LAJMI I FUNDIT:

Në “Çarshinë e Madhe” u hap Qendra Multifunksionale e Bizneseve

Në “Çarshinë e Madhe” u hap Qendra Multifunksionale e Bizneseve

Në “Çarshinë e Madhe” sot zyrtarisht është bërë hapja e Qendrës Multifunksionale të Bizneseve në Gjakovë, projekt ky që është implementuar nga Qendra Kosovare për Zhvillim në partneritet me Komunën e Gjakovës.

Kjo qendër është e përfshirë në kuadër të projektit: “Perëndimi mendon në biznes – mundësimi i mjedisit të biznesit në rajonin perëndimor” financuar nga Bashkimi Evropian dhe është menaxhuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.

Destan Krasniqi, drejtor ekzekutiv në Qendrën Kosovare për Zhvillim, ka prezantuar të gjitha aktivitet e projektit, përfshirë edhe certifikimin e Komunës së Gjakovës me ISO standarde si e para Komunë në Kosovë. Ai ka pohuar se i tërë ky projekt që finalizohet me hapjen e kësaj qendre arrin vlerën në 519,732.00 euro, prej së cilës Bashkimi Evropian ka ndarë 405,394.00 euro ndërsa Komuna e Gjakovës 114,342.00 euro.


Qendra Multifunksionale e Bizneseve në Gjakovë është e pajisur me teknologji informative dhe me infrastrukturë përcjellëse, për të cilën Destan Krasniqi ka falënderuar Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe Komunën e Gjakovës.

Ndërsa, Dardan Sadriu, përfaqësues i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, ka theksuar se ky është një projekt që ofron shumë për këtë rajon dhe forcon bashkëpunimin e bizneseve në rajonin perëndimor.
“Zyra e BE-së në Kosovë mbetet e përkushtuar që të mbështesë zhvillimin ekonomik dhe hapja e kësaj qendre është një pikënisje për menaxhim të suksesshëm dhe funksionalizim të saj” ka theksuar Sadriu.

Në emër të kryetares së Komunës së Gjakovës, Mimoza Kusari Lila, finalizimin e këtij projekti dhe hapjen e Qendrës Multifunksionale të Bizneseve e ka përshëndetur Xhelal Hoxha, drejtor i Drejtorisë së Urbanizmit dhe Mbrojtjes së Mjedisit, i cili ndër tjera ka bërë të ditur se në këtë qendër do të funksionojë edhe Zyra Komunale për Promovimin e Investimeve.
“Duke qenë se ndodhemi përballë sfidave të rënda të ndryshme sociale dhe ekonomike, ky është edhe një hap konkret për komunitetin e biznesit dhe i mundësive të krijimit të ideve të reja. Për të arritur një synim nuk është gjë e lehtë, por as e vështirë kur ka ide, bashkëpunim dhe mbështetje” ka theksuar në fjalën e rastit drejtori Xhelal Hoxha, teksa ka falënderuar Bashkimin Evropian dhe Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, si dhe Qendrën Kosovare për Zhvillim e cila në partneritet me Komunën është bartëse e këtij projekti. /Telegrafi/