0Shares

Ka shumë mënyra për të zhdukur qimet apo pushin e fytyrës, disa prej të cilave mund t’i bësh edhe vetë në shtëpi. Disa nga këto trajtime janë të shtrenjta, por të përhershme, ndërsa disa të tjera janë më të lira.

Më poshtë ke një listë me mundësitë më të mira, si dhe arsyet pro dhe kundër.

1. Depilimi

Depilim është një alternativë e mirë për heqjen e qimeve të padëshiruara të fytyrës. Mund të përdorësh disa strisha që i gjen në çdo dyqan me produkte kozmetike ose edhe një lloj dylli profesional, i cili është enkas për depilimin e qimeve të fytyrës. Pas përdorimit të dyllit, lëkura është më e butë, por disave mund t’u krijohen edhe puçrra.

Pozitive: Qimet hiqen me rrënjë dhe pothuaj të gjitha, kështu që rezultati mund të zgjasë. Shumë gra betohen se sa më shumë ta përdorësh dyllin, aq më pak dalin qimet në të ardhmen.
Negative: Depilimi është një mënyrë e dhimbshme dhe nga nxehtësia e tij mund edhe të djegësh lëkurën.

2. Depilimi me sheqer

Është një metodë që përgatitet vetë dhe që i heq qimet nga rrënja. Është një metodë më pak e dhimbshme. Mund të blesh një lloj sheqeri enkas për depilim dhe ta përgatitësh vetë në shtëpi ose edhe në qendra estetike mund ta kërkosh një të tillë. Është një mënyrë që pastron shumë mirë qimet e fytyrës.

3. Krem depilimi

Kremrat e depilimit mund t’i gjesh rëndom në çdo barnatore. Janë një alternativë e mirë për të hequr qimet e fytyrës, ndonëse nuk i heqin ato nga rrënja. Mënyra e përdorimit është mjaft e thjeshtë. Përhap kremin e bardhë në të gjithë sipërfaqen ku ke qime dhe pas disa minutash, qimet janë zhdukur. Disa kremra që përmbajnë kimikate të forta mund të japin alergji në lëkurë, ndaj me to duhet pasur kujdes.

Pozitive: E shpejtë dhe pa dhimbje.
Negative: Këto lloj kremrash kanë një përmbajtje të lartë kimikatesh dhe mund të mos jenë efikase tek disa njerëz. Ndodh edhe të mos kenë të njëjtin rezultat kur qimet janë të trasha apo kur lëkura është e ndjeshme. Për të shmangur djegiet e lëkurës në këto raste, është mirë që fillimisht ta provosh në këmbë ose në krah, për të parë nëse lëkura të irritohet.

4. Fije (Pe)

Kohët e fundit, depilimi me pe i vetullave dhe i buzës së sipërme është një metodë mjaft efikase. Por edhe këtu ka diçka: fijet mund të mos lëndojnë, por nuk kanë rezultat të njëjtë në çdo pjesë të fytyrës. P.sh. në zonën e ballit, është e vështirë të depilohet në këtë mënyrë, edhe sepse është mjaft e dhimbshme.

Si funksionon? Estetja krijon një lidhje dyfishe të një fijeje pambuku me të cilën kap qimet që nga rrënjët. Kjo mënyrë është përdorur fillimisht për vetullat dhe më pas për qimet mbi buzën e sipërme. Pasi u pa mjaft rezultative, estetët filluan ta përdorin për të gjithë fytyrën.

Është një lloj trajtimi që nuk e gjen në çdo qendër estetike. Nëse e gjen, je me fat. Këtë lloj teknike mund ta mësosh edhe vetë në internet.

5. Piskatore

Nëse ke vetëm disa qime për të hequr, piskatorja është opsioni më i mirë. Vetëm sigurohu që të gjesh një piskatore që i ka tehet të pjerrët.

6. Elektroliza

Elektroliza do të heqë qimet përgjithmonë. Është një metodë e kushtueshme (nga 60 dollarë në një seancë, dhe mund të kesh nevojë deri në 20 ose më shumë seanca). Megjithatë, nëse vendos të ndjekësh këtë metodë, sigurohu që klinika të jetë e licensuar.

Pozitivja e kësaj metode është se heqja e qimeve është e përhershme. Negativja, është një metodë e kushtueshme dhe gjithashtu, pak e dhimbshme. Duhet të shkosh disa herë për të pasur rezultatin final, pra që qimet nuk do të dalin më.

7. Laseri

Kjo është një mënyrë e mirë për gratë që kanë një lëkurë të bardhë dhe qime të errëta në lëkurë. Metoda me laser nuk rekomandohet për qime të zbehta dhe të bardha në fytyrë. Heqja e qimeve me laser është e kushtueshme dhe e dhimbshme, por rezultatet mund të jenë të përhershme.

8. Rruajtja

Rruajtja nuk është një alternativë e mirë për fytyrën. Ndoshta është një mit që qimet do të bëhen më të trasha, por ajo që është e sigurt është se lëkurën do ta ndiesh gjithmonë të ashpër. Qimet që nuk shkulen, por priten janë më të predispozuara të dalin shpejt dhe më të shëndetshme. Kjo është edhe arsyeja pse qimet dalin më të buta pas përdorimit me dyllë. Rruajtjen mund ta përdorni në këmbë ose në bikini.

Nëse mendon se nuk ke zgjidhje tjetër dhe kjo është mënyra më e mirë dhe më e shpejtë, atëherë vepro në këtë mënyrë:
– Përdor vaj për të zbutur lëkurën
– Apliko krem rroje ose xhel.
– Rruaji qimet në drejtim të rritjes

9. Zbardhja e qimeve

Nëse qimet e fytyrës janë të errëta, mund të marrësh në konsideratë edhe disa produkte kozmetike që shërbejnë për t’i zbardhur ato, në vend që t’i hiqni, siç është uji i oksigjenuar. Ka disa produkte të tilla në çdo farmaci. /Telegrafi/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)