LAJMI I FUNDIT:

500 kilometra rrugë dytësore për këtë vit

500 kilometra rrugë dytësore për këtë vit

Bordi Drejtues i Fondit Shqiptar të Zhvillimit (FSHZH), qe kryesohet nga ministri Genc Pollo miratoi të martën buxhetin për vitin 2011 me një vlerë totale prej 10 milionë dollarë amerikane ose sa dyfishi i buxhetit të vitit 2010 dhe katërfishi i buxhetit të vitit 2009, financuar nga bankat zhvillimore dhe buxhetit të shtetit.

Pollo tha se gjatë vitit 2010 u zbatuan kontrata në vlerë 100 milionë dollarë amerikanë dhe janë siguruar 233 milionë dollarë amerikanë për projekte në vijim.

“Për këtë vit, buxheti dyfishohet për projektin ‘Rrugët Dytësore’ për të ndërtuar afro 500 kilometra rrugë në gjithë vendin. Projekti i iniciuar në vitin 2008 me vlerë totale rreth 400 milionë dollarë amerikanë, që pritet të rritet, financohet nga Qeveria shqiptare dhe banka zhvillimore, si Banka Botërore, CEB, BEI, BERZH, IPA OFID, Banka Islamike për Zhvillim (IDB). Ky projekt është vlerësuar i shkëlqyer nga Banka Botërore. Gjithashtu sapo është negociuar me KfW dhe IPA për një projekt për uljen e varfërisë me vlerë afro 41 milionë dollarë amerikanë për rrugët rurale dhe ujësjellsat në Qarqet Shkodër, Kukës e Dibër”, tha Pollo.

FSHZH në bashkëpunim me Ministrinë e Financave do të shohë mundësinë për përdorimin e prokurimit elektronik në projektin e Rrugëve Dytësore e Lokale. /Telegrafi/