlirimtare të Rilindjes Kombëtare.

Kështu, shumë shkrime lirike e shumë zhbirime psikologjike të njeriut si individ, situatat dramatike e ndonjëherë tragjizmi i tij, janë elemente të spikatura në prozën e L. Skëndos, të përqafuara dhe ndjekur pastaj prej disa krijuesve të tjerë të kohës, krahas dhe dukurive të tjera të ligjërimit letrar.

Prova e dytë, që iu desh ta përballojë krijimtaria e L. Skëndos, është heshtja e gjatë, që e mbuloi atë menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Një heshtje kjo, që zgjati gati gjysmë shekulli. Ndryshe nga e para, prova e dytë, ka vetëm arsye jashtëletrare. Nuk mjaftoi asgjë për ta zbutur qoftë edhe disi dënimin kapital ndaj tij, që të paktën, të përmendej qoftë edhe vetëm si shkrimtar. As fakti që L. Skëndo kishte qenë kryetar i Kongresit të Manastirit (1908), pastaj ministër në qeverinë e parë pas shpalljes së Pavarësisë, drejtues i disa prej gazetave e revistave më të mëdha të kohës, mes të cilave Liria, Diturija, Kalendari Kombiar (një enciklopedi kulturore e letrare, siç i quante N. Ressuli). Dhe në fund, nuk do të ndikonte as fakti që ai ishte pinjoll i drejtpërdrejtë i një dere të madhe të hyrë në histori, si ajo e Frashërllinjve. Një segment fare i shkurtër i jetës së tij politike, si kryetar i partisë së Ballit Kombëtar, kishte mjaftuar për ta lënë përfundimisht në heshtje, apo për ta përmendur vetëm në raste denigrimesh – këtë personalitet të madh.

Por heshtje të tilla kaq të gjata, e kanë edhe një lloj shansi. Ato janë sprovë për të matur vlerat, cilësitë e një personaliteti. Nëse koha e thërret, e rizgjon një ditë këtë personalitet, atëherë heshtja, sado e pushtetshme apo e gjatë qoftë, asgjë nuk finalizoi dot.

Krijimtaria letrare e L. Skëndos, i sfidoi të dyja këto prova-kurthe, duke dëshmuar se ajo krijimtari, nuk përfaqësonte kurrsesi një relike të largët e të harruar, por ishte një i atillë dokument artistik i kohës, pa të cilin, do të ndjehej boshllëk i ndjeshëm po të mungonte dhe s’mund të shpjegoheshin drejt mjaft çështje letrare, po të shpërfillej dhe të mos merrej në konsideratë. Me vlerën e një nyjeje në procesin letrar shqiptar, kjo krijimtari e përmbledhur pothuajse e tëra brenda një libri, mbart prush e magmë aktive – nga shpirti i trazuar vullkanik i shkrimtarit.

Kjo prozë, mund të thuhet, se çel shtigjet e prozës së mirëfilltë tregimtare shqiptare. Veçse nuk duhet kufizuar vetëm si vlerë brenda rolit inaugurues të një gjinie letrare. Më tepër se kaq, ajo na shfaqet si një prozë e përpunuar me nivele të lakmuara estetike për kohën, larg naiviteteve të mundshme të një krijuesi, të cilit i duhej të ecte përmes një tradite pothuaj inekzistente në këtë gjini. Lëvrimi i prozës së mirëfilltë, për spektrin e reflektimeve dhe të raporteve mes personazheve që krijon, për strukturat kompozicionale dhe ligjërimore, e ka më se të nevojshme një traditë. Falë talentit dhe kulturës së gjerë, L. Skëndo e kompensoi këtë boshllëk, duke bërë edhe një sfidë tjetër: ai po rrekej të sillte ndërkaq, edhe një frymë e vizion modern në prozën e tij. Ishte pikërisht kjo prirje, që e bëri këtë krijimtari të ketë adhuruesit dhe ndjekësit e vet në radhët e shkrimtarëve të ardhshëm, mes të cilëve, p.sh. M. Kuteli do ta shpallte haptazi se e kishte një nga gurrat e formimit të tij letrar.

Në një varg krijimesh, por sidomos në atë cikël tekstesh, që mund t’i quanim proza poetike – apo etyde poetike, konceptuar si hedhje penelatash të shpejta për ta rrokëzuar në mënyrë të shpejtë një emocion – por pa depërtuar imtësisht, endur si dantella të përkora gjithë ojna stilistike, bie në sy në to, përpjekja për ta vizatuar njeriun në vetvete, si një individ të subjektivizuar së brendshmi, me pasionet e dramat e tij. Të shkruara në fund të shek. 19-të dhe në fillim të shek. 20-të, ato ngjajnë si rreze drite në ato mjedise orientale, ku jetonte dhe për të cilat shkruante autori. Kështu p.sh. te krijimi ‘Asaj’, vërehet një nga gravurat tejet impresionuese që mund t’i jetë bërë femrës në letërsinë shqipe. Adhurimi për të dashurën, këtu sikur rreket që të përmbledhë tërë peshën e adhurimeve të pelegrinëve e kalorësve – të të gjitha kohëve, për simbolet e tyre të epërme tokësore e qiellore. Proza poetike ‘Po e sheh?’, është e tëra një klithmë torturuese e njeriut të vetmuar në fillim shekulli, që kërkon të largojë errësirën pa adresë, universale, që po e mbyt atë si pellgu i zi:

Folmë, mik, se dua të dëgjoj zë njeriu, dua të ndjej veten të gjallë; folmë, a do të mbajë shumë ky zi?

