LAJMI I FUNDIT:

Investimi 50-milionësh, afër dështimit

Investimi 50-milionësh, afër dështimit

Ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i kontratës, kompania amerikano-suedeze “Green 3Power” nuk ka filluar asnjë punë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike, për të cilën Komuna e Mitrovicës ka dhënë në shfrytëzimi për 99 vjet 10 hektarë tokë në Frashër.

Në Ministrinë e Mjedisit kanë thënë se kompanisë i është dhënë pëlqimi mjedisor, shkruan sot, gazeta Zëri.


Projekti i ndërtimit të fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike nuk ka filluar të realizohet ndonëse kanë kaluar dy vjet nga nënshkrimi i kontratës. Në Komunën e Mitrovicës kanë thënë se kompanisë “Green 3Power” i është dhënë një afat deri në fund të janarit që ta qartësojë situatën nëse do ta realizojë projektin ose do të tërhiqet. Por, ndonëse zyrtarë të Komunës kanë kërkuar sqarime nga përfaqësuesit e kësaj kompanie, këta nuk janë lajmëruar fare, së paku deri më tash.

Faruk Mujka, nënkryetar i Komunës së Mitrovicës.

Faruk Mujka, nënkryetar i Mitrovicës, i tha “Zërit” të martën se kanë kontaktuar me përfaqësues të kompanisë, nga të cilët kanë kërkuar që të tregojnë nëse duan ta realizojnë projektin ose të tërhiqen. “Kemi kontaktuar me përfaqësues të kësaj kompanie dhe kemi kërkuar nga ata që të qartësohen, a dëshirojnë ta realizojnë projektin për të cilin vetë kanë shprehur interesimin, apo duan të tërhiqen – nëse tërhiqen, atëherë ne do t’ua marrim tokën që ua kemi ndarë për ndërtimin e fabrikës për riciklimin e mbeturinave dhe prodhimin e 12 megavateve energji elektrike në Zonën Ekonomike”, ka thënë Mujka. /Telegrafi/