LAJMI I FUNDIT:

E drejta e privatësisë në dy tabllo: Rasti i hipikëve francezë në Gjilan, rasti i gazetarit kanadez në Whitesburg dhe ‘Doli goca n‘penxhere‘!

E drejta e privatësisë në dy tabllo: Rasti i hipikëve francezë në Gjilan, rasti i gazetarit kanadez në Whitesburg dhe ‘Doli goca n‘penxhere‘!

Në vitin 1967 në Gjilan (atëherë quhej Gilan) erdhën dy francezë të rinj që kishin mjekra dhe flokë të gjata. Që të dy sot mund të përshkruhen si hipikë, por populli këtyre njerëzve atëherë u thoshte ‘bitlesha’ – që ishte sinonim apo shprehje që përshkruante ngjashmërinë e individëve me anëtarët e grupit ‘The Beatles‘.

Emërtimi ‘bitlesh’ ju shkonte për shtati, pasi që këta njerëz kishin flokë dhe mjekra të gjata dhe si të tillë ishin me plot lesh. Që të dy hipikët, apo ‘bitleshat’ francezë, në duar mbanin nga një aparat me të cilin fotografonin pa ia nda çkado që shihnin. I kam pa edhe vetë, se i përcjellja me një grup fëmijësh, pasi nuk kishim pa njerëz të tillë dhe na vinte shumë interesant. Na fotografonin edhe neve fëmijët që rregulloheshim me dreqnillëk për të dalë në foto, se na dukej argëtim kjo punë.


I përcillnim hipikët francezë rrugëve të qytetit hap pas hapi. Ajo ditë ka qenë e shtunë dhe ditë pazari. Kur ata shkuan në pazar të pemëve, i shpeshtuan fotografimet. Dikur ata u ulën në shkallët e pazarit të vjetër të qytetit dhe filluan t’i hanin pemët dhe perimet që ua dhanë falas shitësit fshatarë.

Dikur unë shkova në shtëpi se ma mori mendja që përfunduan gjërat interesante. Në fakt, momenti interesant kishte ndodhur pasi isha larguar unë. Kurrë nuk ia kam falë vetes gabimin që nuk qëndrova për të vëzhguar vizitën e plotë të hipikëve në qytetin tim.

Kur po kthehesha unë për në shtëpi, hipikët kishin dalë nga pjesa e pasme e pazarit, aty ku fshatarët i ‘parkonin’ qerret dhe kafshët që i tërhiqnin ato. Hipikët kishin filluar t’i fotografonin nja tre apo katër fshatarë të cilët i kishin ’zhgedhu kijet’ dhe i kishin lidhur për rrota t‘kerrit. Fshatarët e veshur me rroba tradicionale dhe me plisa në kokë (me siguri kanë pasë edhe mustaqe) ishin ulur këmbëkryq dhe nën hijen e kanatave t’kerrit po e hanin një bostan të prerë në flegra. Pamje shumë tërheqëse për të huajt. Prandaj, hipikët kishin filluar t’i fotografonin fshatarët që atyre me siguri u janë dukur idilikë e stoikë.

Njëri prej fshatarëve ua kishte tërhequr vërejtjen hipikëve francezë që ta ndalnin fotografimin. Por, ata kishin vazhduar ta injoronin vërejtjen. Dikur, njërit fshatarë i ishte sosë durimi. Ishte ngritur në këmbë duke e nxjerrë njërin stupc nga kerri dhe me te u kishte hy francezëve shpinës, derisa i kishte shtrirë përtokë.

Nuk e di saktësisht se çka ka ndodhë me hipikët, por me siguri kanë qëndruan në spital për ndonjë kohë. Fshatarin e kishin dërguar në milici, por pasi që e kishin marrë në pyetje, njerëzit thoshin se ishte liruar pa u dënuar.

Sidoqoftë, rasti është për studim të të drejtës së privatësisë. Pazari është vend publik ku mund të fotografosh në kuadër të plotë, por fokusimi i objektivit të kamerave në një grup të veçantë, të izoluar, dhe të cilët kanë kundërshtuar fotografimin, pa dyshim paraqet shkelje të së drejtës së privatësisë.

Një rast i ngjashëm, por me pasoja më tragjike ka ndodhur në të njëjtin vit (1967) disa mijëra kilometra larg nga Gjilani, në rrethinën e qytetit Whitesburg që gjendet në malet Appalachia në Kentucky të SHBA-ve. Në këtë vit, një gazetar kanadez i quajtur Hugh O’Connor, ka shkuar në këtë vend për të bërë një program dokumentar televiziv për gjendjen e rëndë të këtyre banorëve, të cilët kryesisht kanë qenë të punësuar në minierat e thëngjillit. Mund të mos besoni, por këta njerëz edhe pse kanë jetuar në Amerikë, jetën e kanë pasë më të vështirë se çdo banorë i ndonjë fshati të asaj kohe në Kosovë.

