LAJMI I FUNDIT:

Ermonela Jaho: Zëri që dridh zemrat!

Ermonela Jaho: Zëri që dridh zemrat!

Sopranoja jonë tashmë e dëshmuar edhe në qarqet me fine të metropoleve botërore, Ermonela Jaho, padyshim është zëri i shkolluar, i cili dridh zemrat nëpër shumë skena të Evropës dhe të botës. E shkolluar në Tiranë,e specializuar në Itali, e sprovuar edhe ne Pligadephia të SHBA-ve.

Ermonela ka dëshmuar cilësitë e veta artistike dhe njerëzore, duke u bërë gjithnjë e më e adhuruar dhe e kërkuar. Modeste, me kulturë të madhe, e mbi të gjitha me zërin e kristaltë, Ermonela, ka shënuar rezultate për mbamendje dhe për t’u admiruar.

Po cila është, në të vërtetë, sopranoja jonë, Ermonela Jaho, si arriti deri këtu dhe cilat janë synimet e saja për të ardhmen?


Bisedoi: Shaqir Foniqi

Zj. Ermonela. Tashmë keni pushtuar skenat botërore. Keni debituar me “Madama Butterfly” në Teatrin e Operas në Philadelphia, për të vazhduar nëpër skenat më prestigjioze në botë. Si është rruga juaj, deri këtu? 

Rruga ime deri këtu nuk ka qenë e lehtë, përkundrazi më është dashur të përballohem me shumë vështirësi të të gjitha natyrave…Por kur ke në kokë idetë e qarta dhe ëndrrën tënde, çdo vështirësi kalohet me optimizëm. Sa më e madhe është ëndrra, aq e madhe është edhe sakrifica dhe pikërisht janë këto sakrifica që formojnë një bagazh eksperiencë jete që forcojnë karakterin e një artisti dhe bëjnë shumë më të ndjeshme zemrën e tij…

Është e vërtetë që artisti është qytetari i botës. Por, duket se jeni formuar në Tiranë dhe në Itali, para se të vazhdoni rrugëtimin tuaj artistik përtej Oqeanit? Madje, Tiranën e keni qytetin më të dashur dhe duket se e bartni kudo që shkoni?

Unë kam filluar studimet në fushën e kantos në liceun artistik ”Jordan Misja” në Tiranë, nën drejtimin e profesorit tim shumë të dashur Vangjo Kosta. Më pas fitova konkursin e Katia Rcciarellit më 1993 dhe vazhdova studimet në Akademinë e Montoves dhe me pas në Akademinë “Sanat Cecilia” në Romë për kanto dhe piano, gjithashtu dhe studimet paralele në degën e Foniatrise, fusha mjekësore specifike që merret me këngëtarët, sepse ishte shumë e rëndësishme. Është si puna e një artizani që nuk njeh materialin me të cilin punon!

Ndërkohë që studioja në Akademi, mora pjesë dhe në disa konkurse të cilat i fitova dhe më sollën hap pas hapi të afrohesha më tepër me teatrin e operës botërore dhe kështu, si hallkat e një zinxhiri të gjatë, një e nga një, duke u dedikuar dhe studiuar në mënyrë konstante, kam arritur deri këtu ku jam sot.

Por, dua të them që akoma nuk kam mbaruar së studiuari, sepse në art e mira nuk ka fund dhe, ne, çdo ditë jemi në zbulim të gjërave të reja….

Tiranën e kam qytetin tim më të dashur për vet faktin sepse jam rritur dhe jam formuar, gjithashtu është edhe ajo pjesë e zemrës sime që i përket fëmijërisë, ajo pjesë ku kam kujtimet dhe familjen time të origjinës.

Keni mbajtur disa koncerte mjaft të suksesshme në Gjermani dhe në Londër bashkë me Saimir Pirgun, më duket, dhe është rast i rrallë kur dy artistë shqiptarë ngjiten në podiumin e një skene bashkë me publikun e formuar për këtë lloj arti?

Kemi kënduar së bashku në Royal Opera House, në operën Traviata dhe ishim dy protagonistët dhe, më pas një koncert Gala në Gjermani. Ka qenë shumë i veçantë bashkëpunimi së bashku, sepse në këto raste në majat e operave botërore nëpërmjet artistëve renditet në mënyrë dinjitoze edhe vendi ynë. Bashkëpunimi ynë është lakuar shumë kudo dhe do kemi në të ardhmen bashkëpunime të tjera së bashku.

Artisti është në fund të fundit një qenie humane të cilit Zoti i ka dhënë aftësinë e të shprehurit nëpërmjet talentit ku duhet të japë atë emocion të sinqertë publikut në të cilin identifikohet….keshtuqë edhe pas skenës, unë jetoj normalisht jetën si të tjerët, por duke shijuar çdo moment, pasi pasuria e një artisti është vlerësimi i gjërave më të thjeshta të jetës që janë frymëzimi dhe rigjenerimi i tij.

