LAJMI I FUNDIT:

“Loja” kushtuar Faruk Begollit

“Loja” kushtuar Faruk Begollit

Në ditën e fundit të vitit që lamë pas, doli nga shtypi numri i dytë i revistës teatrore Loja. Ky numër i ri, me 163 faqe dhe 14 rubrika të ndryshme, tematikisht, në një pjesë të konsiderueshme të shkrimeve të tij, i kushtohet aktorit Faruk Begolli.

Shkrimeve të shumta u paraprin editoriali (i shkruar nga kryeredaktori Bekim Lumi), i cili, nën titullin “Zogjtë e qiejve”, u përkushtohet artistëve Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi, Faruk Begolli dhe Serafin Fanko, të cilët ndërruan jetë gjatë vitit 2007.

Më tutje, varësisht nga rubrikat përkatëse, përmes shkrimeve autoriale apo të përkthyera, paraqiten autorë shqiptarë dhe të huaj. Një pjesë më vete përfaqëson rubrika In memoriam. Në kuadër të kësaj rubrike zënë vend biografitë përkatëse të aktorëve tashmë të ndjerë: Kadri Roshi, Sulejman Pitarka, Violeta Manushi e Faruk Begolli, si dhe biografia e regjisorit, po ashtu të ndjerë, Serafin Fanko.

Menjëherë pas saj, pason rubrika Portrait Memory, e cila, përmes nëntë shkrimeve të ndryshme autoriale, i përkushtohet aktorit Faruk Begolli.


Të gjitha shkrimet, origjinale ose të përkthyera, shoqërohen nga fotografi të shumta, si dhe, në pjesën më të madhe, nga biografitë përkatëse të autorëve të tyre.

Loja është mbështetur materialisht nga Zyra Franceze e Ndërlidhjes në Prishtinë, përkatësisht nga Shërbimi për Bashkëpunim dhe Veprimtari Kulturore i kësaj zyre, si dhe nga Teatri Dodona dhe nga Qendra e Arteve Vizuele Multimedia.

Numri i dytë i revistës teatrore Loja do të jetë në shitje në dy libraritë kryesore të kryeqytetit: në Librarinë Dukagjini dhe në Librarinë Toena në Institutin Albanologjik.