Një ditë, derisa O’Connor po incizonte me kamerë, u vra nga një banor i quajtur Hobart Ison. ‘Arsyen’ e vrasjes të cilën Ison e ka paraqitur për mbrojtje në gjyq është se O’Connor nuk ka patur leje nga ai për incizim në tokën e tij. Arsye shtesë që është dhënë si mbrojtje, ka qenë kinse O’Connor ka patur për qëllim që me incizime t’i poshtëronte banorët e varfër të këtij rajoni, me të cilën gjë ka bërë shkeljen e të drejtës së privatësisë. Në realitet, çështja ka qenë shumë e komplikuar e që nuk mund të sqarohet tërësisht në këtë shkrim, por vrasësi ka mbajtur vetëm 1 vit burg.

Sidoqoftë, ky ka qenë një rast që e ka tronditur Amerikën dhe botën e gazetarisë të asaj kohe e që mbahet në mend deri sot. Rasti sot merret edhe si mësim shkollor në gazetari, për të treguar vështirësitë dhe rreziqet me të cilat ballafaqohen gazetarët. Në lidhje me këtë temë ekziston një film dokumentar i cili quhet ‘A Stranger with a Camera’ (Një i huaj me kamerë), e që është punuar në vitin 2000 nga gazetarja Elizabeth Barret. Edhe ky dokumentar shërben në shkollat e gazetarisë.

Në vitin 2002 unë kam shkuar në Whitesburg për ta hulumtuar këtë rast si pjesë studimi të një ‘fellowship’ për media. Studimi i rastit doli shumë interesant. Por, vizita ime nga ajo studimore kishte edhe një karakter tjetër që mbahet mend. Natën e parë në një restorant mora vesh se në atë rajon alkooli ishte i ndaluar dhe po të zinte policia duke pirë publikisht, të fuste në burg sikur në Arabinë Saudite. Sikur në Arabinë Saudite, edhe në këtë pjesë të Kentucky-it, alkooli prodhohej ilegalisht e që quhet ‘Moonshine’.

Pasi që kisha punë kryesisht me gazetarë, një natë më ftuan për mysafirë të natës në radion kryesore që quhej ‘Appalshop Radio’. Pyetjet e gazetarit intervistues, por edhe të dëgjuesve që telefonin vazhdimisht, kërkonin që unë t’ua shpjegoja interesimin amerikan për Kosovën. Me fjalë tjera, pse kishte intervenuar Ushtria amerikane në Kosovë?

Pyetjet tjera kishin të bënin me ushqimin që hanë shqiptarët dhe me muzikën që e kanë. Në fakt, interesimi për muzikën u shtua shumë atë natë pasi që në intermexo të intervistës emitoheshin nja katër këngë të Merita Halilit, të vetmet që i kishte në shqip ky stacion. Madje, këngën ’Doli goca n’penxhere’ me kërkesë të dëgjuesve e përsëritën disa herë dhe kërkuan nga unë që ta përktheja tekstin në anglisht. Merreni me mend tash se në çfarë gazepi rashë unë me tekstin e këngës, e sidomos me fjalët: ‘Oj, oj, oj lajle, kujtova se binte shi, ato ishin lotët e mi’. Nuk e di nëse kam arritur që me përkthim ta përçoj këtë moment të dhimbshëm të një dashurie të pafat, por unë u mundova mjaft dhe me seriozitet. Me siguri përkthimi ka dalë qesharak, por dëgjuesve amerikanë, për çudi, u pëlqente shumë.

Kur u zgjova të nesërmen, u befasova sa isha popullarizuar në Whitesburg që ishte një qytet më i vogël se Gjilani. Plot gazetarë, funksionarë dhe afaristë komunalë kishin organizuar drekë për mua. ’Drekë shumë speciale. Diçka që hahet vetëm në këto anë’, më thanë. Isha kurioz ta shihja ushqimin e tyre. Shkuam në një restorant ku kamerierja e solli një bukë të madhe t’kallamojtë (bukë misri). Nuk vonoi dhe i solli pjatat me pasul e më vonë mushkëri të pulës të fërguara, speca turshi dhe kos.

Në fillim, ky ushqim më krijoi konfuzion pasi që mendova se këta e dinë se çka hamë ne shqiptarët dhe këtë e kanë përgatitë për të ma kujtuar vendin dhe ushqimin tim. Në fakt, ky ishte ushqimi i tyre tradicional që edhe shijen dhe pamjen e kishte si tonin. U befasuan edhe ata kur u tregova që ky ushqim për mua ishte i njohur dhe gati i përditshëm.

Ky shembull mund të shërbej si ilustrim se njerëzit, pa marrë parasysh se ku jetojnë, problemet, përfshirë çështjen e privatësisë, dhe ushqimin, në shumicën e rasteve i kanë të njëjta.