Duket se zemra juaj, tashmë e ka gjetur qetësinë dhe lumturohet lehtë e shpejtë, madje vetëm me një detaj, në ndërkohë që interpretoni vepra, të cilat ngërthejnë në vete, tragjiken, thyerjen shpirtërore, dhembjen, por, natyrisht edhe dashurinë, jetën dhe lumturinë e paskajshme. Dmth, jeni e aftë të transformoheni në mënyrë brilante nga roli në rol, kurse në jetë, jeni e qete, e gëzuar dhe e lumtur?

Unë në çdo rol që këndoj, kërkoj të gjejë diçka të përbashkët me veten time, gjë e cila bën që kur ngitem në skenë, identifikohem me rolin që këndoj dhe në çdo notë të saj, është zëri, zemra e sinqertë dhe e vërtetë e Ermoneles.
Edhe në jetë, jetoj çdo ditë, shijoj çdo gjë që më ofron jeta, e pranoj jetën në mënyrë globale me të gjithë ngjyrat e saj.

Shpirti i artistes është paksa i kristaltë, i ndjeshëm dhe suptil, megjithatë ju keni një optimizëm të madh, keni cakun, dini çka doni dhe, rruga juaj tashmë është e trasuar me dafinën e lavdisë.

Është e vërtetë, shpirti i artistit është shumë i ndjeshëm, gjë e cila është forca dhe deboleca e tij. Jeta është vetëm një, dhe, e shkurtër. Duke imagjinuar që jetojmë në një botë ku çdo gjë ka një fillim, një kulminacion dhe një fund, në momentin që vijmë në jetë, ia vlen ta jetosh në mënyrë totale dhe me optimizëm, sepse çdo gjë është kalimtare dhe nuk ke kohë të kthehesh mbrapsht, kështuqë, çdo ditë është një bekim nga Zoti.

Ju jeni e prirur për shprehjet, faleminderit dhe, nesër është një ditë tjetër, një ditë e re, kurse iu tërheq e reja dhe dëshironi që të gjithë ata të cilët merren me art, të jenë artistë të vërtet, me shpirt dhe me zemër?

Shprehja e falënderimit është një lloj mirënjohje që unë shpreh kundrejt jetës, njerëzit të cilët më mbështesin dhe më thonë një fjalë të ngrohtë, sepse fjala, muzika, është gjuha e zemrës, e shpirtit dhe është kjo gjë që bashkon qeniet humane. Sa ekziston jeta, ekziston e reja. Çdo ditë është një ditë e re, ne jemi një ditë më të vjetër dhe këndvështrimi për jetën është ndryshe nga dje, prandaj dhe kjo e bën më interesante çdo hap të jetës, gjë e cila vlen edhe në art…kjo është arsyeja pse akoma ekziston arti, sepse çdo artist në mënyrën e tij shpreh diçka të re ndryshe nga tjetri. Nëse do përsëritnim të njëjtën gjë, atëherë çdo gjë do ishte monotone, dhe më lejoni të ta them që monotonia është vdekja e artit…

Mendoni se ne art nuk ka improvizime, ose je artist, ose nuk je?

Artist, je ose nuk je dhe e kam fjalën për artiste me A të madhe. Artisti i vërtetë edhe në improvizim nxjerr një vepër arti, ndërsa pseudoartistët çdo gjë që bëjnë, është e destinuar të fshihet menjëherë…

Kudo që paraqiteni, në mesin e publikut sigurisht ka edhe shqiptarë. Iu bën kjo krenare dhe iu jep zemër?

Është normale që kur dëgjon një urim në gjuhën mëmë, të jep një emocion të madh, sepse nëpërmjet atij urimi, në mendjen time vizatohet piktura e një familjeje të madhe, ”Shqipëria”.

Ju, duket se e ndjeni mallin e atdheu tuaj, Shqipërisë dhe flisni me admirim për vendin tuaj. Është ky një virtyt juaji i lindur dhe një mirënjohje për kombin që i përkisni, një veti e artisteve të mëdha, të cilat kurrë nuk e mohojnë prejardhjen e vet! Madje, vazhdimisht keni një mall shqiptari, sikurse thuani, për shqiptarinë?

Origjina është një lloj identiteti dhe nuk mund të mohohet kurrë, sepse është një lloj sikur të mohosh ekzistencën tënde. Vijmë nga një vend me shumë tradita, por edhe me shumë probleme, por qe kemi diçka për të thënë, qoftë në art apo në çdo fushë të jetës, është pikërisht ajo histori kaq shekullore që kemi të injektuar në vena, bën që bota të na dëgjojë dhe mësojë, ashtu siç kemi edhe ne për të mësuar nga bota. Unë kudo që shkoj, kërkoj të prezantohem si këngëtarja shqiptare, Ermonela Jaho…sepse dua të japë diçka të veçantë në artin tim, një dozë emocioni që vjen nga vendi im.

Karrierën e keni filluar qysh si gjashtë vjeçare, kurse keni arritur që të bëheni një emër i respektuar me një vezullim meteor kudo që paraqiteni. Si arrini të përgatisni rolet aq shpejtë, aq bukur, meqë nuk janë edhe aq të lehta. Jeni e përgjegjshme, punoni shumë dhe keni një potencial të madh artistik, e mbi të gjitha, keni një fytyrë të bukur, sikur e lindur enkas për Opera?

