LAJMI I FUNDIT:

Historiku i ndërtesës ku është vendosur RTK-ja dhe pronarët e vërtetë të kësaj pasurie

Historiku i ndërtesës ku është vendosur RTK-ja dhe pronarët e vërtetë të kësaj pasurie

Shemsi Bajram Ajvazi

Dëgjova këto ditë lajmin se AKP-ja do ta dëbojë RTK-në nga ndërtesa në të cilën gjendet. Dëshiroj që të zbardhi të kaluarën e kësaj ndërtese dhe se as RTK-ja as AKP-ja nuk kanë kurrfarë të drejte për pretendimet e tyre


Në oborrin e ndërtesës ku gjendet RTK-ja, ka qenë një shtëpi e stilit oriental me një oborr me sipërfaqe të madhe mbi dhjetë ari. Në oborrin e saj ka qenë një çezme private me ujë të pijshëm nga Gërmia e cila ka pas kapacitet të madh dhe nga uji i saj që rridhte ditë e natë, formohej një përroskë që arrinte deri në lumin Prishtevka.

Këtë shtëpi një hebre i Prishtinës e ka blerë në kohën e tërheqjes së Perandorisë Osmane, nga një funksionarë i lartë i Perandorisë .Në atë kohë, shtëpitë e shtrenjta shiteshin në lira të arit. Hebreu me familjen e tij (gruan dhe një djalë mocanik i imi ) ka jetuar në atë shtëpi edhe në kohën e Luftës së Dytë Botërore dhe nuk ka pësuar asnjë të keqe, pasi që ishte komshiu ynë i parë. Ne banonim në rrugën që shpie nga Xhamia e Madhe kah pazari, aty sot banon vëllai im dhe kushërinjtë tanë.

Në të vërtetë, hebreu ka gëzuar mbrojtjen e babait tim, Bajram Ajvazit, i cili gjatë luftës – siç thuhet ”në kohë të Shqipnisë” – ishte kryetar i Kuvendit të komunës së Prishtinës. Ai ka qenë një ndër pasanikët më të mëdhenj të Llapit dhe të Prishtinës. Për Bajram Ajvazin dhe patriotizmin e kontributin e tij duhen të shkruhen disa libra, por tani fjala është për “ndërtesën e RTK-së”.

Menjëherë pas luftës, pasi që hebrenjve të shpëtuar u hapet mundësia që të emigrojnë në Evropë, ai i ofron babait tim shtëpinë për ta blerë dhe ai e blen dhe e paguan me lira të arit, sikur që hebreu e kishte blerë nga turku. Dhe, familja jonë menjëherë u vendos në këtë shtëpi e cila në katin përdhesë kishte katër dhoma dhe në katin e epërm katër dhoma dhe një korridor të madh të ndriçuar nga penxheret e mëdha në formë ovale.

Por, në vitin 1948 fillon ndjekja e vërtetë ndaj atdhetarëve shqiptarë, nën pretekstin e luftës kundër informbyrosë . Në këtë kohë, për të dytën herë burgoset babai im dhe i konfiskohet tërë pasuria në Peran, Podujevë dhe Prishtinë. Familja jonë dëbohet nga shtëpia në mes të dimrit, e etiketuar si familje “armike e popullit”.

Menjëherë pas dëbimit tonë, në oborrin e shtëpisë sonë ndërtohet një barakë e madhe me disa paralele dhe aty fillon së vepruari shkolla e partisë, të cilën e ndiqnin të rriturit shqiptarë e serbë.

Pas disa viteve baraka rrënohet dhe në vend të sajë ndërtohet ndërtesa e sotme dhe aty vendoset Komiteti krahinor i Partisë Komuniste, ku ka qenë një kohë të gjatë. Dhe, pas kalimit të Komitetit në ndërtesën e re në qendër, aty vendoset Radio Prishtina e disa ente tjera, dhe më vonë RTV i Prishtinës.

Në këtë moment dy uzurpues, RTK-ja dhe AKP-ja, po luftojnë për plaçkën që e la pas veti Partia komuniste. Një ditë kur do të sundojë ligji në Kosovë, kjo pasuri dhe kompensimi për dhunën dhe plaçkitjen e dhunshme do tu kthehet pronarëve të vërtetë.