LAJMI I FUNDIT:

60 milionë euro më pak nga emigracioni

60 milionë euro më pak nga emigracioni

Mërgimtarët kosovarë vazhdojnë të mbështesin financiarisht familjet e tyre në Kosovë. Por si pasojë e krizës ekonomike globale, dërgesat e tyre sivjet kanë shënuar rënie prej 10 deri në 12 për qind krahasuar me një vit më parë. Kështu thonë zyrtarë të Bankës Qendrore të Kosovës. Ndërkaq sipas ekspertëve të ekonomisë, qeveria duhet të fokusohet në tërheqjen e investimeve të diasporës, jo vetëm për mbajtjen e konsumit....

Dërgesat e mërgimtarëve kosovarë që njihen si remitanca, vazhdojnë të jenë shumë të rëndësishme për konsumin e ekonomive familjare në Kosovë. Por, ato sivjet kanë rënë si pasojë e krizës ekonomike që ka prekur shumë vende në të cilat ata punojnë. Kështu thotë për Radio Kosovën (RTK), zëvendës guvernatori i Bankës qendrore të Kosovës, Gani Gërguri:

“Të dhënat që kemi në dispozicion flasin për një rënie të dërgesave të emigrantëve, ne presim një rënie në një zonë nga 10 deri në 12 për qind sipas shënimeve që ka BQK-ja”, ka sqaruar z. Gërguri.

Gërguri thotë se remitancat gjatë vitit të kaluar kanë qenë rreth 530 milionë euro, kurse sivjet ato pritet të jenë rreth 50 deri në 60 milionë euro më të ulëta. Por gjatë fundvitit pritet një fluks mërgimtarësh, prandaj edhe projeksionet e BQK-së mund të ndryshojnë, thotë Gërguri.


Nga ana tjetër, profesori i ekonomisë në Universitetin e Prishtinës, Isa Tahiri, thotë se remitancat mund të rritën në masë të vogël gjatë vitit të ardhshëm. Por sipas tij, qeveria duhet të krijojë mjedis të favorshëm dhe politika atraktive për stimulimin e mërgimtarëve që të investojnë në Kosovë, jo thjesht të mbështesin konsumin e familjeve.

Banka Qendrore, të dhënat zyrtare të remitancave i harton duke u bazuar në qarkullimin e parave përmes kanaleve zyrtare të sektorit financiar dhe përmes raportimit statistikor të transaksioneve ndërkombëtare, të cilat bankat komerciale në Kosovë i bëjnë në Bankën Qendrore të Kosovës. Por sipas vlerësimeve, në treg qarkullojnë edhe shumë para të gatshme, që nuk përfshihen në këto të dhëna. /rtklive/