0Shares

Yasmin Siddiqi

Jetojmë në një planet të mbipopulluar, ku fermerët kujdesen për kullota të thata dhe ku politikëbërësit grinden për rezervuarë të boshatisur, lumenj të tharë e qytete të etura. Por, kjo fjalë për fjalë përbën vetëm sipërfaqen e problemeve të botës me ujin. Ujëmbajtësit nëntokësorë, të cilët përbëjnë rezervuarët me ujë të planetit, po thahen gjithashtu. Nëse kjo gjë vijon, pasojat do të jenë të rënda, veçanërisht për Azinë, e cila ka mungesë uji dhe rritje të shpejtë.

Ujëmbajtësit nëntokësorë janë depozita uji që gjenden thellë nëntokë, në të çara shkëmbinjsh, toke apo rëre. Ato përmbajnë 100 herë më shumë sesa sasia e ujit që gjendet në sipërfaqen e tokës në formën e përrenjve, liqeneve, lumenjve e kënetave. Nëse je në Afrikën Qendrore, në Amerikën e Jugut apo në disa pjesë të Evropës, ka gjasa që ti gjendesh vetëm pak dhjetëra metra mbi këto lloj rezervash uji.

Ujërat mbitokësore, të tilla si uji i detit i ç’kripëzuar apo uji i ndotur i ricikluar nuk do të mjaftojnë për të ngopur konsumin e botës si dhe hendekun mes ofertës dhe kërkesës, hendek që parashikohet të arrijë në 40 për qind deri në vitin 2030. Për rrjedhojë ujëmbajtësit nëntokësorë parashhikohet të përdoren gjithnjë e më shumë për bujqësi, për energji elektrike dhe për përdorim ditor në qytetet me rritje të shpejtë (Azia urbane po rritet me mbi 120 mijë banorë çdo ditë).

Sot, rreth 30 për qind e ujit të pijshëm në botë vjen nga ujëmbajtësit nëntokësorë. Dhe, një e treta e 37 ujëmbajtësve më të mëdhenj të studiuar nga Universiteti i Kalifornisë mes viteve 2003 dhe 2013 rezultuan shumë të zbrazur, dhe që rimbushen në një masë tepër të vogël nga ujërat e shiut. Disa nga ujëmbajtësit më të shfrytëzuar gjenden edhe në rajonet më të thata, përfshirë Azinë, e cila në masën 88 për qind konsiderohet si zonë me stres për furnizimin me ujë.

Azia përmban rreth një të tretën e tokave bujqësore të botës që vaditen nga ujëmbajtësit nëntokësorë, ku India, Kina dhe Pakistani janë konsumatorët më të mëdhenj. Vetëm Azia Jugore konsumon gjysmën e ujit nëntokësor të konsumuar në planet. Por ujëmbajtësit e Azisë – shumë prej të cilëve janë krijuar mijëra vjet më parë, kur zona të tilla si Kina e veriut kishin një klimë shumë më të lagësht – nuk po rimbushen më rregullisht nga ujërat e shiut.

Në vend të kësaj, vrimat e hapura për të arritur te uji po bëhen gjithnjë e më të thella, mesatarisht gjysmë metri më të thella çdo vit, duke kërcënuar të ardhmen e sigurisë së furnizimit me ujë dhe me ushqime dhe duke i bërë bimët me konsum të lartë uji si kallami i sheqerit apo orizi, më të vështira për t’u rritur.

Popullsia me rritje të shpejtë e Azisë – rritje që mund të jetë në masën 25 për qind deri ne vitin 2050 duke arritur në pesë miliardë – do të shkaktojë më shumë stres për furnizimet ne ushqime, energji dhe ujë. Në nivel global, deri në vitin 2050 do të nevojiten 60 për qind më shumë ushqime e për rrjedhojë, bujqësia do të thithë gjithnjë e më shumë burime të pakta ujore. Ndryshimet klimaterike pritet t’i përkeqësojnë kushtet edhe më shumë.

Por, problemi është më i gjerë se sa tharja e burimeve të ujit. Pompimi me tepri i ujit nëntokësor sakaq po shkakton boshllëqe nën tokë, duke bërë që disa qytete të Azisë të zhyten pak nga pak. Deri në vitin 2030, rreth 80 për qind e Xhakartës së Veriut mund të bjerë nën nivelin e detit. Pjesë të Pekinit po zhyten me disa centimetra çdo vit.

