LAJMI I FUNDIT:

Shefi i UNMIK-ut: Përkundër dhunës politike nga opozita, Kosova ka shënuar progres

Shefi i UNMIK-ut: Përkundër dhunës politike nga opozita, Kosova ka shënuar progres

Përfaqësuesi Special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, mori pjesë në takimin e parë në Këshill të Sigurimit për vitin 2016 në lidhje me Kosovën, ka thënë se takimi po mbahet pas zhvillimeve të dukshme në vend, duke iu referuar zgjedhjes së Presidentit të Kosovës të premten.

Sipas tij, ky është vit në të cilin Kosova do të përballet me sfida komplekse, dhe më pas bëri një përmbledhje të ngjarjeve që e kanë përshkuar vitin 2015.

“Muajve të fundit, polarizimi i sferës politike në Kosovë ka arritur në ato nivele ku është penguar progresi, pavarësisht përpjekjeve të konsiderueshme nga ana e Qeverisë për të ndjekur agjendën ambicioze të reformave. Ekstremet e antagonizmi politik kanë shkelur në mënyrë të qartë normat themelore demokratike. Shembulli më i dukshëm i kësaj ka qenë përdorimi i vazhdueshëm i dhunës nga opozita për të penguar Kuvendin e Kosovës, por edhe institucionet tjera qeveritare, të kryejnë punën e tyre. I jam bashkuar shumë kolegëve të mi të komunitetit ndërkombëtar për të theksuar se zbatimi “i rregullave demokratike të lojës” është më shumë sesa thjeshtë përgjegjësi e të gjithë liderëve politikë. Edhe kjo që fuqizon zërat dhe mesazhet e të gjithë aktorëve të vërtetë politikë në procesin demokratik, përfshi edhe opozitën, e cila në të kundërtën do të jetë e shkapërderdhur dhe e humbur”, ka thënë Tanin.


Ai theksoi se politika duhet të reflektojë dhe ndoshta të zhvendosë përqendrimin lokal dhe ndërkombëtar nga betejat politike në drejtim të çështjeve më themeltare.

Sipas tij, liderët politikë do të duhej të jenë më shumë në kërkim të mundësive për bashkëpunim rajonal, sesa të përqendrohen në interesa të kufizuara politike.

Më tej, shefi i UNMIK-ut tha se pavarësisht ngjarjeve të fundit, është me rëndësi të theksohet se shumë përkushtime qenësore të bëra nga lidershipi politik i Kosovës kanë mbetur të palëkundura.

“Këtu përfshihet vazhdimi i normalizimit të marrëdhënieve me Beogradin përmes dialogut të lehtësuar nga BE; përmbushja e obligimeve fiskale dhe financiare të caktuara nga kreditorët ndërkombëtarë; dhe plotësimi i kushteve të nevojshme për themelimin e plotë të gjykatës speciale”, ka thënë shefi i UNMIK-ut në fjalën e tij në Këshill të Sigurimit në OKB, raporton Koha.net.

Ai ka përmendur edhe disa hapa të rëndësishëm që janë ndërmarrë drejtë fuqizimit të perspektivës evropiane të Kosovës gjatë vitit të kaluar, dhe në të njëjtën kohë, thotë se këta hapa janë përcjellë me vlerësime të detajuara, e në disa raste edhe me vlerësime kritike, nga organe evropiane mbi kushtet dhe efiçiencën e institucioneve publike, posaçërisht të gjyqësisë së Kosovës, duke iu referuar në veçanti raportit të Komisionit Evropian “Kosova 2015”, si dhe raportit të fundit të Këshillit të Evropës, “Situata në Kosovë”, mes tjerëve.

Shefi i UNMIK-ut ka folur edhe për respektimin e ligjit që tha se është sfidë e madhe në shumë vende të botës. Ai potencoi se megjithëse Kosova ka kornizë të fuqishme legjislative, zbatimi i saj vazhdon të jetë i pamjaftueshëm duke u thirrur edhe në ndërhyrjet politike që i bëhen drejtësisë.

“Korrupsioni në shumë nivele rrit frustrimin publik, dëmton jetët e përditshme të të gjithë njerëzve në Kosovë duke dobësuar kështu zhvillimin ekonomik dhe mundësitë, dhe rrezikon besimin në sistemin politik”, ka potencuar Zahir Tanin.

Megjithatë, ai thotë se agjendat politike në disa raste zhvendosin vëmendjen nga sfidat serioze të zhvillimit ekonomik në Kosovë.

