LAJMI I FUNDIT:

Përfaqësuesja U-14 në basketboll pjesë e turneut ndërkombëtar në Rumani

Përfaqësuesja U-14 në basketboll pjesë e turneut ndërkombëtar në Rumani
(Foto: Basketbolli.com)

Pas turneut ndërkombëtar në Sofje të Bullgarisë që është organizuar në muajin shtator në kuadër të projektit të FIBA Evropës për Zhvillim të Gjeneratave të Reja (YDF), tani radha i vije turneut ndërkombëtar në Targu Jiu të Rumanisë, ku Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) do të përfaqësohet me dy ekipe (djem/vajza) deri në moshën 14 vjeçe.

Dy ekipe nga Kosova kanë udhëtuar mbrëmë për në Targu Jiu, ku prej 18 deri më 22 dhjetor do të jenë pjesë e turneut ndërkombëtar në kuadër të këtij projekti të FIBA Evropës që organizohet nga Federata e Basketbollit të Rumanisë.


Krahas Kosovës dhe Rumanisë, pjesë e këtij projekti janë edhe Federata e Basketbollit të Turqisë, Bullgarisë dhe Maqedonisë.

Përfaqësuesja jonë në të dyja konkurrencat do ti zhvilloj gjithsej nga katër ndeshje, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Në këtë turne kanë udhëtuar gjithsej 24 fëmijë (12 djem dhe 12 vajza), katër trajnerë dhe dy koordinatorë.

(Foto: Basketbolli.com)

Duhet theksuar se Federata e Basketbollit të Kosovës në dy vitet e kaluara ka qenë pjesë e këtij projekti të përbashkët me Federatat e lartpërmendura, por vetëm në konkurrencën e meshkujve, derisa në dy vitet e ardhshme ky projekt do të implementohet për të dyja konkurrencat, meshkuj dhe femra.

Në kuadër të këtij projekti dyvjeçar do të zhvillohen gjithsej pesë turne dhe dy Kampe Nacionale.