LAJMI I FUNDIT:

Qeveria e re ta ketë prioritet agjendën evropiane

Qeveria e re ta ketë prioritet agjendën evropiane

Në rrugën integruese për në Bashkimin Evropian (BE), Kosova në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor është e fundit, pasi nuk ka aplikuar ende as për statusin e vendit kandidat.

“Mungesa e vullnetit politik ka bërë që vendi të ngec sa i përket përmbushjes së kushteve të dala nga marrëveshjet me BE-në”, thotë Demush Shaha, nga Instituti EKPIK.


Ish-sekretari i ministrisë së Integrimit Evropian, thotë se institucionet nuk kanë shënuar progres në zbatimin e obligimeve të marra nga BE-ja.

“Në këtë drejtim perspektiva evropiane e Kosovës ka pasur një ngecje viteve të fundit nga dy aspekte, aspekti i parë është mungesa e vullnetit politik të institucioneve tona të Qeverisë për të ndërmarrë reforma në rrugën tonë integruese dhe kur e themi këtë mund ta dëshmojë duke e shikuar së paku dy dokumente kryesore Programi Kombëtar për Zbatimin MSA-së dhe Agjenda Evropiane e Reformave”, tha Shasha për EkonomiaOnline.

“Në këto dy dokumente sipas vet institucioneve vetëm 2/3 janë zbatuar që i bie 1/3 nuk është zbatuar fare, ndërsa të agjenda e reformave vetëm 5 nga 22 prioritet u përmbushën. Arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit politik për të avancuar në fushat sikurse sundimi i ligjit, reforma në administratë publike dhe sektorët e tjerë”.

Në këtë aspekt ai thotë se kanë ndikuar edhe problemet e brendshme të BE-së.

“Nëse i analizojmë këto dy pengesa kryesore në rrugën tonë për të ndërmarrë reformat evropiane mund të konkludojmë mungesa e vullnetit politik është pengesë kryesore. Tani aspekti i dytë është ato problemet e brendshme të BE-së ku po kalon nëpër një proces evolutiv ku disa vende kanë këndvështrime të ndryshme se si duhet të shkojë zgjerimi përpara”, tha ai.