“Siç ka thënë edhe Qeveria, duhen përpjekje intensive për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e mundësive, të cilat do të ulnin tensionet politike. Pavarësisht burimeve të jashtme natyrore dhe njerëzore, pak mundësi janë hapur për investime të mëdha. Papunësia është në nivele të larta. Edukimi duhet të modernizohet dhe të depolitizohet. Praktika të dëmshme ambientale, që ndikojnë dukshëm në shëndetin publik, duhet të adresohen sistematikisht”, tha Tanin.

Tutje, ai foli edhe për kornizën legjislative të Kosovës për garantimin e mbrojtjes së të drejtave të njeriut dhe atyre themelore. Për këtë, ai tha se Kosova ka kornizë të mirë ligjore, por se zbatimi i saj është i pabarabartë dhe ndikohet direkt nga tensionet politike dhe ndër-komunitare, raporton Koha.net.

“Marrëveshja e fundit e nënshkruar për objektin e ri të Ombudspersonit të Kosovës, në pajtim me parimet e Parisit, si dhe emërimi i një kryesuesi të ri të delegacionit të Prishtinës për Grupin e Përbashkët Punues për Personat e Zhdukur, janë zhvillime të kohës së fundit. Ligjet dhe programet e hartuara për mbrojtjen e të drejtave të grupeve minoritare dhe mbrojtjen e trashëgimisë kulturore vazhdojnë të mbesin brenda të vërteta, bashkë me realizimin e të drejtave pronësore, si dhe qasjen ende të limituar të femrave ndaj pronës”, ka thënë ai.

Për më tepër, shefi i UNMIK-ut foli edhe për raportet mes institucioneve të Kosovës dhe kishës ortodokse serbe, duke theksuar se gjatë vitit të kaluar janë shënuar hapa prapa.

Përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, foli edhe për çështjen e refugjatëve nga Lindja e Mesme që kanë vërshuar Evropën vitin e kaluar.

Ai tha se planifikimet e Kosovës në këtë drejtim, pra për pritjen e mundshme të këtyre refugjatëve, duhet të mbështeten dhe të përfitojnë nga burimet ndërkombëtare.

Ndërkaq, për sa i përket radikalizmit, ekstremizmit, trajnimeve terroriste dhe financimeve, por edhe trafikimit me qenie njerëzore dhe armë, Tanin tha se duhet të sigurohen kapacitete adekuate institucionale dhe reagime ndaj këtyre problemeve.

“Prezenca e grupeve që nxisin radikalizëm dhe fenomeni i luftëtarëve të huaj terroristë janë sfida të cilat kërkojnë partneritet të afërt dhe efikas të autoriteteve të Kosovës me organet rajonale dhe ndërkombëtare. Strategjia e Kosovës për parandalimin e ekstremizmit të dhunshëm duhet të përfitojë nga mbështetja e gjerë ndërkombëtare”, ka potencuar ai, raporton Koha.net.

Në përmbyllje të fjalimit të tij, përfaqësuesi special i Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së dhe Shefi i UNMIK-ut në Kosovë, Zahir Tanin, tha se dialogu mes Prishtinës dhe Beogradit është qenësor ndërsa shtoi se suksesi i tij përfundimtar duhet të rezultojë në bashkëpunim me të gjithë liderët e rajonit.

Në trend Lajme

Më shumë
Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Mysafirët nga Serbia e njoftojnë Kurtin: Beogradi po planifikon zhvendosjen e serbëve të Kosovës për në Sanxhak

Siguri
Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për të plagosur

Të shtëna me armë zjarri në Prishtinë, dyshohet për të plagosur

Kronika e Zezë
Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Vrapi me pengesa i turizmit në Shqipëri: Rritja e pajustifikuar e çmimeve la shezlongët bosh

Lajme
“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr

“Nuk jam takuar me Putinin prej dy vitesh”, Musliu nxjerr "bllof" Vuçiqin për deklaratat në Pragë

Siguri
SHBA-të çmojnë Osmanin për bashkëpunim, nga politologët vlerësohet si mesazh për Qeverinë

SHBA-të çmojnë Osmanin për bashkëpunim, nga politologët vlerësohet si mesazh për Qeverinë

Lajme
Gratë shqiptare evitojnë një tragjedi shumë më të madhe në Gjermani

Gratë shqiptare evitojnë një tragjedi shumë më të madhe në Gjermani

Lajme
Kalo në kategori