LAJMI I FUNDIT:

Kanadaja mbështet fuqishëm Kosovën në fushën e kulturës

Kanadaja mbështet fuqishëm Kosovën në fushën e kulturës

Në Galerinë e Ministrisë së Kulturës u hap ekspozita, “Natyra e Universit” e artistes nga Kanadaja, Jo Ann Lanneville ku i pranishëm ishte edhe ambasadori i Kanadasë me seli në Kroaci, Daniel Maksymiuk.

Sipas një njoftimi të Ministrisë së Kulturës, ekspozita e artistes kanadeze paraqet një reflektim të botës përreth saj për shumë vite dhe punimet paraqesin vullkane, shpella dhe pjesë artistike që lidhen me sjelljet njerëzore me hapësirën e përditshme.


Në ekspozitë bëhet e ditur se mori pjesë edhe zëvendësministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Rexhep Hoti.

Në hapje të ekspozitës, ambasadori i Kanadasë, Daniel Maksymiuk ka thënë se është kënaqësi që ndodhet në Kosovë për të parë nga afër një shtet partner për të cilin shteti i tij ka bërë shumë para, gjatë dhe pas luftës dhe po vazhdon ta ndihmojë edhe sot.

Ai ka shtuar se ekspozita e Jo Ann Lanneville shërben edhe si një pikëtakim i përbashkët për tu njohur më shumë me botën e veçantë të artit edhe në Kosovë.

Ambasadori ka folur edhe për kontributin që Ambasada e Kanadasë ka dhënë në mënyrë që Kosova të bëhet pjesë e organizatës së Frankofonisë.

Sipas tij, Kanadaja do të vazhdojë të mbështesë Kosovën edhe në fushën e artit, trashëgimisë kulturore dhe në fusha tjera.

Ndërkaq, zëvendësministri Hoti ka shprehur falënderimet e tij për kontributin dhe ndihmesën që Kanadaja ka dhënë dhe po vazhdon ta jap për Kosovën.

Me theks të veçantë, zëvendësministri ka folur edhe për anëtarësimin e Kosovës në organizatën e UNESCO-s për çka ambasadori Maksymiuk ofroi mbështetjen e Kanadasë që Kosova të bëhet sa më parë pjesë e kësaj organizate.

Hoti ka thënë se trashëgimia më e madhe e Kosovës në të cilën ndodhen kishat paleo kristiane duhet të jetë nën mbrojte të UNESCO-s. /Telegrafi/