LAJMI I FUNDIT:

Pse na duhen fjalorët?

Pse na duhen fjalorët?

Bill Bryson, shkrimtar, gjuhëtar, redaktor gjuhësor (lektor) i disa gazetave të mëdha britanike dhe rektor i Universitetit të Durhamit, është edhe autor i ‘Dictionary of Troublesome Words’ (Fjalori i fjalëve bezdisëse apo Fjalor i fjalëve të mundimshme).

Bryson, gjatë përvojës së redaktorit ka vërejtur një varg të gabimeve që bëjnë gazetarët dhe shkrimtarët. Prandaj, ai ka përmbledhur mijëra fjalë, shprehje, trajta gramatikore dhe shenja të pikësimit që gjatë të shkruarit në gjuhën angleze përdoren gabimisht (kam menduar që unë i kam këto probleme për shkak se anglishtja nuk është gjuha ime amtare). Në fakt, këto janë probleme edhe për shumicën e gazetarëve dhe shkrimtarëve që anglishten e kanë gjuhë amtare apo gjuhë të parë. Pra, nuk janë vetëm gazetarët dhe shkrimtarët shqiptarë që bëjnë gabime gjuhësore kur shkruajnë.

Ta zëmë fjalia: ‘Epidemia që ka përfshirë gati tërë popullsinë’, është fjali me shumë gabime. Sipas rregullave, pas fjalës epidemi nuk duhet të shkruhet asgjë pasi që ajo në vete përmban kuptimin e përfshirjes së shumicës së popullatës.


Një fjalor tjetër, ai i shkurtesave (Dictionary of Abbreviations) nga autori John Paxton, përmban 27 mijë shkurtesa dhe 37 mijë definicione. Sa shkurtesa dhe definicione të këtilla përmban fjalori shqip, nëse ekziston? A keni ndonjë ide?

Më në fund, disa fjalë të urta nga fjalori i proverbave angleze të autores Rosalind Fergusson:

Mëkati i Anglisë është grykësia.
Anglezi lidhet për fjale.
Një anglez i mposhtë tre francezë.
Anglezët i kanë 100 fe, por vetëm një çorbë (shprehje e francezëve)
Fëmijët dhe budallenjtë kanë jetë të lumtur.
Budallallëku i njërit është fat i tjetrit.
Zoti u jep fat vetëm budallenjve.
Budallenjtë dhe të çmendurit nuk duhet t’i lejoni që të bashkohen.
Fëmijët, budallenjtë dhe të çmendurit duhet t’i mbani larg mjeteve të mprehta.
Budallenjtë e kafshojnë njeri-tjetrin kurse të mençurit pajtohen.
Nderi dhe lehtësia rrallë flenë bashkë.
Nderi është barrë e rëndë.
Kush vrapon për lavdërim, nuk e meriton lavdërimin dhe është i pandershëm.
Mburrja shkon e para, pastaj vjen turpi.