LAJMI I FUNDIT:

KE paralajmëron Shqipërinë: Uleni Borxhin Publik

KE paralajmëron Shqipërinë: Uleni Borxhin Publik

Komisioni Evropian (KE) këshillon qeverinë shqiptare të vazhdojë politikën e uljes së borxhit publik dhe kredive të këqija duke përfituar nga momenti pozitiv i ekonomisë.

Në vlerësimin e fundit për ekonomitë e vendeve kandidate, komisioni vëren se rritja ekonomike e Shqipërisë u përshpejtua më tej në gjysmën e parë të këtij viti, e mbështetur nga investimet e huaja dhe rritja e konsumit të brendshëm.


Ekonomia shqiptare u rrit me 4.4 për qind në tremujorin e parë të vitit 2018. Kjo përbën rritjen 3-mujore më të lartë në tre vjet e gjysmë.

Sipas Komisionit, të gjithë përbërësit e kërkesës së brendshme kanë kontribuar pozitivisht në rritjen ekonomike, por efektin më të madh e kanë dhënë zgjerimi i konsumit privat dhe investimet e biznesit, shkruan TCH.

Konsumi privat ruajti rritjen solide prej 3 për qind, i mbështetur nga zgjerimi i punësimit dhe rritja e rrogave, veçanërisht në sektorin publik.

Sipas komisionit, rimëkëmbja e ekonomisë është shoqëruar me rritje të punësimit, veçanërisht në sektorin privat jobujqësor, ku numri i të punësuarve u rrit me 12.2 për qind krahasuar me një vit më parë. Por ky përmirësim i situatës ekonomike, sipas komisionit, duhet të shfrytëzohet nga qeveria për të ulur më shpejt borxhin e lartë publik dhe kreditë e këqija, dy tregues problematikë për Shqipërinë.

Shqipëria e ka të nevojshme të vazhdojë konsolidimin fiskal. Edhe pse borxhi publik u ul në 69% të prodhimit kombëtar, ky mbetet një nivel shumë i lartë.

Për gjithë vitin 2018 Komisioni Evropian vlerëson se ekonomia shqiptare do të rritet me 3.6%, ndërsa për vitin e ardhshëm parashikohet që rritja të arrijë në 3.9 për qind. /Telegrafi/