Kur bën diçka qe do edhe veshtirësitë bëhen të lehta. Unë studioj shumë dhe kërkoj që në çdo rol të japë diçka të re, të paktën përpiqem për këtë, një ndjenjë të veçantë, të sinqertë….Jam shumë e ndërgjegjshme në çdo hap që bëj dhe çdo hap është i menduar shumë mirë përpara se të shkojë në skenë. Duhet një studim konstant, qoftë teknikisht, qoftë dramaturgjikisht.

Këngëtaret janë gladiatorët e skenës dhe kërkohet një përgatitje fizike, prezencë skenike, njohuri mbi rrolin që këndohet, përgatitje teknike etj….

Përsa i përket bukurisë, falënderoj prindërit e mi, por dua të nënvizoj punën e jashtëzakonshme që ka bërë me mua fotografi i mirënjohur Fadil Berisha, i cili është një tjetër artist-ambasador i vendit, sepse me pasion dhe dashurinë e madhe për Shqipërinë, për Kosovën, ka vënë në dispozicion artin e tij, për të vënë në piedestal bukurinë e femrave shqiptare dhe një falënderim publik për këtë paraqitje të bukur i përket edhe Fadilit.

Po të mos ishit bërë soprano, keni patur edhe alternativa të tjera, si psh, artiste, poete, mjeke, stjuardesë…iu mbetet merak ndonjë profesion tjetër?

Në këtë moment të jetës që ndodhem, nuk mund ta mendoja veten duke bërë një profesion tjetër, sepse që e vogël kam dashur të bëhem këngëtare dhe nuk më ka mbetur merak asgjë.

Në momentin që unë nuk do jem në gjendje të këndoj më, sepse asgjë nuk zgjatë përgjithmonë, do më interesonte shumë fusha e psikologjisë me fëmijët. Më tërheq shumë ky studim, sepse dua të jem e aftë dhe të japë ndihmën time aty ku është nevoja dhe fëmijët janë pika më delikate.

Dihet se zemra juaj rrah vetëm për publikun. Çka është publiku për ju? Sigurisht ka raste kur publiku dëshiron të ngjitet në skenë për të të përqafuar dhe për të të dhuruar lule? Cila është Ermonela jashtë skenës, si duket një ditë e rëndomtë e saj, nëse ka ditë bosh, ndonjëherë?

Zemra ime nuk rreh vetëm për publikun, zemra ime rreh për çdo gjë në jete që më jep emocion, që mund të jetë e lidhur me skenën ose edhe jashtë skenës. Para publikut, artistët janë gjithmonë si përpara një provimi ku fillimisht je ti studenti, por në fund duhet të ndodhë e kundërta…Kjo është edhe forca e artistit të magnetizoje mijëra njerëz të cilët arrijnë të identifikohen me artistin.

Jashtë skenës, unë jam shumë e rezervuar dhe dua të shijoj jetën time në mënyrë totale private me të gjitha anët e saj.

Ju, lirisht mund të thuhet se jeni vet lulja e skenës, një lule plot aromë, e rritur dhe e ujitur në truallin, tokën tonë? Mendoni se edhe pasardhësit tuaj të bëhen artistë, meqë rrjedhin nga një familje artistësh?

Këtë nuk e di akoma, sepse nuk jam bërë akoma prind, por mund të them që kam pasur një shembull të jashtëzakonshëm me prindërit e mi të cilët më kanë lënë të lirë të zgjedhë atë që kam dashur unë të bëj dhe më kanë mbështetur në çdo hap.

Kur do t’u shohim edhe në Kosovë, ku tashmë kini emër dhe famë?

Unë e dua shumë Kosovën dhe shpresoj shumë shpejt të këndoj në këtë vend kaq të bukur, por nuk kam pasur asnjë ftesë zyrtare deri tani.

/Telegrafi/

Në trend

Më shumë
Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

Teknologjia e vijës së portës ​​ka analizuar golin në El Clasico, është konfirmuar se ishte apo nuk ishte

La Liga
“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

“Ka vetu, e ka bo Zoti dritë dhe e kom pa atë njeri”, thotë dëshmitarja për vrasjen e trefishtë në Gllogjan

Drejtësi
Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Gjatë një operacioni policor në Prishtinë e Gjilan, gjenden dy bunkerë dhe armë zjarri

Kronika e Zezë
Zelensky paralajmëron për një

Zelensky paralajmëron për një "Çernobil të dytë"

Evropa
Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Kurti takon ministren e Jashtme gjermane, falënderon Gjermaninë për mbështetjen e Kosovës drejt anëtarësimit në KiE

Lajme
“Do të luajë dhe do të shënojë kundër Real Madridit” – Tuchel tregon se ylli i Bayern Munich është kthyer nga dëmtimi

“Do të luajë dhe do të shënojë kundër Real Madridit” – Tuchel tregon se ylli i Bayern Munich është kthyer nga dëmtimi

Liga e Kampionëve
Kalo në kategori