LAJMI I FUNDIT:

Gjykata cakton masën e paraburgimit për të pandehurin që sulmoi gruan në Gjilan

Gjykata cakton masën e paraburgimit për të pandehurin që sulmoi gruan në Gjilan

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30-ditësh, për të pandehurin N.S, i cili ka sulmuar bashkëshorten e tij.

Ngjarja ka ndodhur gjatë ditës së hënë rreth orës 08:00, në Gjilan, në të njëjtën ditë kur i pandehuri kishte një seancë gjyqësore për shkak të një vepre penale, po ashtu për veprën penale dhunë në familje.

Ai nuk i ishte përgjigjur kësaj ftese të gjykatës, prandaj është dashur edhe intervenimi i policisë.


“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 27.01.2020, rreth orës 08:00 minuta, tek zyrat e Kompanisë “AR Katana” ShPK në Gjilan me dashje dhe me qëllim të ushtrimit të pushtetit dhe kontrollit, cenimit të dinjitetit tek bashkëshortja tani e dëmtuara F. B. ka shkaktuar dhunë në familje, përmes dhunës psikologjike në kundërshtim me nenin 2 nënparagrafin 3 të Ligjit për Dhunë në Familje. I pandehuri të njëjtën ditë ka pasur një seancë gjyqësore në Gjykatën Themelore në Gjilan, për shkak të një vepre të mëhershme penale dhunë në familje, me ç’rast është dashur intervenimi i zyrtarëve policorë, pasi që nuk i është përgjigjur ftesës së Gjykatës”, thuhet në komunikatën e Gjyjkatës Themelore të Gjilanit.

Gjykata ka vendosur masën e paraburgimit, pasi ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për përcaktimin e kësaj mase, pasi që po të lihet në liri mund të përsërisë veprën penale. /Telegrafi/