LAJMI I FUNDIT:

Maqedoni, zgjedhje të reja apo zgjidhje për gjuhën shqipe?

Maqedoni, zgjedhje të reja apo zgjidhje për gjuhën shqipe?

Partitë politike vazhdojnë taktizimet me oferta dhe kundër-oferta edhe 20 ditë pas dështimit të VMRO-së që të formojë qeverinë e re. BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët janë në pritje të përgjigjes nga LSDM-ja lidhur me vërejtjen e paraqitura ndaj propozimit që partia e Zoran Zaevit u kishte dërguar partive shqiptare, për avancimin e statusit të gjuhës shqipe dhe pikave tjera të platformës së partive shqiptare, disa prej të cilave janë kusht për pjesëmarrjen e tyre në qeverinë e re.

Dy partitë shqiptare që janë përfshirë në bisedime, ditë më parë thanë madje se do të ketë nga ana e tyre propozim krejt të ri për gjuhën shqipe. Pa një marrëveshje me partitë shqiptare, LSDM-ja nuk mund të sigurojë 61 nënshkrime për të kërkuar mandatin nga Presidenti i shtetit për formimin e qeverisë së re. Ndërkohë, edhe njohësit e çështjeve politike janë të ndarë në qëndrime lidhur me krizën politike dhe pozicionin e partive në bisedime.

Vlladimir Bozhinovski, nga Instituti për Hulumtime Politike, thotë për Radion Evropa e Lirë se rezultati i ngushtë zgjedhor dhe platforma shqiptare tregojnë se Maqedonia vështirë se do të ketë qeveri të re, andaj zgjidhjen e sheh te zgjedhjet e reja parlamentare.


Ai fton dy partitë politike maqedonase, VMRO dhe LSDM që të bahen bashkë dhe të shpallin zgjedhje të reja. Kjo, sipas tij, do të ishte përgjigja më e mirë ndaj platformës kushtëzuese të partive politike shqiptare, e cila sipas Bozhinovskit, rrënon themelet e karakterit unitar të shtetit të Maqedonisë.

Por, ndryshe nga ai vlerëson Arsim Sinani, njohës i çështjeve politike dhe drejtues i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Hulumtime Ballkanike. Sipas tij, qytetarët në zgjedhje kanë votuar për ndryshime dhe kjo duhet të ndodhë sa më parë, thotë ai.

Ndërsa, i përket platformës shqiptare, Sinani mendon se ajo është reale, duke marrë parasysh shumë çështje të pazgjidhura etnike të shqiptarëve që nga pavarësia e Maqedonisë, apo që nga arritja e Marrëveshjes së Ohrit në vitin 2001, në veçanti ajo që ka të bëjë me zyrtarizimin e gjuhës shqipe.

Pas dështimit të partisë liderit të VMRO-së, Nikolla Gruevski që të formojë qeverinë e re, nuk ka një afat të përcaktuar me Kushtetutë se kur Presidenti do t’i japë mandatin ndonjë lideri tjetër partiak për nisjen e bisedimeve të reja. Ai ka thënë se këtë do ta bëjë pasi të jetë njoftuar nga ndonjëri prej tyre se ka siguruar numrat e nevojshëm për formimin e qeverisë së re./Telegrafi/