LAJMI I FUNDIT:

Rotterdami konsideron testimin e rrugëve plastike: Ja si do të jenë ato!

Rotterdami konsideron testimin e rrugëve plastike: Ja si do të jenë ato!

Holanda mund të bëhet shteti i parë që të shtrojë rrugë nga shishet e plastikës pasi që Këshilli i Qytetit të Roterdamit ka thënë se po konsiderojnë mundësinë e testimit të një sipërfaqeje të rrugës, e cila cilësohet nga prodhuesit si një alternativë më e pastër nga asfalti.

Kompania ndërtimore “VolkerWessels” ka shpalosur një plan të premten për një plan ku sipërfaqja e rrugës ndërtohet nga plastika e ricikluar, e cila sipas tyre kërkon më pak mirëmbajtje se asfalti dhe se mund të përballoje temperatura -40 gradë celsius dhe 80 gradë celsius, shkruan The Guardian.

Sektorët mund të prodhohen në një fabrikë dhe mund të transportohen në vendin ku ka nevojë, duke ulur kështu kohën e ndërtimit në vendin e ngjarjes, gjë që do të rezultonte edhe në një trafik më pak të ngjeshur.

Ata besojnë që do të arrijnë të testojnë rrugën e parë plastike brenda 3 viteve, transmeton lajmi.net.


Ndërsa Jaap Peters, nga byroja e inxhinierisë e këshillit të qytetit ka thënë se besojnë dhe shpresojnë se do të arrihet një gjë e tillë.

“Ne jemi shumë pozitivë sa i përket ndërtimit dhe zhvillimit të rrugës plastike. Roterdami është një qytet që është i hapur për eksperimente. Ne kemi një “laborator rruge” në dispozicion ku zbulime të tilla mund të testohen”, ka thënë Peters.

Edhe hartuesit e projektit janë shumë pozitivë dhe mendojnë që brenda tre viteve do të arrijnë ta realizojnë edhe provën e parë, ndërsa, mendojnë se pikërisht Roterdami është një qytet i duhur, i cili ka në dispozicion dhe ofron vende për të provuar eksperimente të tilla.