LAJMI I FUNDIT:

Tregimi i shqiptares në listën e ngushtë të “Scots Book Prize”

Tregimi i shqiptares në listën e ngushtë të “Scots Book Prize”

Është një tregim jo shumë i njohur, që përcjell mesazhin e kurajës dhe mbijetesës, shkruar nga një refugjate shqiptare, e cila iku nga spastrimi etnik, pasi kapi fluturimin e mëshirës nga Ballkani në Glasgow, në Skoci, për trajtim të kancerit të gjirit.

“Shadow Behind The Sun”, libër ky që tregon tregimin e Remzije Sherifit dhe familjes së saj, fillimisht ishte shtypur në vetëm 2000 kopje dhe ishte publikuar nga një kompani e vogël në Dingwall të Skocisë. Por këto ditë ishte në mesin e titujve në listën e ngushtuar të çmimit më të pasur të librit në Skoci, përkrah emrave eminentë të letërsisë britanike.

AL Kennedy, Ali Smith, Andrew Marr, Alasdair Gray dhe John Burnside, janë të gjithë në reshtin e parë të shpërblimeve të “Sundial Scottish Arts Council”.

Në kontrast me vëmendjen që iu kushtua novelës “Day”, fituese e disa çmimeve, shkruar nga AL Kennedy apo “History of Modern Britain” e Andrew Marr, libri i saj doli vitin e kaluar nga një publikues i regjionit Highlands të Skocisë, “Sandstone Press”.


Tregimi i znj Sherifi u ndihmua nga vullnetarët që t’i përmirësohej gramatika dhe fjalori. Libri ndoshta nuk është i lustruar si rivalët e tij, por shpallja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia e bën atë unik në lidhje me këtë aktualitet. Kritiku i gazetës “Scotsman” e quajti atë “një lexim magjeps”.

“Juria zgjedhëse ndjeu se ishte një zë i ri dhe kuptimplotë në peizazhin e letërsisë”, tha Gavin Wallace, kreu i literaturës pranë SAC, dhe kryesues i jurisë së çmimit. “Është një përshkrim shumë direkt, personal dhe pikëllues i krizës së Kosovës. Mënyra sesi i qaset eksperiencës së refugjatëve në Kosovë dhe kudo tjetër është shumë e fuqishme.”

Znj. Sherifi jetoi në Gjilan, Kosovë, deri atëherë kur serbët dogjën shtëpinë e tyre dhe vranë një fqinj të vjetër. Ajo me familjen iku në Maqedoni.

Në vitin 1999 ajo ishte në fluturimin e parë për Skoci, me 145 refugjatë kosovarë, me mjekët të cilët po i diagnostifikonin një kancer të mundshëm në gji.

Ajo shkruan rreth tmerrit të luftës në Kosovë dhe se si ajo, burri i saj dhe tre bijtë e tyre ia filluan jetës prapë, përfshi edhe tregimet nga azilkërkues të tjerë, me të cilët ajo tani punon në Glasgow. Autorja, ish-gazetare radioje, tha: “Kjo është një kohë e duhur, që njerëzit të dinë më shumë rreth të vërtetës së Kosovës dhe nëpër atë që kaloi populli i Kosovës. Është shumë vështirë që të lësh çdo gjë mbrapa; nuk di gjuhën dhe ajo që ti sjellë në supet e tua nga e kaluara, nuk është e kuptueshme për njerëzit. Jam e lumtur se tani libri ka nxitur kureshtje”.

Këtë vit, në listën e ngushtë për çmim janë zgjedhur shtatëmbëdhjetë tituj, sponsorizuar nga “Sundial Properties”, për fiksion, jo-fiksion, poezi dhe libër të parë.

Fituesit e çmimit do të prezantohen nga komiku i njohur Rory Bremner, në festivalin “Borders Book”, festival që do të mbahet në Melrose në qershor të këtij viti. /korrieri/