LAJMI I FUNDIT:

Ligji për Obiliqin do të rregullonte problemet mjedisore në rajon

Ligji për Obiliqin do të rregullonte problemet mjedisore në rajon

Termocentralet e KEK-ut, depoja e Mirashit, grumbullimi i mbeturinave të hirit thëngjillit, deponit ilegale etj, ndikojnë që Komuna e Obiliqit të njihet si komuna më e ndotur në vend.
Kështu u tha në tryezën e e organizuar nga Friedrich Ebert Stiftung, me temë: “Cilat janë arritjet dhe sfidat për përmirësimin e mjedisit në Komunën e Obiliqit”.

Këshilltari politik i ministrit të MMPH-së, Agim Qehaja, me këtë rast ka pohuar se si ministri e Mjedisit janë të vetedijeshëm se banorët e kësaj komune përballen me probleme të cilët pjesa më e madhe janë të lidhura me praninë e termocentraleve në qytet.

“Në territorin e kësaj komune operojnë termocentrale të cilat shkaktojnë ndotje të madhe. Andaj, si pasojë e kësaj ndotje, shkaktohen dëme të mëdha në mjedis, kontaminim të tokës, ajrit, ujit dhe ndikime negative në shëndet”, tha Qehaja.


Sipas tij, Kosova ka një kornizë të elaboruar ligjore për mbrojtjen e mjedisit, mirëpo, Zbatimi i legjislacionit mjedisor mbetet sfidë e madhe.

Ai ka bërë të ditur ligjet kryesore që kanë të bëjnë me mjedisin që përfshijnë ligjet e mbrojtjes mjedisore, vlerësimin e ndikimit mjedisor, vlerësimin strategjik mjedisor, ujërat e Kosovës, mbrojtjen e ajrit, menaxhimin e mbeturinave, kontrollin e integruar për parandalim të ndotjes, etj.

“Rishikimi funksional, duke krahasuar direktivat, rregulloret dhe vendimet e BE-së me aktet e nxjerra në Kosovë, ka treguar se kërkohet punë e madhe për ta sjellë Kosovën në vijë me direktivat e BE-së, në veçanti në nxjerrjen e udhëzimeve administrative.
Ndërsa ka shtuar se Ligji për Obiliqin do të rregullonte problemet mjedisore në rajon.

Ndërsa kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, pohoi se qytetarët e Komunës së Obiliqit janë më të rrezikuarit nga sëmundjet që shkaktohen nga djegia e qymyrit.

“Shumë banorë që jetojnë përreth termocentraleve ankojnë nga sëmundje të ndryshme të frymëmarrjes, kancerit, sëmundje kardio-vaskulare, sëmundje të syve, etj”, tha Gashi.

Po ashtu edhe deponia regjionale e Mirashit, u vlerësua si shumë e dëmshme ngase lëshon erëra të rënda dhe ndikon negativisht në gjendjen e mjedisit. Kjo është konstatuar edhe nga ana e eksperteve te Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit ne Kosovë. /Telegrafi/