LAJMI I FUNDIT:

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon librin më të ri të Muhamet Mustafës, “Udhëkryqi i dialogut Kosovë-Serbi”

Shtëpia Botuese “Dukagjini” promovon librin më të ri të Muhamet Mustafës, “Udhëkryqi i dialogut Kosovë-Serbi”

Libri më i ri shkruar nga profesor Muhamet Mustafa, “Udhëkryqi i dialogut Kosovë-Serbi”, u botua nga “Dukagjini Publishing”. Ky është një libër që krahas analizës së pasigurive dhe kundërthënieve që e përcjellin dialogun aktual, jep vështrim për ecurinë e negociatave midis përfaqësuesve të Kosovës dhe të Serbisë në vitet ’70, ’80 dhe ’90 të shekullit të kaluar, përfshirë edhe negociatat në Vjenë për procesin e pavarësisë.


Libri pasqyron në detaje paraqitjet, angazhimet dhe sugjerimet e autorit për problemet më madhore lidhur për negociatat që kanë filluar me 2011 e që tani, siç po thuhet, po hyjnë në fazën finale apo në “udhëkryq”.

Autori trajton me kompetencë aspektet e kornizës ligjore dhe institucionale të dialogut dhe problemet e palës Kosovare lidhur me qasjen, strategjinë dhe konsensusin nacional. Ai vë në dukje këto dobësi, veçmas tek rasti i zbatimit të parimit të barazisë dhe reciprocitetit midis palëve në dialog.

Libri përmban argumente lidhur me çështjen e pronësisë, aspektet ekonomike, nevojën për reparacioneve të luftës dhe dëmeve tjera të shkaktuara nga Qeveria serbe në Kosovë në vitet ‘90, duke e ilustruar këtë me rastin e Ujmanit dhe të Trepçës ku pala serbe tenton pa asnjë bazë që të bëhet hisenike.

Libri jep përgjigje në pyetjet:

    • Cilat ishin kundërshtimet e Serbisë për zhvillimin e autonomisë së Kosovës me elemente të shtetësisë nëpërmjet “Librit të kaltër” (1977)
    • Cili është kontinuiteti mbi 40 vjeçar në taktikën dhe strategjinë e Serbisë në negociatat me përfaqësuesit e Kosovës?
    • Cili është rreziku i një konflikti të ngrirë – në variantën më të keq?
    • Cilat janë bllofet dhe argumentet false të Serbisë në pretendimet e saj ndaj pronës shoqërore dhe publike të Kosovës?
    • Si u ndërtua dhe u financua Ujmani? Si u menaxhua “Trepça”?
    • Cilat janë shkarjet dhe moskonsekuenca në mbrojtjen e interesave ekonomike dhe të tjera në dialogun me Serbinë?
    • Pse nuk po arrihet konsensus lidhur me qasjen , strategjinë dhe objektivat në dialog me Serbinë ?
    • Pse përvoja në dialogun me Serbinë do duhej të shërbejë për të ndërruar hapat dhe qasjen në fazën “finale”?

“Udhëkryqi i dialogut Kosovë-Serbi” është në shitje në Librarinë “Dukagjini” si dhe – nëpërmjet rrjetit shpërndarës – në libraritë tjera.