LAJMI I FUNDIT:

Gruas që i ranë djali dhe burri dëshmorë në luftë i ndalet pensioni për faturat e rrymës (Video)

Gruas që i ranë djali dhe burri dëshmorë në luftë i ndalet pensioni për faturat e rrymës (Video)

Shaha Haziri, të cilës i ranë dëshmorë në luftë djali dhe burri, jeton e vetme në fshatin Verbovc të Drenasit. Ajo nuk po arrinë të shlyejë borxhin ndaj KEDS-it me pensionin që merr nga kategoria e familjes së dëshmorit.

E moshuara 73-vjeçare, pos mërzisë për djalin dhe burrin e vrarë në luftë, tani ka edhe hall se si të jetojë pa të ardhura.

Ajo nuk po arrin ta shlyejë borxhin për rrymën e shpenzuar.


Për këtë, Kompania për Furizimin me Energji Elektrike e ka dërguar lëndën me borxhin e saj te përmbaruesi privat .

75 vjeçarja, ditën kur kishte shkuar ta marrë pensionin si familjare e dëshmorit,  e kishte kuptuar që nuk mund ta marr atë pasi i është ndalur për pagesën e energjisë elektrike.

Por, ajo thotë se e ka paguar këtë borxh.

“Ma ka ndalë pensionin për shkak të rrymës. Nuk e ka paguar rrymën asnjëherë më kanë thënë. Iu thash se nuk e kam paguar sepse më kanë thënë se e kam pa pare. Kur më kanë prurë letrën e kam paguar. Në fillim kam paguar 50 euro, pastaj 30 apo 40 ashtu si kam pasë”, tregon Shaha Haziri.

Se e ka paguar energjinë elektrike ajo ka edhe dëshmi.

Shaha në këtë shtëpi jeton e vetme. Për të kujdesen fqinjët e saj. Sipas urdhrit përmbarimor  shuma që duhet të paguaj  është  645 euro si dhe shpenzimet administrative.

Zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, tha se rasti nuk figuron si rast social apo përfitues si familje dëshmori në listën që e dërgon çdo vit Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale.

RTV Dukagjini ka kontaktuar me përmbaruesin që është caktuar nga Gjykata Themelore, për ta konfirmuar këtë lëndë.

“Ne nuk kemi qasje për ta parë se cilës kategori i përket personi. Na është dhënë urdhër që t’i ndalen mjetet, kjo pasi Banka Qendrore nuk na lejon të shohim se çfarë të ardhurash ka”, ka thënë përmbaruesi.

Pas njoftimit nga RTV Dukagjini, se bëhet fjalë për familje të dëshmorit  përmbaruesi konfirmoi se do t’i lirohet llogaria e Shahe Ahmetit, dhe nga muaji tjetër ajo do t’i marrë të hollat.

Në listën e Komisionit Qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të veteranëve, invalidëve, pjesëtarëve dhe të internuarve të UÇK-së, emri i Shahe Hazirit ekziston në listën e përfituesit si  familje e dëshmorit./RTV Dukagjini/Telegrafi/