LAJMI I FUNDIT:

FH: Kosova, pjesërisht e lirë

FH: Kosova, pjesërisht e lirë

Raporti i Freedom House, edhe sivjet, e radhit Kosovën në mesin e vendeve pjesërisht të lira, së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi, Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën nga rajoni dhe me Pakistanin, Ukrainën, Kirgizinë, Armeninë e të tjera nga bota.

Te pjesa për rajonin e Ballkanit, raporti i Freedom House tërheq vërejtjen në veçanti për Malin e Zi, ku, siç thuhet, presidenti Millo Gjukanoviq ka vazhduar ta konsolidojë pushtetin shtetëror rreth vetes dhe klikës së tij, duke i shmangur standardet themelore të qeverisjes së mirë dhe duke tejkaluar rolin e tij kushtetues, raporton Rel.


Serbia, në raportin e vitit të kaluar, ka qenë në mesin e vendeve të lira, por ka rënë në kategorinë “pjesërisht e lirë”, për shkak të, siç thuhet, parregullsive zgjedhore, sulmeve ndaj gazetarëve të pavarur dhe mbledhjes de facto të kompetencave jashtëkushtetuese nga ana e presidentit Aleksandar Vuçiq.

Te pjesa për Evropën në përgjithësi, Freedom House thekson se dhuna ka arritur shtypin në Sllovaki, ku gazetari hulumtues, Jan Kuciak, është qëlluar për vdekje, pasi ka zbuluar lidhje korrupsioni midis zyrtarëve qeveritarë dhe krimit të organizuar.

Në Turqi, thuhet në raport, zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare dhe presidenciale janë zhvilluar nën gjendje të jashtëzakonshme, e cila është hequr më vonë, porse autoritetet “kanë vazhduar të angazhohen në spastrimet e institucioneve shtetërore dhe arrestimet e gazetarëve, anëtarëve të shoqërisë civile dhe akademikëve”.