Për më tepër, ujëmbajtësit e tharë pranë brigjeve detare janë të rrezikuar të kontaminohen me ujë të kripur, duke e bërë tokën djerrë. Disa ujëmbajtës janë të kontaminuar me arsenik, gjë që mund të ndodhë në mënyrë natyrore thellë nëntokë. Vlerësimet e Nature Geoscience thonë se më shumë se 60 për qind e ujit nëntokësor në ujëmbajtësit Indo-Gagnetikë janë të kontaminuar nga arseniku apo kripa. Në Bangladesh, uji i kontaminuar me arsenik konsiderohet përgjegjës për mbi 40 mijë vdekje çdo vit.

Hapi i parë drejt përmirësimit të kësaj situate është që të matet saktë se sa ujë nëntokësor ka mbetur ende e si po përdoret ai – një punë jo e lehtë, por gjithashtu jo e pamundur. Sateliti i NASA Gravity Recovery and Climate Experiment ofron informacion mbi ndryshimet në grafitetin e tokës të shkaktuar nga luhatja e volumeve të ujit. Dhe duke aplikuar teknologji për matje në distancë të baseneve të lumenjve, ne mund të matim se sa ujë mbitokësor disponohet aktualisht dhe kush po e konsumon atë.

Një hap tjetër i rëndësishëm është që të përmirësohet përcaktimi i çmimeve për ujin nëntokësor. Kina ka zbatuar një program pilot në të cilin fermerët paguajnë një çmim më të lartë në rast se ata pompojnë më shumë se sa kuota që i është caktuar. Përqasje të ngjashme kanë punuar mirë në Australi dhe Meksikë. Por masa të tilla mund të jenë politikisht të vështira për t’u zbatuar. Çelësi për sukses do të jetë që vendet të ndihmohen jo vetëm për të dizenjuar politikat e duhura, por edhe për të krijuar ligjet e nevojshme si dhe për t’i zbatuar këto ligje.

Dhe, më e vështirë politikisht do të jetë eliminimi i subvencionimeve të energjisë elektrike dhe gazit, të cilat nxisin fermerët të pompojnë ujë nëntokësor përgjatë të gjithë ditës. Nëse subvencionime të tilla nuk hiqen dot, ka alternativa novatore që mund të ulin pompimin me tepri të ujit.

Për shembull, në Gujarat, Indi, qeveria ka reduktuar pompimin e ujit nga puset duke i ofruar energji fermerëve për vetëm tetë orë në ditë. Fermerët kanë energjinë për të cilën kanë nevojë, por nuk mund të pompojnë tërë ditën. Një përqasje tjetër mund të jetë që të blihet pas energjia e tepërt nga fermerët për t’u ushqyer në rrjet. Kjo jo vetëm që redukton pompimin me tepri, por ndihmon gjithashtu në plotësimin e të ardhurave për zonat rurale.

Përpjekjet për të rimbushur rezervuarët nëntokësor janë gjithashtu të vlefshme. Një program pilot në shtetin Utar Pradesh të Indisë po mbledh ujin e tepërt mbi tokë fillimisht në rezervuarë mbitokësorë e më pas në rezervuarë natyrorë nëntokësorë.

Hapi final mund të jetë përmirësimi i menaxhimit të ujit sipërfaqësor, rrjedhimisht duke reduktuar kërkesën për ujë nëntokësor. Rreth 80 për qind e ujit të përdorur dërgohet në lumenj pa u trajtuar, shpesh duke i ndotur lumenjtë. Ndërmarrja e veprimeve më të forta për ta ndaluar këtë është shumë më e thjeshtë – qoftë nga pikëpamja logjistike ashtu edhe politike – në krahasim me ruajtjen e burimeve nëntokësore.

Burimet nëntokësore duhet të jenë rezervuari që përdoret vetëm në situata të vështira. Nëse ne nuk i mbrojmë ato sot, gjeneratat e ardhshme do të paguajnë një çmim të lartë – e ndoshta ekzistencial. /Project Syndicate/reporter.al/

Të Ngjajshme
Shfaq Komentet (0)