LAJMI I FUNDIT:

Ndërrimi i pelenave në politikë

Ndërrimi i pelenave në politikë

Çfarë kanë të përbashkët pelenat e fëmijëve dhe politikanët? Nuk e dini? As pas zgjedhjeve të fundit? As pas deklaratës së dikurshme, shumë ekspresive, të ish-ambasadores amerikane në Prishtinë, me të cilën u tërhiqte vërejtjen dhe njëkohësisht i ftonte politikanët e Kosovës, që të mos…? Por, e dini tashmë të gjithë, sepse kjo është bërë thënie e urtë (gjithë)popullore, në Kosovë. Por, politika jonë, vesh ka e vesh nuk ka. Pastaj, edhe politika ndërkombëtare sikur ka probleme me kujtesën, apo me ndërgjegjen…!

As pas këtyre zgjedhjeve, të cilësuara qysh para shpalljes së tyre, si të panevojshme, situata rreth formimit të qeverisë nuk duket se është thjeshtësuar. Ende flitet për blerje njerëzish, votash, parimesh, gjithçka që mund të shitet. Përkundrazi, duket se gjithçka është komplikuar dhe tendosur më shumë. Ofertat për qeveri gjithëpërfshirëse kanë mbirë si një përpjekje, me i hangër fjalët e veta, me i relativizue vijat e kuqe, me përpjekje që të bëhet një rreshtim i ri, i deputetëve, në bazë të objektivave me rëndësi për marrëdhëniet në rajon dhe me BE, duke lanë në plan të dytë reformat e brendshme.


Pak a shumë të njëjtit politikan i drejtojnë ende proceset kryesore, një politikë pelenash, edhe pse dekori duket se ka ndryshuar. Pra, nuk janë ndërruar politikanët kyçë, ka një kohë të gjatë, dhe nëse e vazhdojmë llafin rreth kësaj teme, detyrimisht vijmë deri te dallimi i përfolur në start, në mes të politikës dhe pelenave. Pra, duhet ndërruar, që të dyja, sa më shpesh dhe për të njëjtën arsye.

A mund të ndërrohen politikanët? Ky është problem ballkanik, por ndër shqiptarët është posaçërisht i shprehur. Ai që i hip politikës njëherë nuk i zbret derisa ta zbresin. A nuk po e shohim të gjithë se sa me zhurmë, dhembje dhe mundime të lindjes po e kalon Partia Demokratike e Shqipërisë këtë proces, ku edhe pas kaq kohë që ish-lideri ka marrë statusin e pensionistit, nuk e lë liderin e ri të bëhet edhe udhëheqës faktik. Rrethi i mbyllur, i ish-liderit, pas rënies së hallkës kryesore ka mbetur i papërdorshëm dhe jashtë loje, kështu që me panik po angazhohen që të rikthehen në lojë, duke nxjerrë një “kalë” të ri për garë..

Ashtu edhe Partia Socialiste dikur me vështirësi e ndërroi ish-liderin e saj të pakontestueshëm që nga koha e komunizmit, për të fituar një lider edhe më të fuqishëm, më këmbëngulës dhe i cili si duket do të bëhet edhe më i vështirë për të u ndërruar, kur të vij koha, aq më tepër tash që duket se ka marrë rol rajonal, dhe është bërë pjesë e baraspeshës së re.

Në Kosovë, ngjashëm. Ish-kryetari i PDK-së e do një pasues të pafuqishëm dhe me shumë lojëra dhe kombinime e ka bërë të pamundur që lideri i ri, me të vërtetë edhe të bëhet ndryshe dhe reformues. Nëse shohim kombinimet e bëra në çastin e fundit rreth koalicionit PAN e shohim pikërisht dorën e presidentit në tërë këtë projekt, i cili në fakt i komplikoi jashtë mase rrethanat, pas zgjedhjeve. Ai jo vetëm se nuk lejon reforma në ish partinë e tij, por me këtë e mban peng edhe shoqërinë.

Në lidhjen Demokratike, deputetët – së paku një numër i tyre janë të rinj – dhe kjo dukej shpresëdhënëse, përderisa kjo zvarritje dhe fushatat mediave nuk arritën me i futë në ingranazh, kështu që piramida e udhëheqjes të mbetet e njëjta, dhe mbeten peng edhe të njëjtave interesa dhe të veprimeve nga e kaluara. Vijat e kuqe, u shpallën edhe kësaj radhe, por kjo parti e ka dëshmuar se vijat ndërrojnë ngjyra.

Edhe partia e cila befasoi me dyfishimin e votave, mbetet me strukturë të njëjtë, me shumë gjasa që të jetë përsëri kundërshtuesja e të gjitha proceseve kyçe, të cilat bashkësia ndërkombëtare në njëfarë mënyre i kërkon nga ne pak a shumë në mënyrë ultimative, për të hapur rrugën e integrimit të mëtejmë të vendit në proceset.

Në ndërkohë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe partia NISMA mbeten të njëjtat, edhe kur duken se kanë ndryshuar, sepse në fakt kanë ndryshuar vendin në konjukturë pa ndonjë reformim, sepse drejtuesit e tyre janë vet partia.

E vetmja përpjekje për të krijuar një subjekt ndryshe, me të pakënaqur prej subjekteve të tjera, dhe të tjerë të mbetur anash, nuk pat kohë për të çelur as lulet e para, dhe në fakt, paraqet tani veç një përpjekje të suksesshme për të siguruar vende në parlament për disa personalitete, të cilat kanë lëvizur prej partie në parti dhe në fakt nuk ofrojnë diçka ndryshe ose të re. Dallimi pak a shumë është se sa janë të suksesshëm, në menaxhim më tepër sesa që ka dallime esenciale.

Fatkeqësisht nuk ndryshon asgjë as fakti se në të gjitha partitë ka shumë personalitete me karakter dhe ndërgjegje të lartë, profesionist të dalluar në fushat e tyre, por të cilët janë peng të oligarkëve nëpër të gjitha partitë, nuk arrin të imponohet si mënyrë dhe mekanizëm i daljes nga ky pat pozicion, nga ky stagnim i përgjithshëm në të gjitha fushat në të cilin oligarkia Kosovare e ka sjellë vendin. Kjo ndodhë për faktin se Qeveria e vërtetë në Kosovë, ajo e ambasadave, preferon ende më tepër të ruaj këtë konjukturë dhe këtë grup të vogël të njerëzve të cilët kanë grumbulluar në duart e tyre aq shumë fuqi, dhe të cilët e kontrollojnë jetën institucionale , dhe ekonomike të vendit.

A mund të ndërrohet diçka, në këtë shoqëri, që gjërat të ecin përpara, pa sakrifikuar substancën dhe pa sakrifikuar kohën e cila po ikë pakthyeshëm ndërkohë qe ne po mbetemi prapa, si e vetmja ujdhesë në Ballkanin perëndimor, me pengesa krejtësisht jodinjitoze dhe të paarsyeshme për qytetarët e vendit tonë? Mundet gjithsesi, por si gjithçka te ne, edhe kjo varet nga ingranazhi politik, ekonomik dhe i sigurisë euroatlantike dhe asaj se kur do të shihet e arsyeshme të lëvizë vërtetë rrota e reformave ndër ne.

Duhet të ndërrohen pelenat e politikës kosovare, Evropë!