LAJMI I FUNDIT:

Kroacia ndërton gardh në kufirin me Serbinë

Kroacia ndërton gardh në kufirin me Serbinë

Komunikacioni në kufirin Bezdan-Batina, në anën kroate gjatë dy netëve të shkuara u ndalua dhe mediet kroate kanë raportuar se kjo ka ndodhur për shkak të ndërtimit të gardhit.

“Jutarnji list” i Zagrebit, bën të ditur se Drejtoria e Policisë të Osjek-Baranje kishte njoftuar se kanë vazhduar punimet e nisura një natë më parë për ndërtimin e gardhit në pikëkalimin kufitar me Serbinë nga ana kroate, transmeton Koha.net.

Për arsyet e ndërtimit të papritur të gardhit në kufirin me Serbinë, policia nuk ka sqaruar, shton gazeta kroate. Por kjo është hera parë që Kroacia ndërton gardh në kufi ndaj ndonjë vendi fqinj të saj.


HRT (televizioni publik kroat), ka njoftuar se në afërsi të vendkalimit nga ana serbe ndodhet një grup i madh refugjatësh, dhe se ky është shkaku i ngritjes së këtij gardhi. Thuhet se në Sombor kanë mbërri 700 refugjatë dhe se kufiri është mbyllur si masë parandaluese.

Në pikëkalimin kufitar Batina të mërkurën në mbrëmje, pak pas orës 20 është ndërprerë komunikacioni nga ana kroate dhe nga ajo serbe pa ndonjë paralajmërim as sqarim. Për pasojë është krijuar rrëmujë e madhe.