LAJMI I FUNDIT:

Arrin në Prishtinë dërgesa e tretë e UNICEF-it me furnizime kundër COVID-19

Arrin në Prishtinë dërgesa e tretë e UNICEF-it me furnizime kundër COVID-19

Ministria e Shëndetësisë ka pranuar sot dërgesën e tretë me pajisje mbrojtëse personale për t’i mbështetur punonjësit e vijës së parë shëndetësore kundër COVID-19.

Dërgesa përmban 8.960 mantele kirurgjike, 2.680 maska FFP2 / N95 dhe 33.600 maska kirurgjike si ndihmë nga Qeveria e Luksemburgut.

Ministri në detyrë i Shëndetësisë Arben Vitia, ka mirëpritur kontributin e partnerëve në luftën e përbashkët kundër Covid-19, ndërsa pajisjet mbrojtëse profesionale do t’i ndihmojnë personelit shëndetësor që me një siguri sa më të lartë të luftojnë në parandalimin dhe luftimin e kësaj sëmundje.


Shefja e Misionit të Ambasadës së Luksemburgut, Natacha Gomes, tha se si partner kryesor në sektorin e shëndetësisë në Kosovë, është vendimtare që vendi i saj ta mbështesë Kosovën në luftën kundër COVID-19.

“Kjo është vetëm njëra prej ndërhyrjeve të planifikuara dhe jemi krenarë që po punojmë me partnerin tonë të besueshëm UNICEF-in për të arritur tek ata që përndryshe nuk do të mund të kishin qasje në furnizime dhe shërbime që shpëtojnë jetë”, tha Gomes.

Shefi i zyrës së UNICEF-it, Murat Sahin tha se do të vazhdojnë t’i mbështesin institucionet dhe komunitetet në tërë Kosovën për t’i tejkaluar sfidat e dala si pasojë e COVID-19.

Ndryshe, deri më tash UNICEF-i ka ofruar 36.200 dorëza, 68.544 maska kirurgjike, 5.380 maska FFP2/N95, 1.000 kominoshe për mbrojtje, 51.460 mantele kirurgjike dhe 2.934 përparëse mbrojtëse, 81 termometra klinikë me rreze infra të kuqe, të gjitha këto në mbështetje të reagimit ndaj pandemisë në Kosovë.