LAJMI I FUNDIT:

Katedra e shqipes pa gjysmën e profesorëve në UKM në Shkup

Katedra e shqipes pa gjysmën e profesorëve në UKM në Shkup

Tani e 15 vite, Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkup funksionon me numër minimal të profesorëve që ligjërojnë në gjuhën shqipe. Mirëpo, me daljen në pension të prof.dr. Avzi Mustafës dhe largimin nga jeta të prof. Qani Memetit, mungesat kadrovike kanë prekur kufirin e absurditetit. Studentët nuk kanë me kë të zhvillojnë ligjëratat të pakën në shtatë lëndë.

Ky është viti i dytë me radhë që Katedra e gjuhës dhe letërsisë shqipe në Shkup (KGJLSH) organizon studime me mungesë jashtëzakonisht të madhe të profesorëve, shkruan gazeta KOHA.

Jo që mungesa nuk kishte edhe përpara vitit akademik 2016/2017, por me daljen në pension të prof. dr.Avzi Mustafës vitin e kaluar, e para kësaj me largimin nga jeta të doc.dr. Qani Mehmetit, situata me mungesën e profesorëve ka prekur kufirin e absurditetit. Lëndët që mbanin këta dy ish-profesorë të KGJLSH-së nuk ka se kush ti ligjërojë as sot e kësaj dite, pasi Fakulteti Filologjik “Bllazhe Koneski” nuk ka bërë asgjë për të plotësuar vendet e tyre të punës me profesorë të rinj. Organizmi i zgjedhjeve duket se ka reflektuar negativisht në zgjidhjen e problemit, pasi vitin e kaluar – procedurat për plotësimin e vendeve vakante ishin stopuar për shkak të zgjedhjeve parlamentare, kurse këtë vit – për shkak të zgjedhjeve lokale. Për pasojë, të paktën shtatë-tetë lëndë mësimore me studentë të grupit të pedagogëve dhe të grupit të përkthyesve nuk zhvillohen fare. “Gjatë sesioneve të rregullta të provimeve, studentët iu nënshtrohen provimeve njëlloj si në lëndët e tjera, kurse notat firmosen nga profesorë që kanë të drejtën e mbulimit të notës”, shpjegon për KOHA Valbona Toska, shefe e KGJLSH-së, duke sqaruar se “mbulimi i notës është një mekanizëm, i cili përdoret nga të gjithë institucionet e arsimit të lartë me qëllim të shmangies së boshllëqeve ligjore që mund të krijonte nënshkrimi i notës nga asistentët të cilët edhe mund t’i mbajnë ligjëratat në mungesë të profesorëve me thirrjet përkatëse shkencore edhe akademike”.


Problemi me mos shpalljen e konkurseve për zgjedhjen e profesorëve për lëndët e metodikave dhe didaktikave, si dhe për lëndët e përkthimit dhe interpretimit bëhet ende më i rëndë për shkak se të gjithë janë lëndë të obligueshme dhe jo lëndë zgjedhore. Toska pohon se Katedra në bashkëpunim me fakultetin, kanë kërkuar plotësimin e vendeve vakante, mirëpo nuk ka ende asgjë në këtë drejtim. Në fakt, kërkesa në fjalë është përsëritje e asaj që është kërkuar disa vite radhazi. “Jemi në pritje të përgjigjes nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe shpresojmë se kësaj here do ti japin prioritet kërkesës sonë, pasi mungesat janë vërtetë të mëdha”, shprehet ajo. Shpresojmë, plotëson më tej Toska, se pas zgjedhjeve lokale, që do të organizohen në muajin tetor, do të merr një epilog pozitiv edhe çështja kadrovike në katedrën tonë. Nga ana tjetër, Ligji për arsim të lartë nuk u mundëson fakulteteve që të angazhojnë bashkëpunëtorë të jashtëm për ata lëndë në të cilat nuk kanë të punësuar profesor me marrëdhënie të rregullt pune.

Për pasojë, studentët e vitit të tretë dhe të katërt të grupit të pedagogëve nuk kanë se me kë të ndjekin ligjëratat në lëndët e metodikave të gjuhës, të letërsisë dhe metodologjinë e kërkimit shkencor edhe në vitin akademik 2017/2018. Studentët e grupit të përkthyesve kanë mbetur edhe këtë vit pa profesorë për një pjesë të madhe të lëndëve. “Sigurimi i dy profesorëve, njëri për drejtimin e pedagogëve dhe tjetri për drejtimin e përkthyesve, tani e dy viteve është nevojë urgjente”, shprehet shefja e KGJLSH. Katedra, shton më tej ajo ka nevojë për zgjerimin e kuadrit edhe në lëndë të tjera, por sigurimi i profesorëve për lëndëte lartë përmendura është jetike. Përndryshe, KGJHLSH tani e 15 vite punon me gjysmën e profesorëve të nevojshëm. Asnjëri prej profesorëve ligjërues nuk ka asistentin e vet, kurse një pjesë të konsiderueshme e lëndëve zhvillohen në gjuhën maqedonase.