Kjo natë a ka të sosur, apo jemi në atë natë pa mëngjes? (Libri: Hi dhe shpuzë, T. 1995, f. 31).

Proza e këtij autori, ka një ligjërim të zhdërvjellët, me ngjyresa stilistike dhe mesazhe mbresëlënëse, larg shtampave naive të kohës, që shfaqeshin jo rrallë, si pasojë e riciklimit të tematikës së njohur rilindase. Gjuha e pasur figurative, ndonjëherë shpie në konceptime tërësore simbolike e metaforike, si p.sh. te krijimi Ay mal, ku lartësitë e Tomorit, simbolizojnë domenet e virgjëra të racës shqiptare. Sipas bindjes optimiste të autorit, ato ekzistojnë, por kërkohet mund që të depërtosh e të mbërrish deri te ato, pikërisht atje, ku ai e quan prak qielli, pra, vend të shenjtë. Trysnia e imazheve dhe metaforave te Plaku i Ylynecit, krijon një ton gri e gjendje makthi, thuajse në frymën e vizioneve danteske, ku pleksen e kryqëzohen rrathët e kohës së djeshme e të sotme. Kështu, autori i është shmangur emfazës dhe retorikës himnizuese të kohës, për të zgjedhur rrugën e shqyrtimit kritik, duke dashur e shpresuar shumë, por edhe duke dyshuar shumë e duke analizuar shumë; duke qenë entuziast, por edhe i molisur nga një mal me brenga. Duke përkthyer Lamartinit e Hofmanin, duke njohur mirë Bodlerin dhe në përgjithësi prirjet e reja të letërsisë evropiane të kohës, ai padyshim, aq sa i lejonte talenti e rrethanat, i asimiloi dhe i bëri të vetat mjaft nga ato risi konceptuale, që gradualisht, po bëheshin fryma dhe emblema qarkulluese në letërsinë e shek. 20-të.

Ndonëse me shumë shtresa lirizmi dhe përplot ndjeshmëri, proza e këtij autori, është e orientuar si tendencë nga prirja realiste. Në një varg tregimesh, arrin të krijojë tablo të plota e të besueshme, ku gjallojnë në mënyrë të natyralizuar personazhet, tek të cilët, ndihet dimensioni hapësinor e kohor. Veçse të gjitha këto, pa linja të hollësishme, por me një gjuhë të kursyer e të ngjeshur. Ndaj edhe tregimet, përgjithësisht nuk i kalojnë të 5-6 fletët, ndonëse gjithnjë ruan përshtypjen se ke shfletuar shumë më tepër, për nga aspekti vëllimor. Pra, teksti arri të përcjellë e të depozitojë te lexuesi një informacion artistik maksimal, brenda teksteve të shkurtër.

Fjala, në kontekstet e vendosjeve e të zhvendosjeve të tyre në procesin e ligjërimit, merr/fiton një vlerësim të posaçëm te ky prozator. Kështu, shkrimtari arrin të realizojë disa dominante estetike, doemos të synuara, siç janë: një lloj simfonie në aspektin tingullor dhe në aspektin e ritmit e të rrëfimit, si dhe të shpalosjes rrëfimore unazore të personazheve; qetësia e jashtme me shtjellat e fuqishme të brendshme; elementet e natyrës – si një dekor aktiv në evidentimin e raporteve dhe situatave njerëzore. Për këtë të fundit, mjafton të sjellim vetëm një fragment nga tregimi Plaku i Ylynecit:

“… Pranë meje një mur i gurtë, si i bërë prej njerëz të një tjatër kohe, të një tjatër bote; dhe ky mur, ish ai me copa gurë me vija, me katërçipje, ca të vogla, ca të mëdha. Më shumë vende një bimë, një myshk, kish dalë nga këto të çara, kish hapur duart e saj të gjelbërta dhe po lëpinte erë e dritë jashtë këtij burgu.”

Pra, një bimë, një bar, që shpërthen gurin e një muri të stërvjetër, hap duart e gjelbërta dhe lëpin erë e dritë, si e çmendur nga drita, pas një errësire kushedi prej sa kohësh. Vështirë se gjendet në letërsinë e kësaj kohe një gjerdan i tillë metaforash, që çliron vibracione të një drame të nënkuptuar tronditëse. Është vërtet një nga ato tekste, që do ta kishte të lakmuar cilido krijues i sotëm, edhe prej atyre më të talentuarve. Në tërësi, prozat e L. Skëndos janë nga ato tekste, që vazhdojnë të komunikojnë me lexuesin e sotëm. Megjithëse të krijuara gati një shekull më parë, ato nuk kanë mbetur të mbyllura në vetvete, d.m.th. duke ruajtur vetëm raportin me lexuesin e një epoke të kaluar. Nisur nga parimi se tekstet letrare janë të palëvizur në formën dhe të lëvizur në domethënien e tyre (G. Gulielmi), te proza e këtij shkrimtari, vazhdojnë të përcillen drejt lexuesit një mori kumtesh e mesazhesh, pra, vazhdon të mbetet i hapur kontakti mes tyre, gjë që ka përcaktuar edhe vijimin/përcjelljen e saj në kohë.

Është pikërisht kjo arsye, që, edhe pse pas një mungese tepër të gjatë, vepra e këtij shkrimtari e ka të merituar e të siguruar vendin e vet në kontekstin e letërsisë shqipe. Ajo duhet të vlerësohet/përcaktohet me të drejtë, krahas dhe prozës së F. Konicës, si prelud i prozës së mirëfilltë shqipe, si përcjellëse e prirjeve moderne në këtë prozë, si faktor venerimi dhe ndikimi te disa shkrimtarë të ardhshëm të talentuar.