LAJMI I FUNDIT:

Chabert konfirmon gatishmërinë e Francës për përkrahjen e bujqësisë në Kosovë

Chabert konfirmon gatishmërinë e Francës për përkrahjen e bujqësisë në Kosovë

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Memli Krasniqi priti sot në takim njohës ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Didier Chabert me të cilin biseduan për zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit  mes Kosovës dhe Francës në fushën e bujqësisë.

Ministri Krasniqi falënderoi ambasadorin për mbështetjen që Franca i ka dhënë Kosovës nëpër vite në shumë sektorë, e në veçanti në bujqësi.


Në këtë drejtim, ministri përmendi edhe pjesëmarrjen e agrobizneseve nga Kosova në Panairin e parë ndërkombëtarë të industrisë së ushqimit “Sial Paris”, për çka tha se ishte një tjetër dëshmi e bashkëpunimit mes dy vendeve, dhe një mundësi më shumë për bizneset nga Kosova që të depërtojnë në tregun evropian.

Më tutje, ministri e ka njoftuar ambasadorin edhe për programet mbështetëse të MBPZHR-së, si dhe për disa nga prioritetet e ministrisë për vitin e ardhshëm.

Ministri Krasniqi ka shprehur gatishmërinë e tij për thellimin dhe zgjerimin e mëtejmë të bashkëpunimit  mes Kosovës dhe Francës në fushën e bujqësisë, duke ditur faktin se Franca është një prej vendeve lidere në bujqësi.

Nga ana e tij, ambasadori Didier Chabert, konfirmoi gatishmërinë për përkrahje në avancimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimit rural në Kosovë. /Telegrafi/